Statute të reja për Karitasin Ndërkombëtar: koment i Sekretarit të Përgjithshëm
Javës që kaloi, u publikuan Statutet e reja dhe Rregullorja e Brendshme e Karitasit
Ndërkombëtar, shoqëruar me një Dekret të Përgjithshëm, nënshkruar nga Sekretari i
Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarcizio Bertone, ku shpjegohet se organizmi, që koordinon
bamirësinë e Kishës Katolike, vihet nën udhëheqjen e Këshillit Papnor “Cor Unum” dhe
të vetë Sekretarisë së Shtetit, përgjegjëse për aspekte të ndryshme të punës së Caritas
Internationalis. Rregullat e reja, të përcaktuara që në Kirografin e vitit 2004, nënshkruar
nga i Lumi Gjon Pali II, janë miratuar pas një rruge të gjatë, për të cilën na flet
në mikrofonin tonë, Sekretari i përgjithshëm i Karitasit Ndërkombëtar, francezi, Mishel
Rua: Ky është rezultati i një pune të gjatë, filluar me nismën e Selisë së Shenjtë,
kur Gjon Pali II i dha Karitas Internationalis “personalitet juridik publik”. U deshën
disa vjet për ta shndërruar në realitet këtë dhuratë të Atit të Shenjtë. Më 15, 16
e 17 maj kemi mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv: një pjesë e saj do t’i kushtohet studimit
të Dekretit e të Statutit të ri. Selia e Shenjtë ka ndryshuar vetëm një pjesë të vogël
të Statutit, që ky Komitet miratoi në dhjetorin e kaluar. Në një intervistë, kardinali
Sarah, kreu i Këshillit Papnor “Cor Unum”, deklaroi qartë se misioni i Karitasit do
të vazhdojë të jetë po ai. Është themelore, ajo që bën Karitasi për t’i nxjerrë të
varfërit nga gjendja ku ndodhen e për t’u kthyer atyre dinjitetin; për të promovuar
më shumë drejtësi në shoqëri; për ta vendosur njeriun në qendër të debateve politike
e ekonomike ndërkombëtare. Egjithë kjo pra, nuk vihet aspak në diskutim, përkundrazi,
inkurajohet. Ndryshimet kanë të bëjnë me mënyrën e qeverisjes së Konfederatës.