2012-05-03 10:30:26

Paraqiten përfundimet e plenares së Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, kushtuar ‘Pacem in Terris”.


Pranë Sallës vatikanase të Shtypit, u paraqitën përfundimet e punimeve të mbledhjes së 18-të plenare të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, përqendruar tek analiza e parimeve të Enciklikës “Pacem in Terris”, 50 vjet pas botimit.

Enciklika ‘Pacem in Terris’ vijon të jetë, edhe sot e kësaj dite, një nga bazat e Doktrinës shoqërore të Kishës. E vërteta, liria, solidariteti e drejtësia, janë parimet kryesore të dokumentit të Gjonit XXIII, që akoma sot, pas 50 vjetësh, e ndihmojnë njeriun të orientohet në vorbullën e shenjave të kohës.
Imzot Roland Minnerath, ipeshkëv i Dizhonit, një nga themeluesit e Akademisë Papnore, vuri theksin mbi rëndësinë e zhvillimit shoqëror e shkencor, që nuk mund të ketë kurrfarë vlere, në se nuk e vë në qendër të vëmendjes njeriun. E ky parim ka rëndësi të veçantë në kohët tona, të tronditura thellë nga kriza, që ka përfshirë botën e globalizuar, shpjegoi imzot Sànchez Sorondo, kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore. I vënë në jetë me sukses, mund të krijojë një rend të ri global, për t’i siguruar botës paqen.
Paqja, e kuptuar si pasuria më e madhe e përbashkët, nuk mund të realizohet nga subjektet e sotme, që drejtojnë globalizimin, siç janë, për shembull, tregjet, shpjegoi profesoresha Margaret Archer e Shkollës së Lartë Politeknike të Lozanës, anëtare e Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore. Kultura dhe informacioni, u theksua në përfundim, janë dy elemente themelore për zhvillimin pozitiv të shoqërive të reja. Prej këndej, përhapja e kulturës duhet parë si bazë e zhvillimit dhe e përpjekjeve për ndërtimin e një shoqërie më njerëzore, tokë pjellore, kjo, edhe për ungjillëzimin e ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.