2012-04-28 18:04:05

Editorial i atë Lombardit: “Për ju e për shumë njerëz”


Më 17 tetor 2006, kardinali Frensis Arinxe, Prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor, lajmëroi të gjitha Konferencat ipeshkvnore të botës se “me direktivë” të Papës Benedikti XVI, pas një reflektimi të gjatë dhe pas sondazheve në vende të ndryshme, do të ndryshohej formula e shugurimit të bukës e të verës në Meshën katolike, duke rivendosur formulën e lashtë të Ritit Romak, gjithnjë në fuqi. Pra në vend të formulës së reformës liturgjike të vitit 1969, që thotë: “Merrni e pini të gjithë prej tij: ky është kelku i Gjakut tim, i besëlidhjes së re dhe të amshuar, që do të derdhet për ju e për të gjithë njerëzit në shpërblim të mëkateve” do të shqiptohej po ajo, por fjalët “për ju e për të gjithë njerëzit” do të zëvendësoheshin nga “për ju e për shumë njerëz”.
Termi “për të gjithë njerëzit”, që nuk haset në Ungjij, u përdor nga Papa Pali VI për qëllime katekizmi, por termi i vërtetë, që përmendet në Ungjijtë sipas Mateut e sipas Markut, është “për shumë njerëz” (“pro multis”, “uper pollòn”). Ai na lë të kuptojmë se për të fituar shëlbimin, duhet të bëjmë pjesë në këtë grup, ku ndodhen shumë njerëz, por jo të gjithë, pasi nuk shpëtojnë ata që vdesin në mëkat mortar. Kësaj çështjeje i referohet komenti i sotëm javor i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili merr shkas nga letra, që Papa u dërgoi ipeshkvijve gjermanë, menjëherë pas Pashkëve. Ta dëgjojmë:

“Ç’bëri Papa në Kastelgandolfo në javën pas Pashkëve? Mori kartë e penë dhe shkroi në gjuhën e vet, një letër pak si të veçantë, drejtuar ipeshkvijve gjermanë, të cilët e publikuan pas disa ditësh. Ka të bëjë me përkthimin e fjalëve, që thuhen gjatë shugurimit të kelkut me gjakun e Zotit tonë, Jezu Krishtit, gjatë meshës. Përkthimi “për shumë njerëz”, më besnik ndaj tekstit biblik, duhet preferuar në krahasim me termin “për të gjithë njerëzit”, i cili kishte për qëllim ta bënte më të dukshme universalitetin e shëlbimit, që solli Krishti. Ndokush do të mendojë se kjo temë ka të bëjë vetëm me specialistë të hollë. Në të vërtetë, na bën të kuptojmë se ç’është e rëndësishme për Papën e me ç’frymë shpirtërore i përballon ai problemet. Për Papën, fjalët e themelimit të Eukaristisë janë absolutisht të rëndësishme; kemi të bëjmë me zemrën, thelbin e jetës së Kishës. Me termin “për shumë njerëz”, Jezusi identifikohet me Shërbëtorin e Jahve, të shpallur nga Isaia profet. Duke përsëritur këto fjalë shprehim më mirë një besnikëri të dyfishtë: besnikërinë ndaj fjalës së Jezusit dhe besnikërinë e Jezusit ndaj fjalëve të Shkrimit Shenjt. Fakti që Jezusi vdiq për shpëtimin e të gjithëve është jashtë çdo dyshimi, prandaj është detyrë e çdo katekisti të mirë t’ua shpjegojë këtë besimtarëve, por, njëkohësisht, duhet t’u shpjegojë edhe kuptimin e thellë të fjalëve të themelimit të Eukaristisë. Zoti e dhuron vetveten “për ju e për shumë njerëz”: e ndjejmë veten të përfshirë drejtpërdrejt dhe me mirënjohje, marrim përsipër edhe ne përgjegjësinë për shëlbimin, që u premtohet të gjithëve. Papa – i cili e ka trajtuar këtë çështje edhe në librin e tij për Jezusin – na jep një shembull të thellë e tërheqës katekizmi mbi disa nga fjalët më të rëndësishme të fesë së krishterë. Një leksion dashurie e respekti të jetuar për Fjalën e Zotit, një reflektim teologjik e shpirtëror i nivelit tejet të lartë e thelbësor, për ta jetuar më thellë Eukaristinë. Papa përfundon duke thënë se gjatë Vitit të Fesë duhet të impenjohemi në këtë drejtim. Shpresojmë që ta bëjmë seriozisht”.








All the contents on this site are copyrighted ©.