2012-05-07 15:17:06

Itali-Shqipëri: Monti Berishës, mbështesim integrimin drejt BE-së


Në kuadër të vizitës së tij në Itali, kryeministri Shqipërisë Sali Berisha takoi sot homologun e tij italian, Mario Monti. Të dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen e Italisë në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në vlerat universale të të drejtave të njeriut e demokratik si dhe të tregtisë së lirë.
"Mirënjohje të thellë qeverisë dhe kombit italian për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e vështirë dhe të suksesshme. Kjo ndihmë ka pasur një rëndësi jetike. Mirënjohje të thellë kombit italian, sepse që nga Mesjeta deri në ditët e sotme shqiptarët janë nisur drejt këtij vendi për një jetë më të mirë", u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri Shqipërisë Sali Berisha theksoi se Italia ka mbështetur Shqipërinë në shumë projekte të rëndësishme që bënë të mundur që ajo të jetë një shtet tjetër.
"Këtë vit ne kremtojmë 100 vjetorin e pavarësisë së vendit dhe ishte kënaqësi e madhe që një mik të shquar që e kam takuar në vitin 1996 kur ishte Komisar në KE, e takoj sot kryeministër dhe e ftoj të vizitojë vendin tim. Shqipëria çdo ditë e më shumë bëhet partner i këtij vendi dhe ju garantoj se çdo vit e më tepër do bëhet partner me potencialet e saj. Diskutuam se si të inkurajojmë investimet, diskutuam për projekte të mëdha energjetike, bashkëpunim në të gjitha fushat, me theks mbështetjen e Italisë për integrim në BE, që ka qenë gjithnjë shumë e fuqishme", tha Berisha.
Në fjalën e tij kryeministri italian, Mario Monti, tha se gjatë takimit janë shqyrtuar marrëdhëniet midis dy vendeve, e ripohoi se Italia e ka mbështetur Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave, e të njëjtën gjë do ta bëjë edhe për procesin e integrimit të saj në BE.
"Ne mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE. Pra, në këtë drejtim “një vullnet i prerë politik dhe një impenjim i qëndrueshëm nga ana e qeverisë dhe e opozitës janë të domosdoshme për të bërë ato përparime që janë kërkuar ” nga Shqipëria për t’iu afruar BE-së", tha Monti, duke siguruar mbështetjen më të fortë të Italisë në këtë drejtim.
“Unë dhe Berisha jemi takuar për herë të parë në Bruksel në 1996, kur unë isha komisar në Bruksel. I kam shprehur vlerësimin për përpjekjet e Shqipërisë për përmbushjen e reformave që ika kërkuar BE gjatë rrugës së integrimit dhe kam ripohuar nga ana e qeverisë italiane mbështetjen tonë më të fortë në këtë drejtim", theksoi kryeministri italian, Mario Monti, ndërsa vlerësoi edhe përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë për realizimin e reformave të kërkuara për integrimin evropian.
Kreu i qeverisë italiane vlerësoi rritjen e eksporteve dhe importeve mes dy vendeve. Ai vlerësoi ndër të tjera shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali, duke thënë se ata janë rreth "500 mijë në Itali dhe përbëjnë bashkësinë e dytë dhe një prej më të integruarave".







All the contents on this site are copyrighted ©.