2012-05-08 17:47:16

At Zef Valentini dekorohet me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu” nga presidenti Topi


At Zef Valentioni, jezuit, një prej figurave më të shquara kishtare, albanologjike e historike, u dekorua sot, pas vdekjes, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”nga Presidenti Shqipërisë Bamir Topi, për kontributin tejet të rëndësishëm si historian, albanolog, teolog, filozof e studiues i shquar. Në ceremoninë organizuar në Presidencë morrnën pjesë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Ambasadori i Selisë së Shenjtë, Nunci Apostolik, kryeipeshkvi imzot Ramiro Moliner Ingles,.
Në fjalën përshëndetëse, Kreu i Shtetit Shqiptar, duke iu referuar edhe pjesëmarrjes në këtë ceremoni të personaliteteve të shquara të botës akademike dhe jetës publike, theksoi se At Zef Valentini jetoi në një kohë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, përjetoi nga afër të gjitha ngjarjet historike që shoqëruan hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar, eksperimentimet me sistemet qeverisëse, përfshirë pushtimet e huaja dhe vendosjen e sistemit komunist. “Me një formim profesional elitar, At Valentini pati një angazhim direkt më se 20-vjeçar në jetën publike e kishtare shqiptare dhe gati 30-vjeçar nga Italia, duke qenë njëherësh një mësues shembullor, studiues i aftë dhe krijues me kontribute të mëdha në dokumentimin e historisë dhe traditës zakonore ende të panjohur sa duhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ishte njëherësh krijues dhe përkthyes, historian dhe filozof, një personalitet fetar dhe publik, albanolog dhe figurë e përmasave të larta akademike. Valentini është themelues e drejtues i “Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare” në Universitetin e Palermos, dhe për vite të tëra një nga emrat më të spikatur të mbrojtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në botë”, tha Topi.
Sipas tij, figura e tij nuk u zbeh nga përpjekja e sistemit totalitar për të shuar dhe denigruar atë dhe personalitete të tjera të shquara me veprimtari atdhetare dhe shkencore. Veprat e tij u lanë në hije, ashtu siç regjimi veproi me Fishtën, Koliqin dhe mendimtarë të tjerë të kalibrit të lartë të së njëjtës periudhë. “Në trashëgiminë e tij akademike Zef Valentini ka lënë një numër të madh veprash shkencore, me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe politike.
Kërkimet e tij shkencore mbi historinë e hershme shqiptare, historinë e të drejtës zakonore dhe ligjeve të traditës, aktet juridike të periudhës veneciane apo kohës së Skënderbeut, si dhe studime të tjera të avancuara ballkanologjike e bizantine, – janë një pasuri e madhe kombëtare, një kontribut me vlera të rralla, një thesar mendimi e kërkimi për brezat e sotëm, për njohjen më të mirë dhe më profesionale të periudhave të hershme historike të shqiptarëve dhe organizimeve të tyre politike, juridike dhe shoqërore. Kjo krijimtari e bën At Valentinin të veçantë, e dallon atë nga figurat e tjera krijuese të së njëjtës tematikë dhe e bën veprën e tij të denjë për t’u nderuar sot edhe zyrtarisht, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu””, tha Topi. Sipas tij, duke i nderuar këto personalitete ne bëjmë gjysmën e punës, gjysma tjetër kërkon një reflektim shoqëror për t’u dhënë mundësi brezave më të rinj të njohin nga afër trashëgiminë e tyre profesionale, veprat e tyre krijuese.
Ndërsa, Vili Kamsi, ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në vitin 1992, vuri në dukje mes të tjerash për At Valentinin se “ishte i ndërgjegjshëm për misionin e vet, ku, bashkë me zotimin e tij primar për fenë, vuri dhe atë për atdheun e tij të dytë, Shqipërinë, duke u marrë qysh në fillim me studimin e gjuhës shqipe, e pastaj, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën shkencore të Shqipërisë, me një trashëgimi të pasur e tradita historike”. “At Zef Valentini u përket atyre misionarëve që vinin në Shqipëri për të kryer veprën e tyre, për të vënë bazat e një kulture të re perëndimore, duke pasur si qëllim ngritjen e një klase intelektuale shqiptare në një koncept më të lartë të jetës shoqërore”, tha diplomati shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.