2012-05-03 10:30:54

Mianamar: Ipeshkvijtë shprehin kënaqësinë për praninë e Aung San Su Çi në Parlament


Ipeshkvijtë e Mianmarit shprehin kënaqësinë për hapin e ri përpara të vendit aziatik, që i çel rrugën shpresave të reja: me betimin zyrtar, prijësja historike demokratike, Aung San Su Çi, hyri zyrtarisht në parlamentin birman, për të nisur veprimtarinë së bashku me anëtarët e tjerë të partisë së saj, Lidhja Kombëtare për Demokracinë. Pas thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, Aung San Su Çi vendosi të mos e bojkotojë këtë ngjarje të madhe, siç kishte njoftuar pak ditë më parë.
Imzot Raimond Sau Po Rei, kryetar i Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore ‘Drejtësi e paqe”, i pyetur nga agjencia Fides, komenton: “Jemi të lum, që u bë ky hap: besojmë se do të sjellë përmirësimin, ndryshimin dhe e risimin e vendit”. Shenjë e mirë për ardhmërinë, pas shumë shenjave të tjera, që i shikojmë ditë për ditë, pohon, plot shpresë, ipeshkvi. Por, para se të flitet për një epokë të re, kujton në vijim, duhet të jemi të kujdesshëm e të përmbajtur. Është më mirë ta quajmë fillesë e një faze të re, me që jemi përballë shumë sfidave, që duhen përballuar. Njëra prej tyre është pajtimi me pakicat etnike. Aktualisht është arritur armëpushimi në disa vatra konflikti, por situata mbetet ende e vështirë e problematike, për disa arsye, që lidhen me praninë e ushtrisë e edhe me ndikimin e fuqive të huaja në vend.
Kisha katolike, ndonëse përfaqëson pakicën, përfundon ipeshkvi, po punon në gjirin e shoqërisë krah për krah me popullin, me funksionarët civilë dhe me bashkësitë e tjera fetare, duke dhënë ndihmesën e vet në përtëritjen e gjithanshme të vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.