2012-05-05 12:00:30

Një mendim për Virgjërën Mari, në muajin maj: Magnificat!


Pas lajmërimit të Engjëllit, Maria mbeti me një mister të madh në kraharuar. E dinte se kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, se kishte filluar kapitulli i fundit i historisë së shëlbimit të botës. E megjithatë, gjithçka rreth saj kishte mbetur fare e pandryshuar e fshati i humbur i Nazaretit nuk e dinte fare se ç’i kishte ndodhur vajzës së panjohur, e cila do të bëhej më e njohura mbi të gjitha gratë që kanë ecur në shtigjet e kësaj bote.
Po Ajo, pa menduar fare për vetveten, u vu me ngut për udhë, për të arritur në shtëpinë e së kushërirës, ku ndodhi një ngjarje që asnjë piktor nuk mund ta realizojë me gjithë bukurinë e thellësinë e saj të pakapshme, sepse të dyja gratë ishin rrethuar nga drita e Shpirtit Shenjt. E Elizabeta, e ndriçuar nga Lart, brohoret fjalët, që më pas do të shqiptohen në shekuj në të gjitha gjuhët e botës: “Bekuar je mbi të gjitha gratë, e i bekuar, fryti i kraharorit tënd! Nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim? Ja se, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje, kërceu në kraharorin tim. E lumja ti, që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit”. Këto fjalë mund të na duken të tepruara në rrethanat e sotme. Elizabeta ishte një grua në moshë e Maria, një vajzë e panjohur prej një fshati të humbur të Galilesë. Ç’mund të bënin, në një botë ku vlerësohen njerëz të tjerë e peshojnë pushtete të tjera? Gjithsesi Maria na mahnit përsëri: zemra e saj është e kulluar, krejtësisht e hapur për dritën e Hyjit; shpirti i saj është pa mëkat, mbi të nuk peshojnë mburrja e egoizmi. Prandaj i buçet nga zemra kënga e lavdërimit, lexim i vërtetë dhe i thellë i gjithë historisë së njerëzimit: “Shpirti im madhëron Zotin”. Maria pranon madhështinë e Hyjit. E kjo është ndjenja e parë dhe e domosdoshme e fesë. Ndjenjë që i jep siguri, e çliron nga frika dhe e bën ta shikojë me sytë e fesë veprën e Zotit në histori. Prandaj është e lume, sepse e pranoi Fjalën e Zotit, që u mishërua në kraharor të saj. Feja e bëri të shikonte se fronet e njerëzve të pushtetshëm në këtë botë janë të përkohshëm, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb që nuk lëkundet as nuk shembet në jetë të jetëve. E kështu himni i Marisë ‘Magnificat’ mbetet në shekuj shpjegimi më i vërtetë e më i thellë i historisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.