2012-05-04 18:26:08

Përfundon Konferenca e Ipeshkvijve të Shqipërisë


Përfunduan sot në Tiranë punimet e ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë, të cilët për disa ditë me radhë në Asamblenë e tyre të 28-të biseduan mbi jetën dhe veprimtarinë e Kishës katolike në Shqipëri, si dhe për kontributin e saj për ndërtimin e indit shoqëror. Ndër argumentet kryesore që trajtuan ipeshkvijtë përmendim 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Vitin e Fesë, 50 vjetorin e Koncilit të Dytë të Vatikanit, përvjetorin e Ediktit të Milanos, që bie vitin e ardhshëm, varfërinë shoqërore, ribotimin e testeve të ndryshme liturgjike e tjera. Po më hollësisht nga Tirana ta dëgjojmë zëdhënësin dom Gjergj Metën.......RealAudioMP3
Conferentia episcopalis albaniae
Konferenca ipeshkvnore e shqipërisë
Ja dhe komunikata finale e KISH

Zgjedhjet e reja dhe një Letër për 100 vjetorin e Pavarësisë
Tre ditët e Asamblesë plenare të KISH shënuan disa ngjarje të rëndësishme ndër të cilat zgjedhjet e reja të Kryesisë dhe komisioneve të Konferencës Ipeshkvnore si dhe Letra e drejtuar me rastin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Zgjedhjet e reja
Imzot Angelo Massafra o.f.m. kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit u zgjodh President i kësaj Konference sipas statuteve të Konferencës Ipeshkvnore. Në detyrën e Zv. Presidentit u zgjodh Imzot Lucjan Avgustini, Ipeshkëv i Sapës dhe Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Imzot George Frendo O.P., Ipeshkëv Ndihmës i Tiranë-Durrësit.

Letra baritore Fides et patria (Fe e Atdhe) me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë
Kjo letër, e shkruar nga ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, u drejtohet të gjithë besimtarëve katolikë, por edhe të gjithë njerëzve me vullnet të mirë. Në krye të saj letra thekson falënderimin ndaj Zotit për Atdheun dhe rolin që katolikët kanë pasur në procesin e Pavarësisë së Shqipërisë e cila kulmoi me ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912 pas 500 vjetësh pushtim otoman. Ndër ngjarjet e rëndësishme të këtyre 100 vjetëve janë përmendur ajo e martirizimit të Kishës Katolike gjatë komunizmit, Vizita e të Lumit Gjon Palit II dhe Lumturimi i Nënë Terezës bijës së popullit tonë.
Më pas letra ndalet në disa aspekte të jetës së vendit tonë. Së pari dashuri për atdheun do të thotë dashuri për familjen. Kjo e fundit është qeliza e shoqërisë e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje. Nuk mund të kemi një angazhim për atdheun pa një angazhim për familjen. Ipeshkvijtë e Shqipërisë duke vënë në pah, jo vetëm mësimin e Kishës, por edhe traditën më të mirë të popullit tone, ngulin këmbë në angazhimin e të gjithë faktorëve të jetës shqiptare për familjen.
Së dyti dashuri për atdheun do të thotë dashuri për njëri - tjetrin në familjen e madhe të vendit tone. Procesi i pajtimit dhe dialogut duhet të jetë i pranishëm në jetën e atdheut tonë. Dialogu ndërfetar, por dhe gjetja e gjuhës së përbashkët për një bashkëjetesë më të mirë dhe për proceset integruese të vendit në strukturat Evropiane janë temat e tjera që vijojnë në këtë letër.
Vlerësimi i jetës në të gjitha stadet e ekzistencës së saj përbën premisën më të sigurt për luftën ndaj fenomeneve si aborti, eutanazia, gjakmarrja, vetëvrasja dhe përdorimi i drogave.
Së treti, vetëdija dhe respektimi i ligjit për një Shqipëri më demokratike përbëjnë premisat për luftën kundër korrupsionit i cili pengon rritjen dhe zhvillimin e shoqërisë duke shkaktuar kështu varfëri dhe degradim social. Nëse nga njëra anë të krishterët duhet t’u binden ligjeve të bëra nga ligjvënësit, si një detyrim qytetar, nga ana tjetër ata kanë të drejtë të mos u binden atyre ligjeve që përbëjnë një shkelje të rendit natyror dhe të të vërtetave hyjnisht të zbuluara.
Ndër të tjera ipeshkvijtë nxisin integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane si një sfidë e të ardhmes së afërt. Shqipëria duhet të shkojë drejt Evropës aty ku përket natyrshëm e në këtë mënyrë të korrigjojë gabime apo situata të së kaluarës historike.
Së fundmi Konferenca u drejtohet të rinjve të cilët duke u mbështetur në virtytet më të mira të trashëguara nga të parët, por edhe në besimin e tyre të jenë të përgjegjshëm për Atdheun, të mos e braktisin atë e të punojnë pa u lodhur për zhvillimin e tij.
Në fund ipeshkvijtë katolikë ia besojnë Atdheun tonë Nënës së Këshillit të Mirë, pajtorja qiellore e Shqipërisë, që të ruajë vendin tonë dhe shqiptarët.

Të tjera lajme
Gjithashtu në punimet e plenares u bënë edhe zgjedhje të tjera duke qenë se kishin mbaruar mandatet. U rikonfirmua edhe Presidenti i Karitasit kombëtar në personin e Imzot Gjergj Frendo-s, Ipeshkëv ndihmës i Tiranës dhe i Drejtorit të Përgjithshëm të Karitasit shqiptar post në të cilin u konfirmua përsëri drejtori në detyrë dr. Albert Nikolla.
Tema të tjera të diskutuara në këtë asamble ishin ajo e botimit të mesharit të ri në shqip, problemi i laicitetit të shkollave dhe hapave të mëtejshëm që duhet të merren në lidhje me projektligjin për arsimin parauniversitar.
Në muajt në vazhdim pritet edhe botimi në shqip i dy teksteve themeltare për jetën e Kishës, ai i Katekizmit të Kishës Katolike dhe ai i dokumenteve të Koncilit II Vatikan.

Mbledhja e ardhshme u caktua me 13-14-15 nëntor 2012.

Tiranë 04.05.2013
Zyra e shtypit








All the contents on this site are copyrighted ©.