2012-04-30 18:24:51

Në Francë u Lumnua atë Tulorzh, “martir i së vërtetës”.


Dje pasdite, në Katedralen e Kutansës, qytezë franceze e Normandisë së Poshtme, u lartua në nderimet e elterit, atë Pierre-Adrian Tulorzh, murg premostratens, që iu pre koka në gijotinë gjatë Revolucionit francez e që Papa e kujtoi në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke falënderuar Zotin për dhuratën e një martiri të ndritshëm të së vërtetës. Ritin e lumnimit e kryesoi kardinali Anxhelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.RealAudioMP3

I veshur me një pallto të gjatë, të gjelbër, kopsitur deri në grykë; me mjekrën e sapo rruar, si ai që përgatitet për festë e me flokët lidhur pas zverkut, për të lehtësuar punën e xhelatit - kështu u paraqit, të dielën pasdite, më 13 dhjetor 1793, atë Tulorzh, 37 vjeç, para gijotinës, makinë e tmerrshme e vdekjes, shpikur nga revolucioni francez. Franca revolucionare i hapte, kështu, rrugën, shpikjeve të reja në lëmin e mjeteve më të rafinuara të torturës, që do ta shoqëronin gjithnjë historikisht, fjalën “revolucion”.
Murgu-djalosh ecte mes turmës potermadhe, duke lënë pas çdo hapi, një heshtje mortore. Turma nuk heshtëte, e tmerruar nga ajo që do të shikonte pas pak. Kur koka e një djali të ri do të rrokullisej përdhe nën tehin e armës, përdorur për herë të parë në këtë qytezë. Turma mbetej pa gojë përballë fytyrës së qetë të murgut, ndriçuar nga një dritë krejt e pazakontë. “Ç’do të thoshte bota, po të shikonte se, pasi kemi hequr dorë prej saj, e kemi tepër vështirë ta lëmë?”. “Ç’do të thoshte, në se ne, që u predikojmë njerëzve një jetë më të mirë, do të druheshim para një mjeti, i cili na shkëput nga kjo botë, për të na hapur shtegun drejt një bote më të mirë?”. “Asaj, që e kemi predikuar gjithë jetën nga elteri, e që tani do të mund ta shikojmë me sytë tanë, të cilët do të rihapen në një tokë të re e në një qiell të ri?”. “Si është e mundur që mua, mëkatar i shkretë, Zoti më fal gëzimin të kurorëzohem me martirizim?”. Këto ishin mendimet e fjalët e fundit të djaloshit-murg, që e përballoi martirizmin për të mos hequr dorë nga drita, për të mos e quajtur errësirë, siç theksoi edhe kardinali Amato:
Thoshte i Lumi Gjon Pali II: “Martirët, e më gjerësisht, të gjithë shenjtorët e Kishës, bëjnë që të tingëllojnë gjithnjë aktuale fjalët e profetit: “Mjer ata, që të mirën e quajnë të keqe e të keqen të mirë; që terrin e mbajnë për dritë e dritën për terr; të hidhurën për të ëmbël e të ëmblën për të hidhur” (Is 5,20).
Atë Tulorzh ishte plot gëzim, sepse e dinte që së shpejti do të shikonte fytyrën e Zotit, prandaj e la pas botën pa u ankuar, siç shkruan në tri letrat e lamtumirës, drejtuar përkatësisht të vëllait, një miku e një njeriu të tretë, që mbetet i panjohur: “Ju uroj bekimin e Zotit, në duart e të cilit po e lëshoj shpirtin tim”. Nuk ishte i pari rregulltar, që flijohej në kohë revolucioni, e as do të ishte i fundit. Gjatë revolucioneve, në të katër anët e botës, do të binin nën tehun e gijotinës, nën breshëritë e mitrolozave, nën mizorinë e torturave në bimsat, drejtuar nga ideja se njeriu bëhej i ri, duke u trajtuar si kafshë, mijëra e mijëra njerëz, vetëm pse i shërbyen një çështjeje të shenjtë. Që nga njerëzit e Kishës, tek luftëtarët e thjeshtë, të paemër të lirisë së vërtetë. Janë flijet e kohës së terroreve, kudo e kurdo që sundojnë.
Në vjeshtën e vitit 1793 filloi faza më mizore e Revolucionit francez, ajo e Terrorit. Priftërinj e rregulltarë, besnikë të Romës, u persekutuan, u burgosën, u ekzekutuan masivisht, me e pa gjyq. Martiri i ri, duke mos pranuar të nënshkruante betimin për besnikëri ndaj revolucionit, u detyrua të kalonte në klandestinitet. Jetoi i fshehur, duke medituar fjalët e Krishtit: “Kur flisni, ‘jo’-ja juaj të jetë ‘jo’ e ‘po’-ja, po! Domethënë, çdo fjalë të jetë gjithnjë e vërtetë, e jo dredharake.
I arrestuar në shtator 1793 dhe i dënuar me vdekje, Atë Tulozhë u kujtua dje në Francë si martir i së vërtetës, model për kohët tona, siç theksoi edhe kardinali Amato:
Martirizimi i tij është ftesë për ta jetuar besnikërisht e pa lëkundje bashkimin me Jezusin, pavarësisht nga plagët e vuajtjet e të gjitha llojeve, që shoqëria moderne i hap Ungjillit, me idelogjitë e gabuara mbi zanafillën e jetës njerëzore, mbi abortin, mbi martesën edhe eutanazinë. Ta lusim të Lumin e ri, të na ndihmojë t’i bëjmë ballë, me hir e lutje, kësaj kulture të vdekjes, duke pranuar me gëzim edhe flijimet më të mëdha, për t’i qëndruar gjithnjë besnikë Krishtit, udhë, vërtetësi, jetë!”.Ndokush mund të mendojë se po tregojmë përralla me gijotinë, për të trembur ata, që nuk tremben nga Zoti. Po kjo s’është përrallë. Është histori e vërtetë. E dëshmon i Lumi i ri, i lartuar në elter në Francën, që ia preu kokën. E dëshmojnë edhe qindra martirë të fesë e të lirisë në Shqipëri, të cilët u sulmuan, u fyen, u arrestuan, u torturuan, u vranë e tani po bëhet çmos për t’i tjetërsuar historikisht e, sidomos, për t’i harruar! Por të krishterët nuk e humbasin kurrë shpresën, edhe kur i harrojnë. E dinë mirë se Zoti vonon, por arrin gjithnjë në kohën e duhur!







All the contents on this site are copyrighted ©.