2012-04-27 18:50:47

Kryeipeshkvi i Arecos, imzot Rikardo Fontana: “Kisha jonë e pret Papën me gëzim”


Më 13 maj, Benedikti XVI do të shojë në Areco, La Verna dhe në Sansepolkro të Italisë. Veprimtaritë kryesore në program janë Mesha e Lutja Mbretëreshës Qiellore në parkun e Arecos, takimi me françeskanët në Shenjtëroren e La Vernës dhe ai me qytetarët e Sansepolkros. Të dëgjojmë kryeipeshkvin e vendit, imzot Rikardo Fontana, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Kisha jonë e pret Papën me gëzim e padurim. U bënë pesë shekuj që një papë nuk ndalet në Sansepolkro!
Si do ta gjejë Papa popullsinë e zonës, në këtë kohë krize të jashtëzakonshme ekonomike për Italinë?
Në këtë çast, provinca jonë vuan nga varfëria: një ndër katër familje arrin me vështirësi në fund të muajit. Ati i Shenjtë na tha se dëshiron të vijë si bari i dashurisë e i bamirësisë. Duke ndjekur Veprat e Apostujve, kemi filluar të mbledhim fonde: kur të përfundojmë, do t’i vendosim të gjitha para Papës, që ai t’i përdorë për të ndihmuar më të varfërit. E gjithë vizita do të jetë shumë e përkorë. Papës do t’i ofrohet një dhuratë e vogël vetëm nga arpunuesit aretinë, pasi ky është “qyteti i arit”. Ata duan t’i japin Papës një kryq për ta varur në qafë, në atë që dëshiron të jetë një gjest thjesht simbolik. Ofertën më të madhe, arpunuesit do ta bëjnë për të varfërit.
Vizita e Papës në Areco përkon bukur me festën liturgjike të Zojës së Fatimës…
Po. Zoja e ndihmoftë Papën Benedikt, që e duam shumë! Na e ruajttë gjatë në krye të Popullit të Zotit, sepse siç di ai të flasë për Jezusin, pak të tjerë kanë ditur para tij. Na pëlqen ta dëgjojmë, na ndihmon të meditojmë, e kumton me delikatesë të jashtëzakonshme Fjalën e Zotit, na propozon një Kishë, që të entuziazmon akoma.








All the contents on this site are copyrighted ©.