2012-05-09 13:16:46

Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen: duhet mbështetur një rrjet botëror për luftën kundër trafikut të njerëzve


Olimpiada e Londrës 2012 është rasti për t’iu kundërvënë prirjes së konsoliduar, që dëshmon për rritjen e shfrytëzimit të prostitucionit gjatë ngjarjeve të mëdha sportive. Këtë rrezik denoncoi dje, kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë dhe Paqen, kardinali Peter Turkson, në fund të konferencës mbi fenomenin dramatik të trafikut të njerëzve, organizuar në Vatikan, së bashku me Zyrën për Politikat e Emigracionit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Anglisë dhe Uellsit.
Sipas statistikave, viktimat e këtij trafiku janë rreth 2,4 milion e kanë të bëjnë kryesisht me vende si Lituania, Nigeria, Tajlanda, Afrika e Jugut, SHBA-të dhe Evropa, përfaqësues të të cilave morën pjesë në konferencë. Kardinali Peter Turkson theksoi se për të luftuar këtë plagë, duhen mbrojtur të drejtat themelore të njeriut e duhet punuar për kthimin e zemrave:
“Gjëja e parë, që mund të vërejmë, është shtrirja e problemit. E nëse problemi është botëror, zgjidhja duhet të përfshijë të gjithë, në një lloj ‘rrjeti’ ku të bëjnë pjesë Kisha, forcat e rendit e të gjithë ata, që mund të na ndihmojnë. OKB-ja ka rregulla e norma në këtë fushë, por pse nuk funksionojnë? Nuk kanë rezultat, sepse së pari, duhet ndryshuar zemra e mendja. Viti i ungjillëzimit është një mundësi në këtë drejtim”.
Prostitucioni, shfrytëzimi në punë, torturat, janë vetëm disa nga format rrënqethëse të trafikut të njerëzve. Konferenca vuri gishtin në plagën e varfërisë, e cila shumë lehtë kthehet në “serbator shfrytëzimi”. Ç’mund të bëjë Kisha për ta parandaluar këtë fenomen? Ndër rrugët e përvijuara, mbështetja baritore dhe rehabilitimi i viktimave, 79% e të cilave shfrytëzohen për qëllime seksuale. E pranishme në konferencë, pikërisht njëra nga vajzat e shfrytëzuara si prostituta. Anglezja Sofi Hejes, e gënjyer nga i fejuari, u hodh në rrugë me kercënime e keqtrajtime. Tregoi si doli nga kjo gjendje, me ndihmën e Kishës. Të dëgjojmë motër Eugjenia Bonetin, murgeshë, përgjegjëse e Zyrës për Trafikun e grave dhe të fëmijëve pranë Bashkimit të Eproreve të Italisë, shprehje e impenjimit katolik:
“Ne duam ta lidhim ligjin – që është shumë i rëndësishëm – me kujdesin për njerëzit. Viktimat kanë nevojë të rigjejnë rrugën e jetës, sidomos kur poshtërohen, shiten e blehen. Personi ka nevojë të rizbulojë bukurinë e vetvetes, vlerën e tij si qenie njerëzore, dinjitetin e tij. Vajzat duhet ta kapërcejnë idenë se janë vetëm mall, se mund të shesin vetëm trupin e tyre, e duhet të kuptojnë se janë diçka shumë më e madhe e shumë më e bukur. Pra, shërbimi ynë për t’i rehabilituar e për t’i interguar ato në shoqëri, duhet të ketë parasysh se këto vajza, megjithëse janë shfrytëzuar deri në palcë, kanë dëshirë të jashtëzakonshme ta konsiderojnë veten sërish njerëz, me aftësi, me të ardhme, me zotësi për të kontribuar në shoqëri, në familje e në Kishë”.
Duke folur për Olimpiadën e Londrës, që do të zhvillohet këtë vit, nga 27 korriku më 12 gusht, kardinali Turkson kërkoi të tregohet kujdes për të zbuluar trafikantët e për t’i ndihmuar njerëzit të mos bien në kurthin e tyre. E denoncoi lidhje me institucionet, që shpesh i detyrojnë viktimat të mos i besojnë askujt e ta kenë shumë të vështirë të dalin nga trafiku:
“Nganjëherë, trafikantët maskohen si policë, ose si roje kufiri. Viktimat, e mashtruara në këtë mënyrë, nuk dinë te kush të shkojnë, kanë frikë të denoncojnë. Kisha është një mundësi, një lidhje për shpëtim. Gjatë rrëfimit, ose thjesht, duke folur me dikë, mund të nisë një rrugë, e cila, siç ka ndodhur shpesh, çon jashtë skllavërisë”.
Të gjithë të pranishmit në konferencën ndërkombëtare vunë në dukje nevojën për impenjimin më të madh të qeverive në frontin e brendshëm e të jashtëm. I qartë, paralajmërimi i kryeipeshkvit të Abuxhës, në Nigeri, ku trafiku i vajzave për prostitucion gjen shpesh lëndën e vet të parë. Ja ç’tha imzot Xhon Olorunfemi Onajekan:
“Të shkatërrosh jetën e tjetrit nuk është vetëm krim. Është kundër vetë Zotit. Njeriu, që bën diçka të tillë, duhet të mendojë për fëmijët e vet. Frika nga gjyqi e nga gjykatësi nuk mjafton për ta ndalur atë, që dëshiron të bëjë keq. Duhet gjetur mënyra për t’i folur ndërgjegjes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.