2012-05-02 09:54:53

Në muajin kushtuar Zojës së Bekuar, Benedikti XVI na fton të lutemi për misionarët.


Hymë dje në muajin kushtuar Zojës së Bekuar, duke kujtuar ndjetin e apostullimit të uratës të Benediktit XVI. Papa na fton të lutemi që Maria, Mbretëreshë e botës e Yll i ungjillëzimit, t’i shoqërojë të gjithë misionarët në kumtimin e Birit të Saj. Por, si lindi tradita e muajit marian në Kishë? Pyetëm atë Salvatore Perel-ën, rregulltar i urdhërit ‘Shërbëtorët e Marisë’ dhe drejtor i Fakultetit Teologjik Marianum:RealAudioMP3

Përgjigje: - Duhet të themi se populli i krishterë, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, i ka kushtuar gjithnjë disa ditë, disa javë ose një muaj Virgjërës Nënë. Me Koncilin II të Vatikanit, muaji Maj iu kushtua plotësisht Marisë, në përkim me devocionin e lashtë popullor. Maji është muaj i luleve, muaj i diellit, që nuk djeg, por ndritë e freskon, muaj kur gjithçka ringjallet e nis një jetë të re. Ta nderosh Marinë me frymën e kultit të krishterë, thoshte Pali VI, është detyrë e Kishës, e edhe detyrë e gjithë të krishterëve. Posaçërisht për ne, të krishterët, maji është muaj, që na kujton se kemi një Nënë, të bukur, të mirë, shenjte, e cila na fton të mos ia ndajmë sytë Diellit, Birit të saj.

Pyetje: - Në kohë të vështira për të krishterët e persekutuar në vise të ndryshme të botës, Benedikti i fton besimtarët t’i luten Zojës së Bekuar për misionarët. Pse është e rëndësishme t’i lutemi Zojës së Bekuar?

Përgjigje: - Është themelore për krishterimin të ketë një ndihmë njerëzore e hyjnore, atë të Nënës së Zotit. T’i lutesh Marisë, të lutesh si Maria, të lutesh me Marinë, janë të gjitha porosi, që burojnë nga reforma e Koncilit dhe nga Marialis Cultus, e Palit VI, që Benedikti XVI e njeh fort mirë. E kjo pasqyrohet edhe në predikimin marian të Papës Benedikti, i cili na mëson se Maria është Nëna e krishterimit, sepse Dishepulle, sepse Grua e Fjalës, Grua e lutjes. Prej këndej, Maria, siç impenjohej në jetë, impenjohet edhe në amshim për t’i ndjekur, me ndërmjetësi, gjithë bijtë e Saj, posaçe ata, që persekutohen, që shtypen, mbyten, diskriminohen për shkak të fesë. Prej këndej, është e drejtë të lutesh për këta dëshmitarë të mëdhenj, të vërtetë të fesë. E Maria i ka shumë për zemër dëshmitarët e fesë, ashtu si na kujton Papa në motus proprio Porta Fidei: Maria lutet, lutet përherë, pambarimisht, e na kërkon edhe ne jo vetëm të lutemi, por edhe ta jetojmë fenë, ta dëshmojmë Ungjillin e Krishtit, Ungjill i paqes, i tolerancës, i identitetit. Ta dëshmojmë me fjalë e me vepra dashurie të krishterë. Ne jemi bijtë e Hyjit në Jezu Krishtin, e Maria na e kujton këtë, ashtu si na e kujtojnë edhe dëshmitarët e fesë, që kohët e fundit mbartin barrën e rëndë të fanatizmave të papranueshme, çnjerëzore e, sidomos, në kundërshtin të plotë me çdo fe.

Pyetje: - Atë Perela, a mund të themi se devocioni marian mbetet aq i gjallë sa, në një farë mënyre, të kapërcejë kufijtë ndërmjet fesë, arsyes e ndjenjës?

Përgjigje: - Devocioni i vërtetë, na kujton Koncili, lind nga feja e vërtetë; e feja ç’mund të jetë tjetër, veçse bashkim i mendjes e i zemrës njerëzore me Zotin, që na dëftohet? Kështu shkrirja e arsyes, e fesë dhe e ndjenjës, tregon se njeriu i afrohet Zotit në tërësi. Kemi parasysh shembullin e Marisë, e cila i shërbeu misterit të Krishtit me fe, arsye e ndjenjë. Ajo na kujton se zemra e devocionit marian është pikërisht ky harmonizim i gjithanshëm, që e nxit njeriun të kërkojë Zotin. Ne duam ta njohim Zotin, e jo vetëm ta njohim, por edhe të arsyetojmë për Zotin, ndonëse Jezusi na kujton se mendimet e Tij, nuk janë mendimet tona. Ja pra, për çfarë kemi nevojë: arsyeja nuk mjafton, duhet edhe feja, në mënyrë që mendja të përkojë me zbulesën hyjnore e ta pranojë atë. Vjen, pastaj, ndjenja: nuk duhet të harrojmë se Jezusi ishte zemërbutë e i përvujtë, prej këndej, zemërbutësia, dashuria, bamirësia, janë pjesë përbërëse të përvojës fetare. E në devocionin e vërtetë, që di ta dallojë mirë Krijuesin nga krijesa, këto tre elemente mund e duhet të harmonizohen. Siç uron edhe Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.