2012-05-04 16:15:20

Presidenti i Shqipërisë zoti Bamir Topi nesër në Vatikan


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bamir Topi, do të arrijë nesër për një vizitë në Vatikan. Në ora 11.00 do të pritet në audiencë nga Ati i Shenjtë Papa Benedikti XVI. Është ky takimi i dytë i Presidentit Topi me Papën Jozet Razinger, pas atij të 6 dhjetorit 2007, gjithnjë në Vatikan. Pas audiencës me Papën, Presidenti i Shqipërisë Topi do të takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, hirësinë e tij kardinalin Tarçizio Bertone.
Kjo vizitë tregon marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira që ekzistojnë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë, marrëdhënie të cilat, po kujtojmë, janë vendosur më 7 shtator 1991 në rangun e Nunciaturës Apostolike për Vatikanin e të Ambasadës për Shqipërinë.
Në të vërtet marrëdhënie diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme që para periudhës së komunizmit, e ishte pikërisht qeveria komuniste e Tiranës ajo që ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin me dëbimin si person të “padëshirueshëm” të Delegatit Apostolik imzot Leone Nigris më 24 maj të vitit 1945. Kujtojmë se Delegati Apostolik imzot Nigris ishte në Shqipëri si Përfaqësues i Selisë së Shenjtë pranë episkopatit që nga viti 1938.







All the contents on this site are copyrighted ©.