2012-05-11 16:47:01

Benedikti XVI Veprave Misionare Papnore : fushatë botërore e Rruzares për ungjillëzimin.


Në ditët tona, misioni ka nevojë për lutje më të shpeshta: këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën e sotme, në Vatikan, duke pritur përfaqësuesit e Veprave Misionare Papnore (Pom), kryesuar nga prefekti i Kongregatës ‘Propaganda Fide’, kardinali Fernando Filoni. Papa inkurajoi projektin e Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, që parashikon organizimin e fushatës së Rruzares, për t’i dhënë nxitje të re kumtimit të Ungjillit. Ripohoi, më pas, se çdo njeri e çdo popull ka të drejtë ta marrë lajmin e mirë, Ungjillin e së vërtetës.RealAudioMP3

Misioni sot ka nevojë ta përtërijë besimin në veprimin e Zotit, ka nevojë për lutje më të dendura: këtë nënvizoi Benedikti XVI, që e inkurajoi me kënaqësi projektin e Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve dhe të Veprave Misionare Papnore, për të dhënë ndihmesën e tyre në Vitin e Fesë:
“Ky projekt parashikon një fushatë botërore që, përmes lutjes së Rruzares Shenjte, të shoqërojë veprën e ungjillëzimit në Botë e, për shumë të pagëzuar, rizbulimin dhe thellimin e fesë”.
Papa kujtoi se kumtimi i Ungjillit shpesh herë shoqërohet me vështirësi e vuajtje. Edhe në këtë fazë ndryshimesh politike, ekonomike e kulturore, vërejti Shenjtëria e Tij, lajmëtarët e Ungjillit, që kumtojnë shpresën e paqen, vijojnë të ecin në udhën e Kalvarit, duke u persekutuar, ashtu si Zoti:
Por, pavarësisht nga problemet dhe realiteti tragjik i persekutimit, Kisha nuk e humbet guximin, mbetet gjithnjë besnike ndaj mandatit të Zotit të vet, me vetëdijen se, ashtu si gjithnjë në historinë e krishterë, martirët, domethënë dëshmitarët, janë të panumërt e të domosdoshëm në udhën e kumtimit të Ungjillit”.
Ripohoi, në vijim, se Jezusi, “fytyra njerëzore e Hyjit”, duhet të jetë gjithnjë qendra e kumtimit në veprimtarinë misionare të ungjillëzimit. Çdo njeri e çdo popull, shtoi Papa, ka të drejtë ta marrë Ungjillin e së vërtetës:
Ungjillëzimi, që ka gjithnjë karakter urgjent, në këto kohë e nxit Kishën ta shpejtojë hapin nëpër udhët e botës, për ta ndihmuar çdo njeri ta njohë Krishtin”.
Vetëm në të Vërtetën, që është vetë Krishti, kujtoi Papa, njeriu mund të zbulojë kuptimin e jetës, të gjejë shpëtimin, të rritet në drejtësi e paqe. Së fundi u drejtoi fjalë inkurajimi të gjithë atyre, që impenjohen në vijën e parë të frontit, në përpjekjen për gjallërimin e veprimtarisë misionare dhe për formimin e misionarëve. Papa i porositi:
“Të jini gjithnjë shprehje e dukshme e konkrete e bashkimit të njerëzve e të mjeteve ndërmjet Kishave që, si enë kumunikuese, jetojnë të njëjtën thirrje e të njëjtin tension misionar e, në të katër anët e tokës, punojnë për të mbjellur Fjalën e së Vërtetës në të gjithë popujt e në mbarë kulturat”.Në përfundim, Benedikti XVI i ngushëlloi të pranishmit për humbjen e atë Masimo Çençit, zëvendës-sekretar i ‘Propaganda Fide”, që ndërroi jetë papritmas mbrëmë. Zoti, tha Papa, ia shpërbleftë për gjithë punën, që ka bërë në mision e në shërbim të Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.