2012-05-10 10:23:35

Më 10 maj kalendari përkujton shën Jobin


Jobi, figurë tepër e njohur në Bibël e në traditën e krishterë si model i shenjtërisë dhe i durimit, lindi e jetoi në viset e Husit, të cilat shumë autorë i identifikojnë me zonën ndërmjet Idumesë e Arabisë veriore. Gjithçka të bind se ai nuk ishte hebré, por thjeshtë “njeri i drejtë që jetonte me frikën e Zotit”. Prej Shkrimit Shenjt mësojmë se ishte njeriu më i pasur i Lindjes: kishte deve, qé, gomerë e skllevër të panumërt. Ishte në kulmin e pasurisë dhe të lumnisë, kur papritmas i ranë mbi kokë fatkeqësi të tmerrshme njëra pas tjetrës. Në një kohë tepër të shkurtër humbi gjithçka kishte: pasuri, skllevër, bij e bija. Të thjeshta e kuptimplote fjalët që tha, kur e pa veten duke u rrogomisur nga kulmi i begatisë në greminën e mjerimit: “Jahveh m’i dhuroi e Jahveh m’i mori. Bekuar qoftë emri i Jahveh!”.
Sikur të mos mjaftonin gjithë këto kobe, ashtu i mjerë e i vetmuar, u prek nga një sëmundje që ia shndërroi gjithë trupin në plagë. Por ai s’e humbi duresën, as atëherë kur e shoqja, që ishte ende gjallë, nisi të tallej keqas me të. I dëbuar nga shtëpia, u detyrua t’i kalonte ditët maje një grumbulli plehrash. Aty e gjetën tre miqtë e tij të ngushtë të cilët, të njoftuar për mjerimet që i kishin rënë mbi kokë, vrapuan ta ngushëllonin. Ishin Elifazi Temianit, Baldadi Suhit dhe Safari Naamatit. Këtu, në Librin e Jobit, një nga librat e Shkrimit Shenjt, nis një dialog tepër i gjatë ndërmjet tyre. Diskutohet me frymë të lartë poetike për problemet më të mprehta e më fisnike që kanë munduar mendjen njerëzore në shekuj: për zanafillën e dhimbjes në botë, për lidhjen ndërmjet njeriut e Zotit, lumninë e fatkeqësinë, për fatin e njeriut dhe kuptimin e jetës së tij.
I pari e merr fjalën Jobi i cili, në një monolog sinqerisht dramatik, shfren gjithë dhimbjen që e bren, duke mallkuar ditën kur lindi e duke i bërë vetes pyetjen e përjetshme: “Pse vjen njeriu në jetë, kur është i dënuar të jetë fatkeq!”. Atë çast ai nuk e di se është djalli që e ka vënë në një provë, të cilën Zoti e ka lejuar, duke pasur besim të patundur në duresën e Jobit. Prova është e gjatë dhe e vështirë. Asaj i kushtohet pjesa kryesore e Librit të Jobit. E fjala e fundit i takon pikërisht Zotit. Atëherë Libri i Jobit i afrohet me shpejtësi fundit. Jeta e Shenjtit që përkujtohet sot, pas provës, përmblidhet në pak vargje (42. 11-17). Zoti ia shpërblen durimin. Ia kthen rishtas të gjitha pasuritë. I fal shtatë bij e tri bija e i jep jetë të gjatë e të lume derisa vdes në moshën 140 vjeç, i ngopur me të mira e me ditë. Emri Job vjen nga hebraishtja e do të thotë “Njeri i persektuar, që i duron të gjitha fatkeqësitë".







All the contents on this site are copyrighted ©.