2012-05-11 16:48:20

Patriku melkit sirian, Gregorios III: “barbarizma të pashembullta, bota t’u thotë mjaft”


Nunci apostolik në Siri, imzot Mario Xenari, deklaron për agjencinë katolike “MISNA” se “dhuna tërheq dhunën. Ç’ndodhi dje në Damask është një faqe e trishtuar dhe e dhimbshme e një konflikti, i cili bëhet edhe më i vështirë për t’u zgjidhur me kalimin e kohës”. Sipas nuncit, në vend ekzistojnë forca, që duan t’i kompromentojnë përpjekjet aktuale për paqen. Imzot Xenari denoncon ardhjen e vazhdueshme të armëve në Siri.RealAudioMP3
Edhe më rrënqethës, tregimi i patrikut greko-melkit të Antiokisë dhe të gjithë Lindjes, Gregorios Laham III. “Ishim në lutje në kapelën e katedrales – thotë ai, po për agjencinë “MISNA” – kur një shpërthim i fuqishëm i bëri copë e grimë xhamat. Muret u lëkundën nga zhvendosja e papritur e ajrit, menduam për ndonjë tërmet… Në televizion treguan një krater të stërmadh, makina e pallate të shkatërruara, gjak gjithandej. Autobusi i fëmijëve, që vijnë tek ne në shkollë, kishte kaluar në atë rrugë, vetëm 10 minuta më parë. Është mrekulli që s’na gjeti gjë”. Ky, vazhdon Patriku, kryetar i asamblesë së hierarkisë katolike siriane, është “një akt barbar i pashembullt”. “Prej 63 vjetësh Toka e Shenjtë pret paqen, në heshtjen e në indiferencën e botës, e cila deri tani ka thënë vetëm fjalë boshe”, denoncon Gregorios Laham III. Ka ardhur koha “t’i jepet fund parodisë së politikës dyfytyrëshe, që nuk i mban kurrë premtimet, interesat e padeklaruara të së cilës djegin si kripa mbi plagët e hapura të një rajoni të tërë… Bota nuk mund të lejojë që urrejtja dhe lufta ta hedhin Lindjen e Mesme në një humnerë pa fund. Tani, mjaft më”.
Të dëgjojmë themeluesin e Manastirit sirian të Deir Mar Musa, jezuitin, atë Paolo Dall’Olio, me telefon nga Siria:
Sigurisht, shoqëria është thellësisht e tronditur. Na kanë telefonuar shumë persona, si për të na thënë se ishin gjallë, si për të na kërkuar informacione. Lagjja e atentateve është shumë afër një lagjeje, me shumicë të krishterë. Për momentin, është e pamundur të kuptohet se kush fshihet pas këtyre atentateve. Siria është kthyer në një arenë, ku luhet një boks i rrezikshëm rajonal, pasi interesimi i vendeve përreth nuk e ka ndihmuar vendin, përkundrazi, i ka ashpërsuar qëndrimet dhe ndeshjet. Dërgimi i vëzhguesve të paarmatosur nga ana e OKB-së është i drejtë, por akoma nuk jemi as 300; e 300 janë shumë pak. Këtu duhet një punë e detajuar, aftësi të mëdha vëshgimi e hetimi, për t’u garantuar sirianëve lirinë e vërtetë të opinionit, të shprehjes e të manifestimit, nga njëra anë dhe, çrrënjosjen e dhunës terroriste, nga ana tjetër.







All the contents on this site are copyrighted ©.