2012-05-07 17:43:35

Papa Rojeve të reja Zvicerane: “Jini të vendosur në fe e gati për të ndihmuar të afërmin”.


“Sekreti i punës suaj në Vatikan, është të ndiqni Krishtin”: me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI Rojeve Papnore Zvicerane, duke i pritur në Sallën Klementine, së bashku me familjarët, sot, një ditë pas betimit. Papa ripohoi rëndësinë e misionit të Rojeve në shërbim të Kishës dhe të gjithë atyre, që rrajnë çdo ditë në shtegtim drejt Varreve të Apostujve.RealAudioMP3
“Jini të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit e ruajeni stilin e frymëzuar nga dashuria ungjillore për njerëzit, që takoni ditë për ditë”. Këtë porosi u dha Papa Rojeve të reja Zvicerane, gjatë fjalimit, që ua drejtoi në tri gjuhë: gjermanisht, frëngjisht e italisht, sipas gjuhëve, që përdoren në tri kantonet kryesore helvetike. Papa kujtoi se në punën e tyre Rojet ndjekin gjurmët e paraardhësve, besnikë ndaj Papës deri në heroizëm, gjatë plaçkitjes së Romës, më 1527. Më pas Ati i Shenjtë numëroi cilësitë, që duhet ta dallojnë Rojen Zvicerane:
“Qëndrueshmëria në fenë katolike, besnikëria e dashuria për Kishën, zelli e këmbëngulja në punët e vogla, të përditshme, e në punët e mëdha, guximi e përvuajtëria, vetmohimi e gatishmëria. Zemra juaj, vërejti Ati i Shenjtë duke folur gjermanisht, duhet të jetë përplot me këto virtyte, sa herë bëni roje nderi e sigurie në Vatikan.
“Sekreti i suksesit të punës suaj në Vatikan, shtoi Benedikti XVI në frëngjisht, ashtu si i çdo plani tuaj, është mbështetja e vazhdueshme tek Krishti”. E kjo është edhe dëshmia e shumë paraardhësve tuaj, që u dalluan jo vetëm për kryerjen me zell të madh të punës së tyre, por edhe për impenjimin në jetën e krishterë.
Papa uroi që edhe rojet e reja t’i përgjigjen plotësisht thirrjes së Krishtit, duke ecur në gjurmët e Zotit me besnikëri e bujari.
“Për t’u dhuruar dashuri vëllezërve, pohoi Papa, është e domosdoshme së pari ta marrësh këtë ndjenjë të madhe në furrën e dashurisë hyjnore, falë lutjeve të vazhdueshme, dëgjimit të përhershëm të Fjalës së Zotit e jetës së përqendruar tek Misteri i Eukaristisë”.
Më pas, një përshëndetje e përzemërt në gjuhën italiane:
“Të dashur miq! Përfitoni nga koha, që do të kaloni në Romë, për të thelluar miqësinë me Krishtin, për ta dashur gjithnjë më shumë Kishën e Tij e për të ecur kah caku i çdo jete të krishterë: shenjtëria”.Në përfundim, Papa iu lut Virgjërës Mari, që nderohet posaçërisht në muajin maj, t’i ndihmojë Rojet për ta provuar çdo ditë e më shumë bashkimin e thellë me Zotin, bashkim që nis mbi tokë, e përfundon në Qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.