2012-05-03 10:30:41

Nigeri: nxitje e nuncit apostolik për të mos iu nënshtruar logjikës së terrorit


“Këto sulme nuk godasin vetëm bashkësinë e krishterë, por mbarë popullsinë e vendit. Dje gazetat, spitalet; sot, kishat e shkollat: vihen, kështu, në shënjestër, simbolet e një vendi, që dëshiron të hyjë në rrugën e zhvillimit e të përmirësimit. Janë sulme kundër të gjithë nigerianëve”. Këtë pohoi, i pyetur nga agjencia Misna, të nesërmen e sulmeve gjakatare në Kano e Maiduguri, nunci apostolik, imzot Augustine Kasuja, për të cilin “dhuna është kancer, që duhet shkulur me rrënjë, për të mirën e të gjithëve”. Përfaqësuesi i Vatikanit në Abuzha pohon se opinioni publik nigerian është tejet i tronditur nga dhuna, që pati si pasojë vdekjen dhe plagosjen e njerëzve të pafajshëm, studentë e gazetarë, e që duket sikur nuk do të mbarojë kurrë. Edhe pas bombave, që plasën javën e kaluar në një ndërtesë të Bayero University në Kano, ku po kremtohej Mesha Shenjte, e në Maiduguri, ku një grup terrorist hapi zjarr kundër besimtarëve të mbledhur për t’u lutur, kronika njofton për sulme të reja. Në qytetin Jalingo, në lindje të vendit, kufi me Kamerunin, shtatë vetë mbetën të vrarë, pas një shpërthimi pranë një stacioni policie. Në vend mbretëron frika. Dhe është e natyrshme, sepse terroristët godasin papritmas vendet më simbolike, ose vendet ku mblidhen turma njerëzish, si stacionet hekurudhore, sheshet, aeroportet. E pikërisht ky tip sulmesh duhet shmangur. Terroristët synojnë të krijojnë në vend atmosferën e pasigurisë e të kaosit, vëren në vijim imzot Kasuja, sepse kështu janë të sigurtë se godasin zemrën e shetit.Nunci ka denoncuar disa herë, me guxim, se Boko Haram është i lidhur me mjediset e politikës nigeriane. Nigeria nuk duhet t’i nënshtrohet logjikës së terrorit, e cila synon t’i zërë frymën çdo forme të dialogut, i vetmi mjet, që mund të ndihmojë për të gjetur një rrugëdalje të drejtë nga kjo situatë tejet e vështirë, që ndokush dëshiron të bëhet pa rrugëdalje. Prelati shton, në përfundim, se shumica e myslimanëve dhe e të krishterëve të vendit, kërkon pikërisht dialog, me bindjen se vetëm kështu mund të kapërcehet kriza, që mundohet të fshehë, pas parrullave boshe kulturore e fetare, problemet e mprehta, të pazgjidhura, ekonomike e politike në vend.









All the contents on this site are copyrighted ©.