Një mendim për Virgjërën Mari, në muajin maj: Maria në teologjinë katolike
Teologjia katolike, apo Mariologjia, për të cilën do të flasim përsëri më pas, është
marrë gjatë shekujsh me përkufizimet, konceptet, dogmat e format e ndryshme të nderimit
për Virgjërën Mari, bazuar jo mbi spekulime abstrakte, por mbi traditat historiko-fetare
të krishtërimit, si tekstet e shenjtorëve e të etërve të Kishës. Me të gjitha këto
forma merret mariologjia katolike. Ndër shenjtorët e Kishës latine, që shkruan
më shumë për Virgjërën Mari, kujtojmë Duns Skotin, Shën Bernardin e Kiaravales, Shën
Bonaventurën nga Banjorexho, Shën Luigjin Grinjon de Monfort, Shën Alfons Maria de’
Liguorin... Në shkrimet e tyre Maria paraqitet si “Nëna e mëshirës”; “Shpresa
e të dëshpëruarve”, “Mbretëresha e të mjeruarve”, “Ndërmjetëse e të gjitha hireve”;
“Refugium peccatorum” (Streha e gjallë e mëkatarëve). Shën Bernardi pohon se “ajo
ia hapë pafundësinë e mëshirës së Zotit atij që do, kur do e si do; kështu që nuk
ka mëkatar, sado i mbrapshtë të jetë, që të humbasë, në se gëzon mbrojtjen e Marisë”. (Shën
Bernardi i Kiaravales, De Laudibus Virginis Matris) Në vijim, Shenjti na kujton
se, kur gjunjëzohet para Zojës së Bekuar, mëkatari nuk duhet të ketë frikë, as turp,
për shkak të mëkateve të veta. Përkundrazi, sepse: “... si mund t’ia mohosh
ndihmën njeriut të mjerë, ti, Mari, që je Mbretëreshë e mëshirës? E kush mund të jenë
nënshtetasit e tu, përveç mjeranëve? Ti je mbretëreshë e mëshirës e unë, mëkatari
më i madh; prej këndej, edhe më i madhi i nënshtetasve të tu”. (Shën
Bernardi i Kiaravales, De Laudibus Virginis Matris) Ajo, me që u zgjodh ab
aeterno nga Hyji për mishërimin e Shëlbuesit, që nga çasti që e pranoi Jezusin, për
virtyt të Shpirtit Shenjt, u bë edhe nënë e të gjithë njerëzve, të drejtëve e mëkatarëve,
që i luten asaj; e dashuria e Zotit për Marinë është aq e pafundme, aq e amshuar e
e ndritshme, sa Shën Alfons Maria De’ Liguori i drejtohet me këto fjalë: “Ti
do të mund të nxirrje nga Hyji hir edhe për vetë Luciferrin, në se ky shpirt krenar
do të përvuhej përpara Teje”. (Sant’ Alfonso Maria De’ Liguri, Le glorie
di Maria, cap.II)