2012-05-08 15:55:22

Qyteti italian Areco pret me shpresë Papën.


“Krenari e shpresë”: ky është binomi, që karakterizon frymën me të cilën qyteti italian i Arecos pret Papën Benedikti XVI, në vizitën e tij të parë në Toskanë, të dielën e ardhshme. Atin e Shenjtë do ta presë vetë kryeministri Mario Monti. “Kemi shpresë se bashkësia jonë do të dijë të gjejë, në fjalët e Papës, nxitjen për zhvillim”, shpjegon në mikrofonin tonë, kryetari i bashkisë së Arecos, Xhuzepe Fanfani:
Jemi impenjuar maksimalisht dhe i kemi kushtuar vizitës vëmendjen më të madhe, por administratorët janë disi të shqetësuar. Ka shumë vite, që nuk ndodh një ngjarje kaq e rëndësishme. Prania e Atit të Shenjtë pastaj, krijon gjithmonë një atmosferë të veçantë për besimtarët dhe tërheq vëmendjen e atyre, që nuk besojnë.
Në këtë moment, Areco, si shumë qytete të tjera, e ndjen jashtëzakonisht krizën ekonomike…
Areco është zhvilluar shumë në nivelin industrial, pas luftës, por tani e ndjen më tepër se të tjerat, krizën ekonomike, e cila e ka mbërthyer si me darë krejt sistemin prodhues. Në këtë krizë, njerëzit presin e shpresojnë, prandaj, prania e Papës kontribuon në forcimin e shpresës për të ardhmen.
Por Areco ka edhe mundësi të mëdha, apo jo?
Pas luftës, Areco kishte vetëm një ndërmarrje arpunuese, tani janë 1500. Popullsia është jashtëzakonisht aktive dhe i përshtatet kohës, është punëtore dhe inteligjente. Unë jam i sigurtë se kriza është edhe nxitje e madhe për të bërë gjëra të tjera, të ndryshme, por njësoj të mira.
Papa do të pritet nga kryeministri italian, Mario Monti. Edhe prania e tij është rast për paraqitjen e problemeve e të vështirësive…
Prania e njëkohshme e Atit të Shenjtë dhe e kryeministrit e rrit rëndësinë e kësaj ngjarjeje para opinionit publik, para mediave dhe rrit gjithashtu, edhe shpresën e njerëzve, duke pasur parasysh perspektivën e përgjithshme të momentit, që nuk është ndër më të mirat.
Vizita e Papës në Areco zhvillohet kur Italia, por jo vetëm ajo, është zvjerdhur nga politika…
Unë mendoj se politika ka nevojë për shumë seriozitet e për shumë shembuj. Kurrë si në këtë moment, largimi i njerëzve prej saj ligjërohet nga sjelljet e padenja, që shohim përditë. Shpresoj që nga fjalët e Atit të Shenjtë, të dalin edhe thirrje për seriozitet në ushtrimin e pushtetit publik.
Është hera e parë e Benediktit XVI në Toskanë. Cilat janë vendet me interes në Areco?
Është një vend me përshpirtëri të thellë: kemi La Verna-Camaldoli – vetëm kjo do të mjaftonte – kemi mijëvjeçarin e San Sapolcro-s e kemi edhe qytetin e Arecos, në të cilin Piero della Francesca e legjenda e Kryqit të Vërtetë kanë sjellë udhën e vuajtjes e të përshpirtërisë së Krishtit deri në kohët moderne. Si katolik, nuk mund të mos shpreh lumturinë time personale për faktin se do ta përshëndes Atin e Shenjtë, në emër të të gjithë bashkësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.