2012-05-08 15:54:31

Lutja e Benediktit XVI për muajin maj: të mbrohet familja e të forcohet roli i saj


“Të lutemi që të promovohen në shoqëri nisma për mbrojtjen dhe forcimin e rolit të familjes”: ky është ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Benediktit XVI për muajin maj, në fund të të cilit do të fillojë Kongresi Botëror i Familjeve në Milano të Italisë. I kërkuam një koment presidentit të Forumit italian për Familjet, Françesko Beleti:
Kjo është një kërkesë e bërë që me Enciklikën “Familiaris Consortio” të vitit 1981. Është i nevojshëm ky kujdes i shoqërisë për të ardhmen e familjes, sepse ajo është vendi i parë dhe i pazëvendësueshëm për ruajtjen e hyjnisë së njeriut. Prandaj, t’i kërkosh shoqërisë ta mbështesë familjen, do të thotë të kërkosh humanitetin, lirinë dhe dinjitetin e secilit. Ndjeti i Papës vë në dukje edhe përgjegjësinë, që i takon secilit prej nesh.
Sot, më shumë se kurrë, familjet kanë përgjegjësi të mëdha…
Po, sot, kemi një përgjegjësi të dyfishtë. E para është dëshmia e jetës së jetuar si të krishterë. Çdo familje duhet të jetë një kishë e vogël shtëpiake, duhet të dijë të kthehet në vend shenjtërimi, në mes të lodhjes së përditshme - si prindër, si fëmijë, si të moshuar – duke dëshmuar se shëlbimi është i mundur për të gjithë. E përgjegjësia tjetër, ndoshta më e re, më e kohëve të fundit, është ta ngremë zërin si protagonistë të politikës e të jetës shoqërore. Nuk mjafton ta jetojmë mirë përvojën tonë familjare, duhet edhe “të bëjmë presion” për të drejtat e familjes.
I Lumi Vojtila pohonte se “e ardhmja e njerëzimit kalon përmes familjes”. Kjo shihet qartë në këto kohë krize, e cila është jo vetëm ekonomike, por edhe antropologjike, kulturore…
Po, edhe në Itali pamë se para goditjeve të krizës, familja është vendi më i besueshëm për mbrojtjen e njeriut. Pa aftësinë e familjeve për sakrifica, për t’u kujdesur për nevojtarët, pasojat e krizës do të ishin më shkatërrimtare. Nga ana tjetër, nuk duhet vetëm të kërkojmë nga familjet. Përpjekjet e tyre duhen ndjekur nga shoqëria. Kthehemi tek tema e mëparshme: duhet ta ngremë zërin në nivel shoqëror e politik.
Cilat janë shpresat që keni për Kongresin Botëror të Familjeve në Milano?
Kam një shpresë personale, shumë të fuqishme: që kur të përfundojë ngjarja, të fillojë puna. Pra, dua që ky takim të mos jetë vetëm i bukur, popullor, masiv. Por sidomos pres një mandat të madh nga ana e Papës Benedikti XVI, pres të na japë detyra, të cilat çdo familje mund t’i realizojë, që nga dita e nesërme. Është e lehtë të mendosh detyra për temën familja-puna-pushimi, sidomos për rizbulimin e asaj kohe feste, gjatë së cilës përkujtohet Zoti, çast për të ndenjur të gjithë bashkë, që të mos jetë gjithçka tregti, mall e punë. Po e pres me padurim këtë detyrë!







All the contents on this site are copyrighted ©.