Shën Jozefi është fati i Marisë dhe mbrojtësi i Jezusit.
Shën Jozefi ka qenë me prejardhje të mbretërisë së Davidit, me profesion zdrukthëtar.
Shën Mateu, apostull dhe ungjilltar, thotë për të se ka qenë i drejtë, që domethënë
i virtytshëm dhe burri i shenjtë. Ka qenë i habitur kur e ka parë se Maria është shtatzënë,
pa e ditur se si kishte ndodhur kjo. Ka qenë i sigurt se është grua e ndershme dhe
për t`iu ikur thashethemeve dhe të gjitha gjërave negative që do të vijonin, ka vendosur
ta lëshojë fshehurazi.
E pra kur engjëlli i Zotit e mësoi se ajo ka mbetë shtatzënë
për virtyt të Shpirtit Shenjt, e pranoi pa frikë planin e Zotit. Me Marinë shkoi në
Betlehem për tu regjistruar dhe atëherë lindi Jezusi. Pastaj ka ikur në Egjipt me
kërcënimin e Herodit se ka për ta vrarë Jezusin. Ka shtegtuar me Jezusin dymbëdhjetë
vjeçar dhe me Marinë prej Nazaretit vendit të lindjes në Jerusalem dhe me brengosje
e ka kërkuar Jezusin, që kishte mbetur me popull. Për jetën e mëvonshme dhe kur ka
vdekur nuk dimë asgjë.
Nderim i Sh`Jozefit ka filluar rreth vitit 850 në Rajenau
(Reichenau), më vonë veçanërisht e kanë nxitur Shën Bernardi Klarvu-i (Clairvaux),
Shën Tereza e Avilës, Shën Françesk Salesi, Gjon Gersoni, françeskanët dhe papa Siksti
IV, i cili e ka futur festën e Shën Jozefit të obligueshme për tërë Kishën.
Në
popuj të ndyshëm në mënyra të ndryshme nderohet Shën Jozefi. Ai është pajtor i të
sëmurëve dhe atyre që janë në fill të vdekjes dhe është shembull i jetës familjare
dhe tregon se si duhet shërbyer Jezusit, shpëtimtarit të njeriut.
Edhe në Besëlidhjen
e Re Jozefi mbetet disi gjithmonë në prapavijë – nuk bie shumë në sy: asnjë fjalë
nuk është mbartur më vonë për të. Duket sikur ka mbetur pa gojë kur e dëgjon Zotin
në ëndërr dhe lejon të udhëhiqet prej tij. Edhe kur e sjellin Jezusin e vogël në tempull,
flet vetëm Maria (Lk 2, 41-51). Edhe për vdekjen e tij nuk flitet asgjë, Jozefi thjesht
largohet prej skenës.
Si Kisha ortodokse ashtu edhe ajo katolike e nderojnë
Jozefin si shenjtë. Në kishën e lindjes fillon kulti i Jozefit shumë herët. Për herë
të parë përmendet në një martirologji të perëndimit vetëm rreth vitit 850.
19
marsi ka qenë prej shekullit 10 dita e kujtimit të tij – qëllimisht i vendosur, për
ta zëvendësuar festën e Minervës, perëndeshës romake të punëtorëve. Prej vitit 1621
është festë në kalendarin romak. Kulti i Jozefit përhapet prej shekullit 14 veçanërisht
prej rregulltarëve.
Papa Klementi X me 1670 e ngrit ditën e Shën Jozefit në
ditë feste. Me 1714 e pasuron papa Klementi XI (shqiptar) festën me një formular të
veçantë të meshës dhe shërbesë të fjalës; papa Benedikti XIII e fut emrin e Jozefit
në litanitë e gjithë shenjtërve.
Papa Piu IX e emëron Jozefin në vitin 1870
për pajtor të krejt Kishës Katolike, kurse Papa Piu XI e emëron në vitin 1937 për
pajtor të të gjithë atyre që e luftojnë komunizmin. Festa e Shën Jozefit punëtor,
u vendos nga papa Piu XII në vitin 1955 si ditë përkujtim, që Jozefin duhej lidhur
me ditën e punës me 1 maj.
Edhe sot emri Jozef është i përhapur në mbarë botën
me qindra variante nacionale (në shqip: Zef, Jozef ... në gjermanisht: Joseph, Sepp,
Jupp, Beppo, Joop ose Joschka; kroatisht: Josip, Joska etj., italisht: Giuseppe ...
etj.).
Sot ekzistojnë shumë famulli dhe popuj që e nderojnë si pajtorin e tyre. Edhe
pse Jozefi nuk mund të barazohet me Marinë, Nënën e Zotit, që është Hirëplote, pikërisht
përvujtëria dhe besnikëria e tij, e bëjnë një shenjtë të madh, që dita ditës është
zbuluar. Një është e sigurt: roli i tij në historinë e shëlbimit është i pazëvendësueshëm.
Veçantia
e Virgjërës Mari, Zojës së Bekuar qëndron me mishërimin e Birit të Zotit në kraharorin
e saj duke u bërë kështu “Nëna e Hyjit”, që lind Shëlbuesin. Kështu vepra e Marisë
është ngjarje qendrore në historinë e shëlbimit.
Shkrimi Shenjt e paraqet Marinë
si Grua (Eva e dytë dhe nëna e të shëlbuarve), ajo qëndron me krejt qenien e saj deri
në “orën” e shpërblimit (nën kryq) me shenjtërinë e saj merr pozitën qendrore në historinë
e shëlbimit. Në rastin e saj Kisha katolike e sheh rastin absolut, radikal të shëlbimit
të njeriut, si e shëlbuar në mënyrë të përsosur dhe për këtë arsye si prototip i njeriut
të shëlbuar dhe të Kishës në përgjithësi. Para se të lindë Shëlbuesi Zoti e përgatiti
“vendin” për të “zbritur”. Ky “vend” i zgjedhur prej Zotit ishte Maria e lindur pa
mëkat të rrjedhshëm. Edhe pse anëtare e njerëzimit, edhe ajo i pësoi pasojat e mëkatit
të njerëzimit, për shkak të meritave të parapara të Zotit qe ngjizë pa mëkat të rrjedhshëm.
Ajo ishte hirëplote. Ajo për këtë arsye ka qenë gjithmonë e pa mëkat.
Dinjiteti
i Marisë ka qenë i pazbuluar në fillim për popullin, falë martesës legjitime me Jozefin
sipas ligjeve dhe adeteve hebraike. Maria e jeton jetën religjioze në format që i
praktikonte populli. Ajo e përcjell Jezusin deri në vdekje. Meqenëse si nënë dhe si
e zgjedhur e Zotit nuk mund të dyshohet se ka vdekur me një përsosmëri të vërtetë
të ekzistencës së saj tokësore, me fatin e të gjithë njerëzve duke e ndjekur të birin
e vet edhe në vdekje.
Ajo në ungjillin sipas Lukës thotë “që tani të gjitha
breznitë do të më quajnë të lumtur” (Lk 1,48), sepse e frymëzuar me Shpirtin Shenjt
sheh se me çmimin e veprës së Zotit në të po ndodh në mënyrë të papërsërithsme çmimi
i një madhështie gjithëpërfshirëse që Zoti ndonjëherë e ka bërë me njerëzimin. Si
Nënë e Hyjit i kushtohet nderimi i veçantë fetar, që nuk ka kurrfarë lidhje me adhurim.
Hiri i shenjtë që i është dhënë Zojës së Bekuar, i njëjti hir ndikon në zemrat
e të gjithë besimtarëve.