Më 4 maj kalendari kujton shën Qiriakun e Jerusalemit
Më 4 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Qiriakun e Jerusalemit, ipeshkëv e martir.
Ai është me prejardhje nga Palestina. Në tekst apokrif tregon se, hebreu me emrin
Judë, e mori emrin Qiriakë pasi e përqafoi fenë e krishterë. U bë ipeshkëv i Jerusalemit,
pësoi martirizimin së bashku me nënën Ana, në kohën e Julianit Apostat. Kush qe
në të vëretë Shën Qiriaku? Sipas një teksti apokrif, shënohet se kur ipeshkvi i Jerusalemit
dhe nëna e përshpirtshme besimtare e Konstantinit, shën Helena, kërkon në Qytetin
e Shenjtë për të gjetur Kryqin e Krishtit, patën ndihmuar një hebré me emrin Judë.
Ndër mrekullitë e para që bëri druri i shenjtë i Kryqit qe pikërisht kthimi i këtij
hebreu në fenë e Krishtit. Posa ndërroi emrin e nisi të quhej Qiriako (emër me
origjinë greke, që do të thotë “patric”, shumë i përhapur aso kohe në botën romake),
e pasi përshkoi udhët e Palestinës, u zgjodh ipeshkëv i Jerusalemit e më pas edhe
u martirizua, sè bashku me nënën e tij, Anën, gjatë persekutimit tè Julianit Apostat.
Edhe rrëfimi i martirologut romak përkon me këtë histori. Ka shumë mundësi që Juda,
i pagëzuar me emrin Qiriak, të ketë ikur nga Palestina për t’u vendosur në Itali,
duke u ndalur më në fund të Ankona. Këtu u zgjodh ipeshkëv, në një kohë kur krishterimi,
i sapo dalë nga klandestinit me ediktin e Milanos, njihte një lulëzim të paparë. Pas
shërbimit të gjatë ipeshkvnor, Qiriaku deshi të kryente shtegtimin e tij të fundit
nè Tokën e Shenjtë, për të parë përsëri vendet e Jezusit dhe të rinisë së vet. Por
këtu e priste shpata e persekutuesit të fundmë romak, Julianit Apostat, e kështu plaku
i shenjtë do të fitonte palmën e martirit për fenë e tij në Krishtin. Më vonë
reliket e ipeshkvit Qiriaku arritën mrekullisht në Ankona të mbyllura në një arkë
e cila, e shtyrë nga valët e detit, ishte ndalur në port. Për ta kujtuar këtë gojëdhënë
më 4 maj në Katedralen ankoniane shpërndahen tufa xunkthash të bekuar. Ndërmjet
dëshmive që tregojnë sa i lashtë është kulti i shenjtit, kujtojmë riprodhimin e figurës
së tij ndër monedha e monumente të Ankonës. Edhe vetë Kisha Katedrale, që më parë
i qe kushtuar shën Lorencit, në shekullin e XIV mori përfundimisht emrin e Shenjtit
Pajtor Qiriakut. Kisha mahnitëse, që sundon mbi qytetin nga lartësitë e kodrës Guasco,
është gjëja e parë që shikon shtegtari kur arrin në Ankona me rrugë tokësore apo detare.
Kujton kështu emrin e ipeshkvit të shenjtë, i cili gjithashtu arriti në qytetin e
Adriatikut së pari i emigrant, ashti si shumë shqiptarë e emigrantë të kombësive tjera,
e pastaj si bari shpirtëror e dëshmitar i Krishtit Shpëtimtar.