Trashëgimia e shën Françeskut për ungjillëzimin e ri: imzot Eteroviç dhe atë Kantalamesa.
“Ungjillëzimi i ri dhe frymëzimi françeskan”: për këtë u fol në një ditë studimi,
organizuar nga Instituti Françeskan i përshpirtërisë, në kuadrin e Sinodit të ardhshëm
të Ipeshkvijve, që do të mbahet tetorin e ardhshëm, me temë: “Ungjillëzimi i ri për
përçimin e fesë së krishterë”. Ndërmjet referuesve, ishin edhe imzot Nikola Eterovic,
sekretar i përgjithshëm i Sinodit dhe atë Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë
Papnore.
“T’u jepet përgjigja e duhur shenjave të kohës, të promovohet një
kulturë e rrënjosur më thellë në Ungjill”: ky është ungjillëzimi i ri, sipas Lineament-ës
së Sinodit të ardhshëmn të Ipeshkvijve e kjo, edhe sfida për familjen e madhe të
krishterë, Kishën, që përfshin urdhëra rregulltare e të jetës së shuguruar, por edhe
të rinj, laikë, lëvizje kishtare. Të gjithë janë të thirrur për të qenë protagonistë
të një mënyre të re të kumtimit të Krishtit e të përhapjes në botë të gëzimit, i
cili buron në zemrën e njeriut, kur e ndjen veten bir të Zotit, ashtu si dinte të
bënte Shën Françesku. Po ç’ndihmesë mund të japë sot përshpirtëria françeskane për
ungjillëzimin e ri? Të dëgjojmë atë Kantalamesën, predikatar i Shtëpisë Papnore,
françeskan kapuçin: “Do të thosha se Shën Françesku është ungjillëzues në të
gjitha fushat. Mjafton të mendojmë se lëvizte në mjedisin më popullor, që mund të
përfytyrohet, në fshatrat e Umbries, të Markeve e të Lacios. Pastaj, dalngadalë, e
hapi rrezen e ndikimit të vet, për të arritur në Francë e në vende të tjera; madje
nisi edhe dialogun ndërfetar. Nuk duhet harruar se Françseku është i pari, që shkoi
të fliste me sulltanin e Egjiptit. Shkoi si mik, jo si kryqëtar. Prej këndej, për
ne, françeskanët, është burim frymëzimi e, besoj se ndihmesa jonë sot duhet të jetë
të mos vemë në qendër të gjithë kësaj përpjekjeje një ide, një strategji, por vetë
Jezu Krishtin: Jezu Krishti na e shpjegon gjithçka, Françeskun, burimin e tij të
frymëzimit, përtëritjen e tij personale, veprimtarinë e tij, urdhërin, që themeloi.
Është, prandaj, tejet e nevojshme ta rivendosim në qendër të ungjillëzimit Jezu Krishtin,
jo si kujtesë historike, por si Vetje, si Krisht të gjallë, që e njohim vetëm në Shpirtin
Shenjt. Ndoshta mund të duket e çuditshme, por duhet thënë se Jezusi është mënjanuar
nga kuvëndimi aktual: në dialogun me shkencën, Jezusi mungon. Mungon edhe në filozofinë,
që merret me koncepte metafizike, jo me persona historike; e, natyrisht, mungon edhe
në dialogun ndërfetar, sepse gjë që ndan, ndërsa feja e krishterë është besim në Jezusin,
në Krishtin e vdekur e të ngjallur. Françesku na ndihmon të veprojmë në mënyrë të
tillë, që forca shtytëse, e heshtur a e shprehur, e të gjithave, të jetë Jezu Krishti”. Ashtu
si Françesku, 800 vjet më parë, edhe të rinjtë françeskanë sot, duhet ta pranojnë
mandatin, që i Kryqëzuari i Shën Damianit ia pati besuar Atit Serafik: “Shko e ndreqe
shtëpinë time!”, me guximin e të krishterëve të parë, duke thelluar vazhdimisht lidhjen
me Zotin. Detyra e ne, të krishterëve, përballë ungjillëzimit të ri, është të çojmë
kudo shpresë, të bëjmë autokritikë, të jemi të bashkuar në përçimin e fjalës së Zotit,
duke pranuar të ballafaqohemi edhe me ateizmin më agresiv e me shekullarizmin më fanatik.
Po cilat janë skenaret, ku duhet të veprojë ungjillëzimi në Mijëvjeçarin e tretë
të krishterë? Të dëgjojmë Imzot Nikola Eterovic, sekretar i përgjithshëm i
Sinodit të Ipeshkvijve: “Në Lineamenta, apo në planin përgatitor të punës, flitet
për skenare të ndryshme, si shekullarizimi, emigracioni, sfida e mjeteve të komunikimit,
skenari ekonomik, në këtë çast të krizës globale, skenari politik, por veçanërisht,
skenari antropologjik, sepse përballë vizionit të krishterë të njeriu, krijuar sipas
shembëlltyrës së Zotit, tani propozohen vizione të tjera, që synojnë ta reduktojnë
njeriun, ta shkëpusin nga Zoti, domethënë, nga aspekti themelor, duke e bërë të harrojë
se u krijua pikërisht për të dashur Zotin e të afërmin e për t’u realizuar në lidhje
me të tjerët. Pastaj kemi edhe skenarin fetar, që mund ta ndajmë në skenar ekumenik,
domethënë të dialogut me kishat e bashkësitë e krishtera që, me ndihmë të Zotit, pas
Koncilit II të Vatikanit ka dhënë shumë fryte, e në dialog ndërfetar. Në këtë drejtim,
Kisha ka bërë hapa të mëdha përpara. Mjafton të mendosh për dialogun me Islamin në
disa vende të Lindjes së Mesme, por edhe në vende të tjera të Azisë e të Afrikës.
E jo më pak, edhe në vendet tona Perëndimore”. Prej këndej, theksohet se feja
duhet transmetuar sipas shembullit të Shën Françeskut e të shumë shenjtorëve të tjerë,
por edhe sipas shembullit të familjeve, të edukatorëve e të ungjillëzuesve, që janë
dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit, i cili duhet rrënjosur në mënyrë të re, në një
botë të re, që ndryshon vazhdimisht.