Në muajin kushtuar Zojës së Bekuar, Benedikti XVI na fton të lutemi për misionarët.
Hymë dje në muajin kushtuar Zojës së Bekuar, duke kujtuar ndjetin e apostullimit të
uratës të Benediktit XVI. Papa na fton të lutemi që Maria, Mbretëreshë e botës e Yll
i ungjillëzimit, t’i shoqërojë të gjithë misionarët në kumtimin e Birit të Saj. Por,
si lindi tradita e muajit marian në Kishë? Pyetëm atë Salvatore Perel-ën, rregulltar
i urdhërit ‘Shërbëtorët e Marisë’ dhe drejtor i Fakultetit Teologjik Marianum:
Përgjigje:
- Duhet të themi se populli i krishterë, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim,
i ka kushtuar gjithnjë disa ditë, disa javë ose një muaj Virgjërës Nënë. Me Koncilin
II të Vatikanit, muaji Maj iu kushtua plotësisht Marisë, në përkim me devocionin e
lashtë popullor. Maji është muaj i luleve, muaj i diellit, që nuk djeg, por ndritë
e freskon, muaj kur gjithçka ringjallet e nis një jetë të re. Ta nderosh Marinë me
frymën e kultit të krishterë, thoshte Pali VI, është detyrë e Kishës, e edhe detyrë
e gjithë të krishterëve. Posaçërisht për ne, të krishterët, maji është muaj, që na
kujton se kemi një Nënë, të bukur, të mirë, shenjte, e cila na fton të mos ia ndajmë
sytë Diellit, Birit të saj.
Pyetje: - Në kohë të vështira për të krishterët
e persekutuar në vise të ndryshme të botës, Benedikti i fton besimtarët t’i luten
Zojës së Bekuar për misionarët. Pse është e rëndësishme t’i lutemi Zojës së Bekuar?
Përgjigje:
- Është themelore për krishterimin të ketë një ndihmë njerëzore e hyjnore, atë
të Nënës së Zotit. T’i lutesh Marisë, të lutesh si Maria, të lutesh me Marinë, janë
të gjitha porosi, që burojnë nga reforma e Koncilit dhe nga Marialis Cultus, e Palit
VI, që Benedikti XVI e njeh fort mirë. E kjo pasqyrohet edhe në predikimin marian
të Papës Benedikti, i cili na mëson se Maria është Nëna e krishterimit, sepse Dishepulle,
sepse Grua e Fjalës, Grua e lutjes. Prej këndej, Maria, siç impenjohej në jetë, impenjohet
edhe në amshim për t’i ndjekur, me ndërmjetësi, gjithë bijtë e Saj, posaçe ata, që
persekutohen, që shtypen, mbyten, diskriminohen për shkak të fesë. Prej këndej, është
e drejtë të lutesh për këta dëshmitarë të mëdhenj, të vërtetë të fesë. E Maria i ka
shumë për zemër dëshmitarët e fesë, ashtu si na kujton Papa në motus proprio Porta
Fidei: Maria lutet, lutet përherë, pambarimisht, e na kërkon edhe ne jo vetëm të
lutemi, por edhe ta jetojmë fenë, ta dëshmojmë Ungjillin e Krishtit, Ungjill i paqes,
i tolerancës, i identitetit. Ta dëshmojmë me fjalë e me vepra dashurie të krishterë.
Ne jemi bijtë e Hyjit në Jezu Krishtin, e Maria na e kujton këtë, ashtu si na e kujtojnë
edhe dëshmitarët e fesë, që kohët e fundit mbartin barrën e rëndë të fanatizmave të
papranueshme, çnjerëzore e, sidomos, në kundërshtin të plotë me çdo fe.
Pyetje:
- Atë Perela, a mund të themi se devocioni marian mbetet aq i gjallë sa, në një
farë mënyre, të kapërcejë kufijtë ndërmjet fesë, arsyes e ndjenjës?
Përgjigje:
- Devocioni i vërtetë, na kujton Koncili, lind nga feja e vërtetë; e feja ç’mund
të jetë tjetër, veçse bashkim i mendjes e i zemrës njerëzore me Zotin, që na dëftohet?
Kështu shkrirja e arsyes, e fesë dhe e ndjenjës, tregon se njeriu i afrohet Zotit
në tërësi. Kemi parasysh shembullin e Marisë, e cila i shërbeu misterit të Krishtit
me fe, arsye e ndjenjë. Ajo na kujton se zemra e devocionit marian është pikërisht
ky harmonizim i gjithanshëm, që e nxit njeriun të kërkojë Zotin. Ne duam ta njohim
Zotin, e jo vetëm ta njohim, por edhe të arsyetojmë për Zotin, ndonëse Jezusi na kujton
se mendimet e Tij, nuk janë mendimet tona. Ja pra, për çfarë kemi nevojë: arsyeja
nuk mjafton, duhet edhe feja, në mënyrë që mendja të përkojë me zbulesën hyjnore e
ta pranojë atë. Vjen, pastaj, ndjenja: nuk duhet të harrojmë se Jezusi ishte zemërbutë
e i përvujtë, prej këndej, zemërbutësia, dashuria, bamirësia, janë pjesë përbërëse
të përvojës fetare. E në devocionin e vërtetë, që di ta dallojë mirë Krijuesin nga
krijesa, këto tre elemente mund e duhet të harmonizohen. Siç uron edhe Benedikti XVI.