2012-05-09 16:12:16

Katekizmi i Kishës Katolike, 20 vjet pas botimit. Flet kardinali Erdë.


Paradite, në Sallën Markoni të Radio Vatikanit, kardinali Peter Erdë paraqiti para gazetarëve Kongresin XII evropian për katekizmin, që po zhvillohet në Romë, nga data 7 deri më 10 maj. Gjithashtu, të pranishmit u njoftuan për faqen e re të internetit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane dhe për një sondazh mbi përhapjen e Katekizmit të Kishës Katolike, 20 vjet pas botimit. Ta dëgjojmë vetë kardinalin, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit, në mikrofonin tonë:
Katekizmi i Kishës Katolike dhe botimi i tij ka qenë ngjarje e madhe në historinë e Kishës. Të gjitha konferencat ipeshkvnore e kanë përkthyer menjëherë, duke shtuar edhe ndryshimet e mëvonshme. Në disa vende, janë shitur miliona kopje e katekizmi mësohet edhe në shkolla. Madje diku, Përmbledhja e Katekizmit është shpërndarë edhe në supermarkete. Natyrisht është botuar edhe katekizmi për shkollat, për secilën prej klasave. Për shembull, në Hungari, për herë të parë, pas Luftës II Botërore, arritëm të botojmë 12 edicione, një për secilën prej klasave, bazuar në Katekizmin e Kishës Katolike, por përshtatur nga ana pedagogjike. Qe sukses i madh.
Na flisni pak për faqen e re të internetit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane…
Në vitin 2008, gjatë asamblesë sonë të përgjithshme, u propozua të krijohej një faqe interneti për të lidhur të gjitha konferencat ipeshkvnore të kontinentit. Duke filluar nga dita e sotme, kjo faqe është realitet. Përmbajtja e saj nuk caktohet nga një redaksi qendrore, por nga çdo konferencë, e cila ka përgjegjësi të veçanta për këtë punë. Kemi dy përgjegjësa teknikë – njëri në Sarajevë të Bosnjës dhe tjetri në Spanjë – që janë të rinj shumë të kualifikuar. Çdo gjë, që vendoset në internet nga konferencat e veçanta, përkthehet automatikisht në 32 gjuhët evropiane. Kjo është e rëndësishme, sidomos kur publikohet diçka në një gjuhë pak të njohur, siç mund të jetë ajo hungareze, për shembull.







All the contents on this site are copyrighted ©.