2012-05-09 16:11:17

Pjetri ka besim në Zotin. Në audiencë të përgjithshme Papa flet për lirimin e shën Pjetrit nga burgu. Edhe mua në prova më ndihmon lutja e besimtarëve


Lutja e Kishës më ndihmon, posaçërisht në çaste të vështira: këtë pohoi Benedikti XVI sot paradite, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Katekizimin ia kushtoi lirimit të mrekullueshëm të Shën Pjetrit, në Jeruzalem, sipas rrëfimit në Veprat e Apostujve.
Si Pjetri, ashtu edhe Pasardhësi i tij, gjen forcë në lutje. Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI u ndalua në mënyrë të veçantë tek episodi i fundit i jetës së Shën Pjetrit, sipas rrëfimit në Veprat e Apostujve: lirimi nga burgu në Jeruzalem, falë ndërhyrjes së mrekullueshme të Engjëllit të Zotit. Papa përshkroi sjelljen e Pjetrit në pranga. Ai është krejt i qetë, kujtoi Ati i Shenjtë, sepse ia ka besuar gjithnjë vetveten Zotit. E di mirë edhe se mund të mbështetet në lutjen e bashkësisë: lutje e thënë me gjithë zemër dymijë vjet më parë, që këputi prangat, hapi dyert e hekurta dhe e liroi mrekullisht Apostullin. Lutje, që vijon në shekuj. Dymijë vjet më pas, Benedikti XVI jeton të njëjtën përvojë:
“Edhe unë, që nga çasti i parë i zgjedhjes si Pasardhës i Shën Pjetrit, e ndjeva gjithnjë pranë ndihmën, që më vinte nga lutja e Kishës, nga lutja juaj, posaçërisht në çastet më të vështira. Ju falënderoj me gjithë zemër. Përmes lutjes së përhershme e besimplote, Zoti na liron nga zinxhirët, na prin për të dalë nga të gjitha netët e robërisë, që mund ta torturojnë zemrën tonë, na jep qetësinë e shpirtit për t’i përballuar vështirësitë e jetës, edhe atëherë kur na mohojnë, na kundërshtojnë, na persekutojnë”.
Qetësia e besimi, pohoi Papa, janë dy ndjesitë, që pushtojnë zemrën e Shën Pjetrit para rrezikut të vdekjes. Apostulli e ndjen veten të qetë, të vetëdijshëm se është i rrethuar nga solidariteti e nga lutja e të vetëve e kështu, duke harruar gjendjen në të cilën ndodhet, lëshohet plotësisht në dorë të Zotit:
“Kështu duhet të jetë edhe lutja jonë: e pareshtur, solidare me të tjerët, plot besim në Zotin, i cili na njeh deri në fund të shpirtit e kujdeset për ne aq, sa - thotë Jezusi - deri flokët e kokës suaj janë të numëruara prej Tij një për një”.
Në përvojën e bashkësisë së Jeruzalemit, vërejti në vijim Benedikti XVI, mund të shikojmë se dëshmia zbehet, në se nuk frymëzohet, nuk ndihmohet e nuk shoqërohet nga lutja, nga vijimi i dialogut të gjallë me Zotin:
“Një rikujtim i rëndësishëm edhe për ne, për bashkësitë tona, që nga më të voglat, si familja, deri tek më të mëdhatë, si famullia, dioqezi, Kisha mbarë”.
Kështu u shpreh Papa, duke shtuar se nuk duhet ta lëmë veten në mëshirën e pasioneve, nuk duhet të lejojmë të shtypemi nën thundrën e diktaturës së dëshirave tona, të egoizmit tonë. Në se duam të shpëtojmë nga gjithë kjo barrë e rëndë, që na shkarkon mbi supe bota, gjëja kryesore është të mësojmë t’i lutemi mirë Zotit. Na e dëshmon këtë Shën Pjetri, në Jeruzalem, në Kishën ku Zoti e vuri si shkëmb:
“Ai provon se njeri vërtet i lirë, është vetëm ai, që ndjek Jezusin, që mbështillet nga drita vetëtitëse e Ngjalljes e që, prej këndej, mund të dëshmojë, deri në martirizim, se Krishti u ngjall”.
Lirimi i Pjetrit flet qartë për forcën e lutjes. Apostulli, përfundoi Papa, e ndjen veten të qetë, të sigurtë, me sigurinë e njeriut, që e di se nuk është kurrë vetëm. Bashkësia lutet për të, Zoti është pranë:
“Lutja e vazhdueshme dhe e njëzëshme është mjet i çmuar edhe për të kapëcyer pengesat, që mund të ndeshim në shtigjet e jetës, sepse bashkimi i thellë me Zotin na bashkon thellësisht edhe me të tjerët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.