2012-04-28 18:03:00

Mesha e Papës për shugurimin e diakonëve. Intervistë me rektorin e Seminarit të Madh të Romës


Papa Benedikti XVI do të kremtojë nesër paradite në Shën Pjetër, Meshën për shugurimin e nëntë diakonëve të dioqezës së Romës, në Ditën, që Kisha Katolike ia kushton lutjeve për thirrjet në meshtari e në jetën e shuguruar. Së bashku me Atin e Shenjtë, kremton Meshën edhe vikari i përgjithshëm për dioqezën romake, Agostino Valini. Është ngjarje e rëndësishme për të gjithë klerin, por sidomos për Seminarin e Madh të Romës, ku janë përgatitur meshtarët e rinj. Të dëgjojmë rektorin e këtij Seminari, imzot Konçeto Okipinti:
Mendimi i parë që të vjen në mendje janë shtatë vjetët e seminarit, të orientuar që të gjitha drejt këtij shugurimi meshtarak. Kandidatët kanë marrë pjesë në ushtrimet shpirtërore, që i shoqëruan deri në këtë ditë, duke i vënë vulën rrugës së gjatë të formimit në seminar. Predikimet e ushtrimeve shpirtërore i mbajti pikërisht kardinali Valini, i cili deshi të bëjë këtë shërbim atëror për ta.
Cilat janë ndjenjat tuaja pas kësaj ngjarjeje?
Janë ndjenja, që më sjellin gëzim e dridhje njëkohësisht. Jam i vetëdijshëm se dhurata e çmuar e meshtarisë vendoset në vazo prej balte, siç thotë Shën Pali, e si e tillë, ka nevojë të mbrohet nga lutja e nga dashuria e bashkësisë së krishterë. Por edhe gëzimi është i madh, kur mendoj për hirin, për ngushëllimin, për shpresën që do të arrijë në zemrat e shumë njerëzve përmes shërbimit të këtyre meshtarëve.
Që nga fillimi i papnisë, e edhe kohët e fundit, Benedikti XVI ka treguar vëmendje e kujdes të madh për meshtarët. Sa ndjehet kjo afërsi e Papës nga kandidatët për meshtarë?
Seminaristi, që e jeton me shpirt rrugën e vet të formimit, nuk mund të mos provojë dashuri për figurën, për misionin e për vetë personin e Atit të Shenjtë. Seminaristët tanë romakë kanë mundësinë të jenë më afër Atit të Shenjtë, pasi ai është ipeshkvi i tyre. Vërtet, Ati i Shenjtë vjen çdo vit në mesin e tyre, në Seminarin e Madh, me rastin e festës së Zojës së Besimit. Në vizitën e 15 shkurtit, gjatë darkës me seminaristët, pikërisht njëri nga diakonët, që morën shugurimin sot, don Alfredo, duke e përshëndetur, i kujtoi Papës se hyrja e tij në seminar përkonte me fillimin e papnisë së Benediktit XVI më 2005. Shprehu kështu, me një detaj fare të vogël, gëzimin e vet për lidhjen, që ndjente me Atin e Shenjtë.
Urimi juaj për këta meshtarë të rinj…
U uroj që në jetën e tyre si meshtarë, lutja e shërbimi të jenë dy pole, që e ndriçojnë dhe e pasurojnë vazhdimisht njëri-tjetrin në orbitën e dashurisë e të bamirësisë. Uroj që të jenë të përvuajtur e të kenë guximin për ta vendosur gjithnjë lutjen në vendin e parë të impenjimeve, duke e jetuar si hapësirë intimiteti e miqësie me Zotin, e duke u kujtuar se, para së gjithash, Jezusi i thirri të Dymbëdhjetët të rrinin me Të. Uroj gjithashtu, që meshtarët e rinj ta përjetojnë shërbimin si përvojë e pasur kishtare, në gjendje të kuptojë karizmat e besimtarëve e të frymëzojë vazhdimisht bashkimin e marrëdhëniet e qeta e të mira ndërmjet tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.