2012-05-04 18:05:55

Papa ambasadorëve të rinj: ‘jo’ ligjeve, që thellojnë pabarazinë; të sigurohet liria fetare


Duhet mobilizuar gjithë shoqëria, për t’i bërë ballë të këqijave, që trondisin njerëzimin: kjo, thirrja e fuqishme e Benediktit XVI, gjatë fjalimit mbajtur sot paradite, në Vatikan, me rastin e paraqitjes së Letrave kredenciale të ambasadorëve të Etiopisë, Malezisë, Irlandës, Fixhit e Armenisë pranë Selisë së Shenjtë. Papa pohoi me forcë se shtetet duhet të bëjnë ç’është e mundur për sigurimin e lirisë fetare, që ndihmon në formimin e identitetit të fortë të njeriut.
Globalizimi, që na afron, kërkon të afrohemi edhe me njerëzit, që vuajnë, kërkon të jemi më të vëmendshëm ndaj atyre, që kalojnë çaste të vështira. Ky ishte filli i kuq, që përshkoi gjithë fjalimin e Papës, përqendruar i tëri tek vështirësitë që po kalojnë shumë popuj, mbi të cilët rëndon dhimbshëm barra e varfërive të vjetra e të reja. Prej këndej, Papa e ftoi bashkësinë ndërkombëtare t’i kundërvihet me drejtësi e solidaritet, çdo prirjeje, që kërcënon njeriun, shoqërinë, ambjentin:
“Dyndja drejt qyteteve, konfliktet e armatosura, zija e bukës e sëmundjet, që trondisin shumë popullsi, vërejti Ati i Shenjtë, thellojë dramatikisht varfërinë, e cila sot shfaqet në forma të reja. Kriza ekonomike botërore, vijoi me hidhërim Papa, rëndon kryesisht mbi familjet, duke i katandisur shumë prej tyre në mjerim, fenomen ky, në rritje. E kjo ka si pasojë përjashtimin e të varfërve nga radhët e shoqërisë, braktisjen, vetminë”.
E kur mjerimi bashkëjeton me pasurinë e madhe, kujtoi me qortim Benedikti XVI, duhet nënvizuar se padrejtësia mund të bëhet burim revoltash:
E atëherë është e nevojshme për shtetet të veprojnë në mënyrë të tillë, që ligjet shoqërore të mos e thellojnë pabarazinë, por t’i krijojnë çdo njeriu mundësinë të jetojë si njeri, domethënë, denjësisht. Ka shumë rëndësi, shtoi Ati i Shenjtë, që njerëzve nevojtarë t’u njihet një status i posaçëm shoqëror”.
E në vijim, Benedikti XVI nënvizoi se përparimi i kombeve duhet të ketë si synim kryesor zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, e jo vetëm zhvillimin ekonomik. E kjo bindje duhet të bëhet nxitje e frytshme për veprimtari praktike. Kujtoi, kështu, përvoja, si ajo e mikrokreditit, që krijojnë mundësitë për t’i harmonizuar objektivat ekonomike, me marrëdhëniet shoqërore; demokracinë, me respektin për natyrën:
Për ta forcuar bazën shoqërore të realitetit shoqëroro-politik, pohoi në vijim Papa, i duhet kushtuar vëmendje edhe një tipi tjetër të mjerimit: mjerimit të shkaktuar nga humbja e pikëmbështetjes mbi vlerat shpirtërore, që çon në largimin e njeriut nga Zoti. E kjo humbje e vështirëson gjithnjë më shumë dallimin e së mirës nga e keqja e edhe kapërcimin e interesave personale, për të mirën e mbarë shoqërisë. Papa kujtoi posaçërisht të rinjtë që, në kërkim të idealeve, përfundojnë në ‘parajsat artificiale’, si droga e konsumizmi. Nuk duhet harruar kurrë, theksoi me shqetësim Ati i Shenjtë, edhe se varfëria më e madhe është mungesa e dashurisë”.
Nuk ka njeri më të varfër se ai, të cilin nuk e do askush. E një fenomen i tillë nuk është aspak i rrallë e as i pazakontë në botën e globalizuar, ku vetmia bëhet më e rëndë se vetë varfëria.
Në përfundim të fjalimit, Papa përsëriti thirrjen drejtuar shteteve, që të garantojnë lirinë e fesë dhe ta vlerësojnë si duhet pasurinë kulturore e fetare:
Feja, theksoi Benedikti XVI, krijon kushtet për ta parë tjetrin si vëlla, sepse secili nesh është në radhë të parë njeri”. E secilit i duhet krijuar edhe mundësia ta njohë Zotin, në liri të plotë, gjë që e ndihmon të kalisë një personalitet të fortë dhe të bëhet dëshmitar e veprimtar i së mirës. Kështu, përfundoi Ati i Shenjtë, krijohen kushtet për ndërtimin e një shoqërie, në të cilën jeta e thjeshtë e vëllazërore, mund ta zmbrapsë mjerimin e të fitojë mbi indiferencën dhe egoizmin.







All the contents on this site are copyrighted ©.