2012-05-08 17:57:10

Intelektualët, kërkesë Topit për nderimin e at Zef Valentinit


Rreth 30 intelektualë shqiptarë i kanë kërkuar kohë më parë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, nderimin e dijetarit, at Zef Valentinit. Emra të njohur të letrave, por edhe fushave të tjera, mes të cilëve Ismail Kadare, Rudolf Marku, Besnik Mustafaj, Visar Zhiti, Koçi Petriti etj., i janë drejtuar me një letër të hapur Presidentit Topi, ku i kërkojnë që të nderojë këtë figurë të shquar të mendimtarit dhe studiuesit, i cili pas 50 vjetësh mohimi të diktaturës komuniste po i bëhet i njohur për lexuesin shqiptar përmes veprës së tij. Një vepër voluminoze, 20-vëllimëshe, për botimin e së cilës është kujdesur shtëpia botuese “Plejad”. Në kërkesën drejtuar Presidentit thuhet se me këtë nderim vëmë në vend një borxh që i kemi këtij njeriu, që si askush tjetër ka kontribuar për integrimin dhe promovimin e kulturës shqiptare. a.m
PRESIDENTIT TE REPUBLIKES
Z. Bamir TOPI
KËRKESË
Për të gjithë brezin e intelektualëve që rrojnë në epokën post-komuniste, zbulimi dhe njohja me veprat e një njeriu të ditur si Giuseppe (Zef) Valentini, një at jezuit, i lindur në Padova, vërsnik me shekullin XX, ka lënë vepra shumëvëllimëshe për Shqipërinë dhe shqiptarët, nëpër aq shumë arkiva, biblioteka, revista, gazeta e botime mbarëbotërore ku ai kontribuoi, qe një surprizë madhështore. Ai është produkti më i madh shkencor i lirisë dhe mundësive të mëdha që solli epoka e pluralizmit, për botimin dhe promovimin e historisë sonë. Por tashmë kur publiku shqiptar, qarqet intelektuale, politike, e pse jo edhe shtetërore, u ndeshën me diellin rrezatues të këtij mendimi, falë botimit të një kolane 20-vëllimëshme, nga ana e shtëpisë botuese “Plejad”, gjithçka duhet të rrjedhë në shtratin e duhur. Ndaj, vlerësimi i punës dhe veprës që ai la, edhe pse befasues, është më se i merituar dhe i mirëpritur nga qarqet akademike të fushave të shkencës që ai lëvroi. Atdheu ynë në vitet e regjimit komunist e dënoi jo vetëm me heshtjen dhe ostracizmin më të egër, por edhe e përndoqi si armik, ndërkohë që aktiviteti i tij, pas vitit 1944 u shtua akoma dhe më tepër, në Itali dhe gjetkë, falë flakës së dashurisë për shqiptarët, historisë dhe kulturës së tyre, traditave dhe etnicitetit të lashtë, autentik e krijues, që ai gjeti tek ata e që luftoi me gjithë forcën e dijes së vet të stërmadhe t’ia bëjë të ditur botës në tërë shkëlqimin e saj. Ndaj, me plot të drejtë, ai mund të quhet pa droje si “integruesi” i parë dhe më i madh i kulturës shqiptare me atë europiane, teksa shohim që deri dhe në 10 akademi të saj të botonin studimet e këtij dijetari me famë qartësisht botërore. “Shqiptarë, çmojeni at Valentinin, se ai punon pa prerë, për t’ia bërë të ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike”, do të këshillonte publikisht Papa Pavli VI, gjatë kremtimeve me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Po, sot kultura dhe populli shqiptar, at Valentinin, të ndaluar për mbi 50 vjet me radhë nga regjimi komunist, po e boton dhe po e njeh gjithnjë e më shumë, e do të dijë ta dojë e ta nderojë përgjithmonë si jezuit të mirë, si shkencëtar të madh dhe albanofil të jashtëzakonshëm. Vepra e tij për ne fiton akoma dhe më shumë vlerë si instrument i dobishëm gjeopolitik, sidomos në sfidat e sotme të integrimit dhe ndërveprimit kulturor. Urat e miqësisë dhe komunikimit midis popujve ngrihen e mbahen në këmbë nga njerëzit e tyre të mëdhenj, që i forcojnë dhe lartojnë këto marrëdhënie. E at Giuseppe Zef Valentini është një urë e fortë bashkëveprimi dhe përkushtimi për lidhjet tona të lashta, qoftë me qytetërimin perëndimor ashtu dhe me Papatin e vlerat e besimit të krishterë që ai manifeston. Këtij studiuesi dhe albanologu të madh, të vlerësuar në mënyrë të epërme nga të gjithë historianët dhe albanologët më të shquar të kohës së tij (i cili ia fali gjithë jetën Shqipërisë, kulturës dhe historisë së saj), i janë botuar gjatë viteve të pluralizmit rreth 20 vepra voluminoze shkencore dhe presin të përkthehen dhe të botohen edhe 10 vepra të tjera, përveç korpusit të madh me rreth 30 vëllime të “Marrëdhënieve shqiptaro-veneciane”. Ne shqiptarët kemi detyrimin që ta botojmë dhe nderojmë këtë njeri të ditur që punoi aq shumë për ne, ndaj do ishte në nderin e Shqipërisë dhe tuajin Zoti President, qe të shqyrtoni mundësinë e nderimit të këtij personaliteti të jashtëzakonshëm për kontributin e dhënë ndaj kulturës dhe historisë sonë me një medalje të lartë. Mendojmë se ky vlerësim do t’i shërbente më së shumti edhe rritjes së ndjeshmërisë publike e shtetërore për promovimin dhe botimin e shumicës së veprave të tjera të tij, me rëndësi të pazakontë shkencore dhe kulturore. Por, nga ana tjetër, do të na ballafaqonte edhe një herë me një akt mirënjohjeje ndaj popullit italian, për këtë bir të ditur që na fali.
Firmëtarët
Kolec Topalli
Bardhyl Londo
Rudolf Marku
Ismail Kadare
Mark Marku
Përparim Kabo
Ndriçim Kulla
Afrim Krasniqi
Mentor Kikia
Sherif Delvina
Uran Butka
Visar Zhiti
Pandeli Cina
Ismet Elezi
Gentian Çoçoli
Josif Papagjoni
Bujar Leskaj
Primo Shllaku
Agron Tufa
Mark Tirta
Gjergj Sinani
Xhevat Beqaraj
Ksenofon Krisafi
Demja Dyrmishi
Emin Riza
Koçi Petriti
Besnik Mustafaj
Ardian Marashi
Vaso Tole

Nga Panorama e hënë, Prill 23 prill 2012







All the contents on this site are copyrighted ©.