2012-04-30 18:07:18

Benedikti XVI: “Pacem in Terris” mund t’i mësojë shumë botës së sotme.


Enciklika e famshme e Gjonit XXIII “Pacem in Terris” vijon t’i mësojë epokës sonë ç’duhet të bëjë, për të siguruar paqen e për të mbrojtur drejtësinë. Këtë pohon Benedikti XVI, në mesazhin drejtuar sot mbledhjes plenare të Akademive Papnore të Shkencave Shoqërore, që vijon prej disa ditësh në Vatikan.
Kur u shkrua Enciklika, bota kishte nisur të tmerrohej nga rreziku i përdorimit të armëve bërthamore, që mund ta bënin pluhur e hi. Atëherë Gjoni XXIII vendosi t’i flasë mendjes e zemrës së njerëzimit, që nuk harron asgjë, madje vijon të rrahë gjithnjë për vlerën universale të paqes. Kështu, shkruan Papa, Enciklika mori pamjen e një letre të hapur, drejtuar botës. Ishte thirrje e një Bariu të madh, që numëronte çastet e fundit të jetës, me dëshirën për t’i parë paqen e drejtësinë të siguruara e të mbrojtura kudo.
Kjo letër, shkruar 50 vjet më parë, nënvizon Benedikti XVI, i flet akoma botës së globalizuar, na flet ne e na mëson se duhet të luftojmë për t’i përballuar sfidat e reja në favor të paqes e të drejtësisë, në epokën pas Luftës së Ftohtë, në një botë, që vijon të armatoset deri në dhëmbë.
Papa Gjoni, nënvizon Benedikti XVI, vijon t’i ftojë për dialog krijues botën e Kishën, besimtarët e jo besimtarët, me shpirtin e Koncilit II të Vatikanit, që niste pikërisht me shtytjen e Papës Ronkali. Ftesë kjo, që vijoi me Gjon Palin II , pas sulmeve terroriste të shtatorit 2001, me nënvizimin se drejtësia pa falje mbetet thjesht utopi.
Mesazh shërimi e shprese është edhe ai i Sinodeve të Kishave të Afrikës e të Lindjes së Mesme në të cilat, kujton Benedikti XVI, u pohua me forcë se padrejtësitë historike mund të kapërcehen vetëm me rrugën e faljes, që të ndihmon të dalësh nga rrethi veskeq i dhunës. Të impenjohemi pra, përfundon Papa, në luftën për paqe e drejtësi, plot besim se përpjekja jonë për një botë ku respektohet çdo njeri, nuk do të mungojë të japë fryte të begata.







All the contents on this site are copyrighted ©.