Atë Federiko Lombardi: Inteligjencë, fe e dashuri!
Vizita e Papës Benedikti XVI në Poliklinikën universitare “Gemelli” të Romës. Zëdhënësi
i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi ia kushton komentin e tij javor pikërisht
fjalëve që tha Papa të enjten e kaluar gjate vizitës së tij në këtë qendër të njohur
shëndetësore. Ja fjalët e tij: “Pa dashuri, edhe shkenca e humb fisnikërinë
e vet. Vetëm dashuria garanton humanitetin e punës kërkimore”. Kështu e mbylli Papa
Benedikti XVI fjalimin e tij, të enjten paradite, në Fakultetin e Mjekësisë e të Kirugjisë
së Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit. Përgjigje e thellë dhe prekëse për
nevojën e ndjerë të orientimeve të qëndrueshme, që shohin lart. “I pasur
me mjete, por jo dhe aq me qëllime, njeriu i kohës sonë, gati i verbuar nga teknika,
harron horizontin themelor, ku e çon pyetja për kuptimin e jetës”. Edhe një herë,
Papa flet për besimin në inteligjencën, në arsyen; flet për krishterimin si “fe e
Logos”, që nuk e mënjanon fenë, duke e lënë vetëm në sferën e irracionales, por e
sheh zanafillën dhe kuptimin e krejt realitetit në “Arsyen krijuese”, në Zotin. Bashkimi
i arsyes me fenë është garanci për frytet e të dyjave, ndërsa ndarja e tyre çon drejt
“varfërimit etik”, i cili nuk na lejon të vlerësojmë nëse ç’është teknikisht e mundur,
është edhe moralisht e mirë e për të mirën e njerëzimit. Por Papa tha edhe
më shumë, sepse shkenca dhe puna kërkimore mjekësore janë kaq të lidhura me kujdesin
për njeriun, sa në to duket krejt qartë sa e nevojshme është dashuria, sa jetësore
është lidhja ndërmjet impenjimit shkencor dhe përkushtimit plot pasion për të mirën
e njeriut; njeri, që vuan e që ndodhet përballë pyetjeve më thelbësore për kuptimin
e jetës. Atëherë, “përkushtimi i inteligjencës dhe i zemrës bëhet shenjë e mëshirës
së Zotit dhe e fitores së Tij mbi vdekjen”. Cili frymëzim është më entuziazmues
e më i fortë se ky, për çdo impenjim të inteligjencës në favor të njeriut? E për ç’tjetër
do të duhej ta impenjonim inteligjencën, në fund të fundit?”