“Ma
e para gramatikë gegnishte për shkollat shqipe” (1901). Jemi në vitin e parë të
shekullit XX, kur shoqëria “Bashkimi” në Shkodër 110 vjet më parë botoi
“Gramatika ia folmarmia shqyptare, e përmledhme me pak fjalë për përdorim t’fmive”.
Kjo shoqëri, e themeluar në vitin 1899 nga abati i Mirditës Preng Doçi, në programin
e saj kishte disa objektiva të rëndësishme në fushën e kulturës, si: hartimin e një
alfabeti të shqipes, mbështetur në atë latin dhe pranonte edhe dyshkronjëshat për
të paraqitur një tingull-fonemë. Gjithashtu ajo do të botonte një abetare, një gramatikë,
një fjalor, si edhe vepra letrare dhe fetare, tekste mësimore dhe do të nxirrte një
organ periodik. Detyrën e parë e kreu që në krijimin e saj, duke hartuar alfabetin
që njihet si alfabeti i shoqërisë “Bashkimi”, i cili u përdor nga mjaft organe dhe
shkrimtarë të dëgjuar të kohës, duke i shërbyer shoqërisë shqiptare që ajo të mos
përdorte një mori sistemesh shkrimore dhe autorët të mos përdornin alfabetin që dëshironin.
Alfabeti i autorëve të vjetër që përdorej në Shkodër nga ndonjë fletore e kohës, shkrimtar
apo në letërkëmbimin privat, nuk gjeti mbështetje dhe përhapje, ndonëse iu bënë disa
ndryshime të vogla dhe stilizim shkronjash. Alfabeti i shoqërisë “Bashkimi”, megjithëse
u përhap shpejt, nuk arriti të bëhej kombëtar. Edhe gramatika, të cilën po analizojmë,
zbatoi sistemin shkrimor të asaj shoqërie, pasi ajo e botonte këtë vepër. Ndryshe
nga shumë botime të kohës që çdo vepër fillonte me një pasqyrë të alfabetit që do
të përdorte, autori nuk e bën një gjë të tillë në fillim të saj, por, kur trajton
çështjet fonetike, shënon se alfabeti i shqipes kishte 35 shkronja: 6 zanore dhe 29
bashkëtingëllore dhe cilat ishin ato. Alfabetin e jep (që është i shoqërisë “Bashkimi”),
por pa bërë asnjë sqarim. Duket se autori e ka parë si diçka të panevojshme të mos
japë shpjegime, pasi alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” ishte publikuar dy vjet më parë. Autor
i kësaj gramatike është pranuar dom Dodë Koleci. * * * Kush ishte dom
Dodë Koleci? Famullitari dom Dodë Koleci lindi në Kallmet të Mirditës prej një
familjeje nga Selita e kësaj krahine në mes të shekullit XIX dhe vdiq në Ndërfanë
të Mirditës, më 17 shkurt 1915. Ai ka shërbyer në hierarkinë kishtare prej afër 40
vjet, si famullitar në Orosh të Mirditës, Blinisht, Kaçinar, Mnelë e së fundi kohën
më të gjatë prej 21 vjetësh e kaloi si famullitar në Ndërfanë derisa vdiq. Në të njëjtën
kohë vdiq edhe atë Anton Xanoni, mik dhe shok i ngushtë i autorit. Famullia e Ndërfanës
në atë kohë nuk kishte më shumë se 700 shtëpi. Për Pashk Bardhin, dom Dodë Koleci
qe një ndër priftërinjtë më të dijshëm të Mirditës dhe një ndër më të vlefshmit shkrimtarë
të shoqërisë letrare “Bashkimi”. Ka qenë mësuesi i Pal Treshit, krah i djathtë i Preng
Doçit. Kalendari i vitit 1919 thekson se “D.Dodë Koleci ka qenë shok i ndeztë i të
paharrueshmit Anton Xanonit në lamë të literatures, ju ba shok edhe në dekë.” Ndër
veprat me karakter gjuhësor të njohura të dom Dodë Kolecit, janë dy botime: “Gramatika
ia folmarmia shqiptare…” (1901) dhe “Fjalori i shoqërisë ‘Bashkimi’” (1908). Shoqëria
“Bashkimi” e kishte si orientim të saj të mos përmendej autori dhe të mos shënohej
viti i botimit. Dhe për këtë shënon: “Cum approbatione superiorum” (= me miratimin
e eprorëve). Atëherë kush qe autori i kësaj gramatike dhe i Fjalorit të vitit 1908?
Për këtë studiuesit e ndryshëm kanë dhënë mendime si për vitin e botimit, ashtu edhe
për autorin. Jup Kastrati, duke u mbështetur te bibliografia e Henri Gûys e vitit
1912 pranon mendimin e tij që thotë: “Ka mundësi që kjo gramatikë të jetë botuar në
Shkodër rreth vitit 1901”. Dhe këtë Kastrati e bën fakt të kryer. Edhe për sa i përket
autorit të kësaj gramatike, pranohet se është dom Dodë Koleci, mbështetur në këto
të dhëna: Revista “Përparimi” e vitit 1915, nr. 3, pra shumë afër botimit të kësaj
gramatike shkruan se “Folmarmia ase gramatika” dhe Fjalori i Bashkimit janë gadi krejt
fryti i mundit t’nder.Dom Dodë Kolecit. Pos ktyne ka lanë edhe shkrime tjera t’vjefshme
për gjuhë e letratyrë tonë”. Ky informacion i kësaj reviste shtron nevojën që të bëhen
kërkime për të gjetur edhe shkrime të tjera të këtij gjuhëtari. Një ide e tillë për
autorin dom Dodë Koleci është përsëritur edhe në Kalendarin e vitit 1919, Vepra pijore.
E përforcon një mendim të tillë edhe Pashk Bardhi në një shkrim për Pal Treshin, të
botuar në vitin 1939 te revista “Kumbona e së Diellës”. Ai shkruan: “D.Dodë Koleci
(shën.T.O.) si pjestar i ksaj shoqnije (Shoqnisë “Bashkimi”, T.O.) shkroi gramatikën
dhe fjalorin e gjuhës shqipe.” Për disa autorë është pranuar se Fjalori është fryt
i një pune të përbashkët dhe bashkëpunimi të disa anëtarëve të shoqërisë “Bashkimi”,
ndonëse dëshmi të tjera për autorësinë, siç e përmendëm, ia japin dom Dodë Kolecit,
të cilin Preng Doçi e donte dhe e çmonte shumë “për zgjuesi mendjeje, për kulture
e për zotsi ndermarrjeje”. Për Karl Gurakuqin dom Dodë Koleci është kryepërpiluesi
i Fjalorit. Edhe P.Duka-Gjini një fakt të tillë e pohon, kur shkruan: “Dihet se autori
kryesor i këtij fjalori asht dom Dodë Koleci edhe pse emni i tij nuk del në pah në
botimet e asaj kohe, ashtu si s’figuron emni i kurrnji nga anëtarët e veprave të botueme
nga ‘Bashkimi’. Kjo asht normë e rregullores s’shoqnisë vlerëplotë”. Justin Rrota
në veprën “Litratyra shqipe” (Shkodër, 1925) në rreshtimin që u bën gramatikave më
me rëndësi për gjuhën shqipe, duke nisur me gramatikën e Da Leçes të vitit 1916 e
duke vazhduar me 10 gramatika të tjera, ndalet tek “Gramatika ia folmarmia shqyptare”
e shoqërisë “Bashkimi”. Shënon vetëm vitin e botimit, 1901, por jo autorin. Ai thekson
se “Gramatika…” (T.O.) nuk ka shumë rëndësi gjuhësore “përposë se asht ma e para gramatikë
e gegnishtes për shkollat shqipe”. Për historinë e gramatikave të shqipes vlera e
saj qëndron se është gramatika e dytë shqip pas asaj të Sami Frashërit, që është më
e para gramatikë shqip, toskërisht, për shkolla. “Shkronjëtorja…” e Sami Frashërit
dallohet si nga vëllimi, ashtu edhe nga trajtimi shkencor i problemeve gjuhësore.
Vlerësimi i Rrotës pas 25 vjetësh që ishte botuar “Gramatika ia folmarmia shqyptare”,
kur mendimi gjuhësor pas shpalljes së pavarësisë, kishte filluar të ecë dhe pas vitit
1901 ishin botuar 5-6 gramatika në shqip, duhet parë me kohën kur u botua ajo, kur
ato pak shkolla në gjuhën shqipe që ishin hapur, nuk kishin fituar një fizionomi të
kristalizuar dhe kur ende nuk ishte zgjidhur përfundimisht alfabeti i përbashkët i
gjuhës shqipe. * * * A ka pasur kjo gramatikë ndonjë ndikim te pasardhësit?
Duke ditur se mendimi gjuhësor po evoluonte, ndikimi i tij mund të jetë i papërfillshëm
në gramatikat e mëvonshme. Në vitin 1909 Anton Xanoni botoi tekstin “Gramatika shqyp”
ndonëse para dhe mbas vitit 1901 kishin qarkulluar edhe gramatika të tjera, Xanoni
shënon në hyrje se “mbas gramatikave të P.Jungut, t’Folmarmes të ‘Bashkimit’ e t’
Shkrojtores së Sami Frashërit e qitme këtë tonën”. Nga kjo marrim vesh se Xanoni mund
ta ketë pasur parasysh këtë gramatikë, ndonëse teksti i tij është shumë më i gjerë,
më i plotë dhe metodikisht më i saktë dhe nga studiuesit është konsideruar “një tekst
relativisht i mirë.”. Kështu nuk mund të flasim për ndonjë ndikim, se modele mund
të merren jo vetëm nga gramatikat e botuara të gjuhës shqipe, por edhe nga gramatika
të gjuhëve të huaja. Çfarë përmban kjo gramatikë? “Gramatika ia folmarmia
shqyptare” është ndërtuar si tekst mësimor, në gegërisht për shkollat shqipe, ndonëse
në kushtet e pushtimit. Dihet se edhe në atë kohë u bënë përpjekje për të hapur shkolla
në gjuhën amtare, pavarësisht nga reprezaljet që mund të kishin autorët e tyre. Kujtojmë
vrasjen apo helmimin e shumë patriotëve shqiptarë që luftuan për përhapjen e gjuhës
dhe të shkollës. Gramatika ka gjithsej 73 faqe dhe 9 krerë. Në tri faqet e fundit
jepen termat që janë përdorur në tekst, me gjegjësen në italisht. Temat e ndryshme
shoqërohen me pyetje që duhet të përgjigjen nxënësit. Pra është një aparat pedagogjik
i thjeshtë. Ka njoftime të shkurtra për fonetikën, shumë pak për sintaksën e drejtshkrimin
dhe më shumë për morfologjinë. Fillimisht jep të dhëna se ç’është gramatika, fjalët
dhe shkronja, zanoret e shkurtra, të mesme dhe të gjata, ilustruar këta me shembuj.
Bën ndarjen e bashkëtingëlloreve sipas vendit të formimit, duke dalluar bashkëtingëllore
buztore, qiellzore, dhamtore, gryktore, fishkllore (Termat janë të autorit të gramatikës). Autori
bën edhe sqarime drejtshkrimore, si ndërmjet shkronjave t dhe s e ndërmjet t e h do
të vihet zanorja e që të mos ngatërrohet me ts dhe me th e me t të vetme. Jep shembullin
leeteshem, aviteshem, tehiek. Kështu vazhdon edhe në disa pjesë me sqarime drejtshkrimore.
Në ato pak rreshta që trajton problemet me karakter fonetik, jep të dhëna për fjalët
njërrokëshe e shumërrokëshe, dyzanoret dhe trizanoret. Theksit në gjuhën shqipe i
jep një vend më të gjerë se pjesët e tjera. Pastaj shënohen disa nga fenomenet fonetike
të shqipes dhe përdorimi i apostrofit. Dom Dodë Koleci i ka dhënë një vend fare
të vogël njohurive sintaksore, si kryefjalës, kallëzuesit, cilësorit dhe plotësorit.
Nuk i ka anashkaluar shenjat e pikësimit, duke dalluar pikën, dypikat, pikëpresjen,
pikëpyetjen, pikëçuditjen, duke përcaktuar tepër shkurt se çfarë shënojnë ato. Në
këtë pjesë janë shënuar edhe pjesët e ligjëratës, që autori dallon nëntë të tilla,
duke i ndarë në pjesë të ndryshueshme: emri, nyja, mbiemri, përemri, folja dhe në
pjesë të pandryshueshme: ndajfolja, parafjala, lidhëza dhe pasthirrma. Nuk njeh numërorin
dhe pjesëzën. Të gjitha këto janë përfshirë në hyrjen të titulluar “T’njoftme paraprake”. Kreu
i parë i kushtohet emrit, ku dom Dodë Koleci jep veçoritë e tij. Po ndalemi në ndonjë
problem të veçantë për këtë kategori leksiko-gramatikore. Autori i njeh emrit shtatë
rasa, duke përfshirë edhe rasën vendore që ai e quan vendtore: n’burret, n’mikt. Pranon
thirroren (e quan thirrtore) o burrë, ngatërron paradigmat e emrit, duke njëjtësuar
të shquarën me të pashquarën në gjinore, dhanore dhe rrjedhore dhe gjinoren nga dhanorja. Nyja
është trajtuar fare shkurt në kreun e dytë ku gabimisht është përfshirë edhe parafjala
prej. Në kreun e tretë dhe të katërt trajton mbiemrin dhe përemrat. Ndërsa në kreun
e pestë trajton foljen që i ka dhënë vend më të gjerë në tekst, gati gjysmën e librit
f. 23-65. Për foljen pranon gjashtë mënyra të shtjelluara, duke përshirë kushtoren
dhe habitoren dhe tri të pashtjelluara: pjesoren, paskajoren dhe përcjelloren. Për
dëftoren pranon tetë kohë, ndërsa për urdhëroren dy kohë: të tashmen dhe të ardhme?
Tek lidhorja përfshin edhe lidhore-habitoren, ndërsa për kushtoren shënon se ajo ka
gjashtë forma të cilat nuk i përkasin të gjitha kësaj mënyre, kur dimë që ajo ka dy
kohë të tashmen dhe të kryerën. Habitores i njeh një kohë, ndërsa dëshirores katër.
Nuk është e vështirë për të kuptuar se autori i ka ngatërruar kohët e foljeve të mënyrave
të ndryshme. Dallon tri zgjedhime, ndarjen e të cilave i bën duke u mbështetur te
paskajorja gege. Zgjedhimi i parë përfshin ato folje që dalin me togzanor: me mësue,
folet e zgjedhimit të dytë dalin me të: me avitë, ndërsa i treti me çfarëdo mbarese
në bashkëtingëllore: me lidhë. Foljet të cilat pësojnë ndryshime fonetike, i quan
të parregullta, si: shoh, marr, ha, them etj. Paradigmat e foljeve të parregullta
i ka dhënë në formë tabelash sipas mënyrave të foljeve. Fillimisht jep zgjedhimin
e foljeve kam e jam. Pastaj paraqet format pësore dhe vetvetore të foljeve, sipas
autorit, vetëm me foljen ndihmëse jam. Jepen edhe paradigmat në këtë formë që sot
nuk përfshihen në sistemin foljor të shqipes. Nuk janë shënuar edhe ndërtimet joveprore
me mbaresa të veçanta dhe me formantin u. Katër krerët e tjerë, gjashtë deri në
nëntë u kushtohen pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës, duke filluar me parafjalët.
Kur autori flet për parafjalët i ndan në të vendit, të kohës, të shoqnisë dhe të mënyrës?! *
* * Siç e shënuam në fillim të këtij shkrimi, në tri faqet e fundit janë shënuar
termat e përdorur në tekst. Jup Kastrati edhe këtë tekst e ka përfshirë në monografinë
“Për historinë e gramatikave të shqipes”, Prishtinë, 1980, f. 242-244. Ai shënon se
vlera e këtij libri qëndron në përdorimin e terminologjisë gjuhësore. Tek ky fjalorth
duhet të veçojmë se çfarë termash gjuhësorë i takojnë kësaj gramatike dhe çfarë u
takojnë autorëve paraardhës dhe çfarë mund të ketë mbetur. Theksojmë se jo të gjitha
fjalët e shënuara në fjalorth janë terma gjuhësorë. Ndonëse vlera e kësaj gramatike
nuk është e madhe, pasi ka edhe interpretime jo të sakta dhe në disa raste edhe gabime,
por ne mund të zbulojmë se në ç’shkallë ishte mendimi gjuhësor një shekull më parë
dhe mund të marrim ndonjë të dhënë me interes dialektologjik për atë kohë për krahinën
që përfaqëson kjo gramatikë. Vlerësimi duhet parë gjithashtu edhe me përgatitjen filologjike
që ka pasur autori i saj. Nuk dimë nëse autori i ka njohur botimet me karakter gjuhësor,
që kanë qarkulluar para tij, gjë që është e ditur se ka pasur, pasi gramatika nuk
ka të dhëna të tilla. Është detyrë e obligim i brezave që të vlerësohet puna e
paraardhësve në kushtet e pushtimit, pavarësisht nga vlerat ose jo vlerat që mund
të kenë. Me këtë sens duhet parë edhe “Gramatika ia folmarmia shqyptare, e përmledhme
me pak fjalë për përdorim t’fmive” e dom Dodë Kolecit. Shkruan Prof.dr. Tomor
Osmani Universiteti i Shkodrës Botuar në Revista e kryedioqezës metropolitanie
Shkodër- Pult “Kumbona e së Diellës”, nr.3/4 mars – prill 2012