2012-05-08 12:32:32

Festa e Zojës Rruzare të Pompeit


Sot më 8 maj Kisha kremtoi festën e Zojës Rruzare të Pompeit. Në praninë e mijëra besimtarëve, në shenjtoren e Zojës Rruzare në Pompei u rinovua në mesditë tradita e Lutjes drejtuar shën Marisë. Është një lutje e veçantë, hartuar në vitin 1883 nga i Lumi Bartolomeo Longo, me rastin e bekimit të këmbanës së parë të shenjtores.
Lutja e Pompeit është veçanërisht e bukur, e përkushtuar, e frymëzuar nga vetë Zoja, e cila iu duk Bartolomeo Longos, avokat i ri italian, dhe i tha t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën. Ja si përfundon ajo:
“O Rruzare e bekuar nga Shën Maria, zinxhir i ëmbël që na lidh me Zotin, vjegëz dashurie që na bashkon me Engjëjt, kullë shpëtimi, në sulmet e ferrit, port i sigurt në rast mbytjeje të përgjithshme, ne nuk do të lëshojmë më kurrë nga dora. Ti do të jesh ngushëllimi ynë në agoni, për ty puthja e fundit e jetës që shuhet. Fjala e fundit që del prej buzëve tona, do të jetë emri yt hyjnor o Mbretëreshë e Rruzares së Pompeit, o nëna jonë e dashur, o Strehë e mëkatarëve, o Sovrane ngushëlluese e të hidhëruarve. Qofsh kudo e bekuar, sot e përgjithmonë, në tokë e në qiell. Amen”
Vlera shpirtërore e kësaj Lutjeje është e veçantë. Lutja e përgjëruar është njëkohësisht lirikë dhe muzikë. Mbi ato faqe janë derdhur lumenj lotësh e janë stampuar miliarda puthje. Në këtë lutje universale, derdhen të gjitha dhimbjet e shpresat e familjes njerëzore. Është kaq e përkryer rezonanca që ajo ngjall në çdo zemër të krishterë, saqë secili kur e thotë ka përshtypjen se po e harton ai vetë për herë të parë. Mund të thuhet se autori i vërtetë nuk është Bartolomeo Longo, por shpirti popullor, feja e popullit. Është Kisha që ecën në botë e lutet.
Gjatë vizitës së tij apostolike në Pompei, më 20 tetor 2008, Papa Benedikit XVI, pohoi se kjo qytezë e Marisë dhe e dashurisë së krishterë dëshmon se feja e shndërron botën dhe ia besoi të gjithë Marisë, duke menduar posaçërisht për njerëzit që vuajnë e për ata që braktisen në fatin e tyre, në dramat e tragjeditë e tyre të vetmisë e të mjerimit. Me atë rast Papa ratcinger i nxiti të mos e humbasin kurrë shpresën, por të kërkojnë gjithnjë ndihmën amtare të Marisë. Ungjilli është me të vërtetë Lajmi i mirë, sepse na kumton se Hyji është me ne e vjen të na çlirojë: “Ku është Ai, e keqja mposhtet e ngadhënjejnë jeta e paqja”. E gjithçka rinohet nga fryma e dashurisë së Tij:
“Po, dashuria e Hyjit e ka këtë pushtet: të rinojë çdo gjë, duke nisur nga zemra njerëzore, që është kryevepra e Tij, ku Shpirti Shenjt e kryen më mirë veprimtarinë shndërruese. Me hirin e vet, Hyji e rinon zemrën e njeriut, duke ia falur mëkatin, e pajton e ndikon në shpirtin e tij zellin për të bërë mirë”.
Sigurisht – vijoi Papa – duhet të përtërihemi vazhdimisht, për të mos rënë në konformizmin e mendësisë moderne. Dashuria duhet të jetë programi i përhershëm i bashkësisë së krishterë. E ‘Pompei i ri’, ndonëse me kufizimet e veta, si çdo realitet njerëzor, është shembull i këtij qytetërimi të ri të dashurisë, lindur e zhvilluar nën shikimin e ngrohtë amtar të Marisë:
Qytezë e Marisë dhe e dashurisë së krishterë, por jo e izoluar nga bota, jo, siç mund të thuhet, një ‘katedrale në shkretëtirë’, por e lidhur ngushtë me trojet e kësaj lugine, për ta shpëtuar e për ta zhvilluar. Historia e Kishës, faleminderit Zotit, është e pasur me përvoja të këtij tipi, që edhe sot e kësaj dite i takojmë në të katër anët e botës. Janë përvoja vëllazërimi, që tregojnë fytyrën e një shoqërie të ndryshme, e cila është tharm i vërtetë në gjirin e jetës civile. Forca e dashurisë së krishterë është e pakundërshtueshme: është dashuria që e çon përpara botën”.
Papa kujtoi edhe historinë e Pompeit: qytet i rrënuar nga shpërthimi vullkanik shkatërrimtar, që u rikthye në jetë falë kthimit në fenë e krishterë të një burri i cili, ashtu si Shën Pali Apostull, e kishte persekutuar Kishën, duke u bërë militant antiklerikal e duke u dhënë edhe pas praktikave spiritistike e besëtytnive. Është fjala për prirje – vijoi Papa – të pranishme edhe në ditët tona. Një njeri larg fesë, që ndryshon rrënjësisht. E ky ndryshim, sepse shikon ‘fytyrën e vërtetë të Hyjit’, që ia shndërron shkretëtirën në të cilën jeton:
Ku arrin Hyji, shkretëtira lulëzon! Edhe i Lumi Bartolo Longo, me kthimin e tij personal, jep dëshmi të kësaj force shpirtërore, që e shndërron shpirtin e njeriut dhe e bën të aftë të kryejë vepra të mëdha, sipas planit të Hyjit”.
Ky qytet, i themeluar rishtas prej tij – shtoi Papa – është dëshmi historike, që u tregon të gjithëve si e shndërron Zoti botën: duke e mbushur me dashuri zemrën e njeriut e duke e bërë forcë lëvizëse të risimit fetar e shoqëror, në shërbim të fundmëve.
“Këtu, në Pompei, kuptohet se dashuria e Hyjit e dashuria për të afërmin janë të pandashme. Këtu populli i thjeshtë i krishterë, njeriu që e përballon jetën me flijime të mëdha, gjen forcën të vijojë ecjen në rrugën e së mirës, pa bërë kurrë kompromise. Këtu, në këmbët e Marisë, familjet gjejnë përsëri e rifreskojnë gëzimin e dashurisë, që i mban të bashkuara”.
E fshehta e Pompeit është Rruzarja. Kjo Lutje – pohoi Benedikti XVI – na prin, përmes Marisë, tek Jezusi:
“Rruzarja është lutje kundruese, e kuptueshme për të gjithë: të mëdhenj e të vegjël, laikë e klerikë, të mësuar e të pamësuar. Është lidhje shpirtërore me Marinë, për të qenë gjithnjë të bashkuar me Jezusin, për t’u bërë një me Të, për të bërë tonat ndjenjat e Tij e për t’u sjellë si Ai. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në luftën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen e zemrave, në familje, në shoqëri e në botë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.