2012-05-01 17:13:15

Sot Kisha kremtoi Shën Jozefin Punëtor


Sot, më 1 maj, Kisha përkujtoi Shën Jozefin Punëtor.
Në Ungjill Jezusi quhet “i biri i marangozit”. Prej këndej, duke përkujtuar Shën Jozefin, nuk mund të mos kujtojmë edhe dinjitetin e punës njerëzore, si e drejtë e detyrë, që i krijon njeriut mundësinë të sundojë mbi gjithësinë, t’i shërbejë bashkësisë, të bashkëpunojë me Zotin në veprën e Krijimit, të japë ndihmesën e vet në Planin e Shëlbimit.
Ky përkujtim liturgjik u themelua nga Papa Piu XII më 1955, në përkim me festën e punëtorëve, që kremtohet në mbarë botën më 1 maj.
Shën Jozefi është model i punëtorit të zellshëm, që e mban familjen me djersë të ballit. Është edhe mësuesi i parë i punës për Birin e Zotit, i cili pikërisht në punishten e tij nisi punën e zakonshme ndërmjet njerëzve, në heshtje, pa asnjë bujë. Prej këndej, në sa në të katër anët e botës kremtohet festa e njerëzve të punës, punëtorët e krishterë e nderojnë Marangozin e shenjtë si model e pajtor.
Nën mbrojtjen e tij janë vënë urdhëra e kongregata rregulltare, shoqata e bashkësi të përshpirtshme, kisha e famulli, meshtarë e laikë, të ditur e të paditur. Ndoshta pak kush e di se Papa Gjoni XXIII, shpallur prej kohe i Lum, kur u ul në fronin e Shën Pjetrit, deshi të quhej Papa Jozef, sepse kishte një devocion të thellë për Marangozin e Shenjtë të Nazaretit. Pastaj iu desh të marrë emrin Gjon, që e patën 25 papë, ndërsa, çuditërisht, asnjë nuk e zgjodhi këtë emër të madh, e njëkohësisht, të heshtur, të panjohur, Jozef. Emër i një njeriut, që kreu pa bujë, një nga misionet më të mëdha të historisë së njerëzimit: e mori për dore në hapat e para të jetës mbi tokë, vetë Zotin, duke u bërë një nga figurat më të spikatura të historisë së shëlbimit.
Në Besëlidhjen e Re kujtohet pak e aspak. Kur Jezusi nisi jetën e tij publike, ai ndoshta kishte vdekur, gjë që e tregon edhe mungesa përkrah Marisë në Dasmën e Kanës. Nuk e dimë ku e as kur vdiq. Nuk e dimë as se ku e ka varrin, por vijojmë ta kujtojmë me epitetin e Ungjillit:“I Drejti”! E sot shtojmë edhe epitetin tjetër, që përkon me festën: “Njeriu i punës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.