Siria rizgjedh parlamentin, ndërsa vazhdojnë protestat kundër presidentit
Zgjedhje edhe në Siri, ku që prej një viti, vazhdon kriza e rëndë e gjakderdhja, për
shkak të shtypjes së revoltave për ndryshime, nga ana e regjimit arabo-socialist të
presidentit Bashar Al Asad. Në shkurt u miratua reforma kushtetuese, e cila lejon
pluralizmin. Është hera e parë, që zhvillohen zgjedhjet, pas mundësisë për të formuar
parti, por opozita kërkoi bojkotimin e tyre, duke i akuzuar si jo demokratike. 7.100
kandidatë janë në garë për 250 vende të Asamblesë së Popullit, siç quhet parlamenti
sirian. Ndërkaq, vazhdojnë ndeshjet e protestat. Nga Damasku, gazetari italian, Cristiano
Tinazzi: Shumë persona,
që kontaktova sot paradite - si alauitë, ashtu edhe të krishterë, që sigurisht nuk
bëjnë pjesë në luftën e armatosur kundër Asadit - pyesin pse duhet të votojnë, për
çfarë shërben kjo. Kjo është pyetja e të gjithëve, pasi është e vërtetë që ekziston
opozita, por faktikisht, fuqia e kreut të shtetit nuk lëkundet. Armëpushimi dhunohet
nga të dyja palët, tensioni është i lartë e mund të ketë atentate. 24 vëzhguesit e
OKB-së janë pak e nuk arrijnë të kontrollojnë të gjitha qendrat e votimit. Në të vërtetë,
ka vëzhgues të tjerë, por nuk janë dhe aq të pavarur: bëjnë pjesë në grupe, që deklarohen
si opozitë e moderuar, por, gjithsesi, janë pranë qeverisë.