2012-05-09 13:48:31

Të rinjtë shënojnë 950 vjetorin e dioqezës së Sapës


Dioqeza e Sapës vazhdon kremtimet për Vitin Jubilar të 950 vjetorit të themelimit 1062-2012. Kështu, të shtunën e kaluar më 5 maj, pranë kuvendit të murgeshave karmelitane në Karmel të Nënshatit, u mbajt takimi dioqezan i të rinjve me temën “Gëzohuni përherë në Zotin”. Në këtë ngjarje përkujtimore e kremtore u kujtuan edhe 5 martirët e dioqezës së Sapës së bashku me martirët tjerë të Kishës shqiptare. Kujtojmë se kremtimet Jubilare të 950-vjetorit të themelit të kësaj dioqeze të lashtë shqiptare, kanë filluar më 5 janarin e kaluar me kremtimin e Meshës në Katedralen e së Lumes Nënë Terezë në Vau-Dejës. Po t’i kthehemi kremtimeve të së shtunës e të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit.......RealAudioMP3 “GËZOHUNI GJITHMONË NË ZOTIN”
Takimi i Rinisë Dioqezane - Sapë
Ndërsa po përjetojmë vitin e hirit të Zotit gjatë këtij Jubileu Dioqezan, në kuadër të 950 – vjetorit të themelimit të Dioqezës së Sapës, tjetër ngjarje e rëndësishme e shoqëron këtë jubile. Të shtunën që sapo lamë pas, u mbajt takimi i Rinisë Dioqezane të Sapës në Karmel- Nënshat, me pjesëmarrjen e qindra të rinjëve nga famullitë e kësaj dioqeze. Tema e kësaj dite ishte ajo e Atit të Shenjtë, Benediktit XI drejtuar të rinjëve për ditën e 27 Botërore të Rinisë 2012, me titull: “Gëzohuni gjithmonë në Zotin”.
Së bashku me këto të rinjë gëzuan në këtë ditë edhe ipeshkëvi i vendit imzot Lucjan Avgustini, meshtarë të tjerë dhe motrat që shërbejnë në dioqezë. Të bashkuar në lutje në këtë vend historik nga është dhe zanafilla e Dioqezës sonë të Sapës, takimi i kësaj dite filloi me proçesionin drejt Karmelit duke përjetuar këto momente me pesë martirët tanë siç ishin: Fran Mirakaj (laik), dom Ndoc Suma, atë Daniel Dajani, dom Luigj Prendushi, dom Gjon Gazulli, të cilët xhelatët e diktaturës komuniste, disa vite më parë i mbytën për së gjalli, i pushkatuan, i masakruan në turturat me çnjerëzore që koha ka njohur.
Proçesioni u ndoq me përvujtëri nga të gjithë të pranishmit dhe u shoqërua me lutje, këngë dhe pjesë nga jeta dhe vepra e tyre meshtarake, për t’i lënë vend pastaj kremtimit eukaristik pranë kuvendit të Motrave Karmelitane, pikërisht në rrënjët e vjetra të kësaj dioqeze, që dikur ishte selia e ipeshkvisë së Sapës, ndërsa sot i gëzohemi realitetit të ri, atij të pranisë së motrave të jetës së Klauzurës, motrave karmelitane, të cilat me sakrificë dhe lutje çdo ditë i drejtohen Zotit për popullin dhe vendin tonë.
Mesha e Shenjtë u kryesua nga bariu i kësaj grigje imzot Lucjan Avgustini, që duke iu referuar kësaj dite, gjatë homelisë së rastit përcolli disa mendime të Atit të shenjtë drejtuar të rinjëve me thirrjen “Gëzohuni gjithmonë në Zotin”, sepse duke pranuar Zotin në jetën tonë ne përjetojmë forcën e madhe tërheqëse që ka në një botë të shënjuar shpesh nga trishtimi dhe shqetësimet. Hyji është burimi i gëzimit të vërtetë. Gëzimi i krishterë është të çelemi ndaj kësaj dashurie të Hyjit dhe t’i përkasim Atij. Ipeshkëvi theksoi gjithashtu se ju të rinjë të dashur duhet të jeni misionarë entuziaztë të ungjillëzimit të ri! Atyre që vuajnë, atyre që janë në kërkim, çojuni gëzimin që Jezusi dëshiron të dhurojë. Çojini në familjet tuaja, në shkollë, në punë, në grupet e miqve, kudo që të jetoni. Dhe në përfundim të kësaj fjale të rastit, Imzot Lucjani përcolli porosinë e Ipeshkvinjëve të Shqipërisë, të cilët me një letër baritore me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë të vendit tonë, u bëjnë thirrje të rinjëve se “ju jeni e ardhmja e shoqërisë, e atdheut tonë dhe e Kishës. Entuziazmi i juaj, dëshirat tuaja, freskia dhe bukuria e ëndrrave tuaja janë shenjat e dhuratave të Hyjit. Jini njerëz të virtytshëm, shërbejini atdheut tonë të dashur, mos e braktisni atë! Atdheu ka nevojë për ju, përfundon letra e barinjëve shpirtërore të Shqipërisë. Gjatë kremtimit përveç lutjeve personale që secili i ri apo e re ia dërgoi Zotit, zunë vend edhe lutjet për martirët tanë që dhanë jetën për Krishtin.
Kujtojmë se në listën e martirëve të Kishës Katolike shqiptare nuk janë 5, por janë 40 martirë, ku 38 prej tyre janë viktima të diktaturës komuniste në Shqipëri, 1 viktimë e kohës së Zogut dhe 1 tjetër viktimë e dhunës serbe në Kosovë. Ndaj kujtimi i martirëve për secilin prej nesh vë në dukje fenë e gjallë të popullit tonë, besimin e prindërve tanë në Zotin, dëshminë guximtare, madje heroike të shumë personave që dhanë për Krishtin, si dhe traditën e bashkëpunimit vëllazëror e të harmonisë fetare, shembull për të gjithë Ballkanin e botën. E me plot gojë mund të themi se Kisha shqiptare shkruhet me shkronja të mëdha në librin e artë të Martirologut të shekullit XX. Duke vështruar Krishtin e Kryqëzuar, nuk duhet t’i harrojmë fjalët e Tij: “Shërbëtori nuk është më i madh se zotëria. Në se më persekutuan mua, do t’ju persekutojnë edhe juve!” Dhe të rinjtë e kësaj dite, besimtarë e bijë të kësaj toke, të lame me gjak në shekuj, kemi arsye të krenohemi me këta martirë e të ecim në gjurmët e tyre që të mund të jemi sa më afër Krishtit në jetën tonë të përditshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.