2012-04-27 18:49:19

Komunikatë e Komisionit vatikanas për Kishën Katolike në Kinë: "qëndrojini besnikë Krishtit e Papës"


Nga data 23 deri më 25 prill u mblodh në Vatikan, në takimin e tij të pestë, Komisioni i ngritur nga Papa Benedikti XVI në vitin 2007 për të studiuar çështjet më të rëndësishme të jetës së Kishës Katolike në Kinë. Kësaj radhe, u diskutua gjerësisht për formimin e besimtarëve laikë, duke pasur parasysh “Vitin e Fesë”, që do të fillojë më 11 tetor 2012. Fjalët e Ungjillit: “Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve” (Lk 2,52) tregojnë më së miri detyrën, që kanë përpara katolikët në Kinë.
Së pari, u tha në mbledhje, ata duhet të thellohen në studimin e Katekizmit të Kishës Katolike. Së dyti, duhet të japin kontributin e tyre në punë e në shoqëri, duke treguar se e duan jetën dhe e respektojnë atë që nga zënia deri në fundin e saj të natyrshëm, se e duan familjen, se e duan atdheun dhe përpiqen për të mirën e përbashkët. Së treti, ata duhet të impenjohen në famulli e të mbështesin veprimtarinë e shoqatave e të lëvizjeve kishtare, që favorizojnë formimin e tyre shpirtëror.
Komisioni vuri në dukje se po rritet gjithnjë e më shumë numri i të pagëzuarve në Kinë, sidomos numri i të rriturve, që kërkojnë Sakramentin e Pagëzimit, prandaj vuri theksin mbi nevojën e formimit të tyre e të ndjekjes së të krishterëve pas marrjes së Pagëzimit, në mënyrë që besimtarët katolikë të jenë në gjendje të ungjillëzojnë popullin dhe kulturën në të cilën bëjnë pjesë.
Në mënyrë të veçantë, gjatë mbledhjes, u fol për ipeshkvijtë dhe meshtarët e burgosur, si edhe për ata, që regjimi akoma komunist kinez nuk u lejon ta kryejnë misionin e tyre si duhet. I kërkohet Kishës Katolike në mbarë botën të lutet për këta vëllezër në Krishtin, në mënyrë që të mos u mungojë feja dhe dëshira për të qëndruar të bashkuar me Papën e Romës. Gjendja në vend nuk është e lehtë. Akoma, organizma të krijuara nga Pekini, quajtur “Një shoqatë dhe një konferencë”, përpiqen të komandojnë jetën e bashkësisë kishtare pa pyetur për ipeshkvijtë. Gjithashtu, direktivat e qarta të Atit të Shenjtë, përshkruar në Letrën, që Benedikti XVI i ka drejtuar popullit kinez, nuk janë respektuar nga persona që kanë marrë shugurimin ipeshkvnor, pa pyetur Vatikanin e pa u ligjëruar prej tij. Në ditët e kaluara, disa prej tyre morën pjesë në shugurimet ipeshkvnore të autorizuara nga Kisha, ashtu siç bënë edhe disa ipeshkvij të ligjshëm, që morën pjesë në shugurime ipeshkvnore të pamiratuara nga Selia e Shenjtë. Komisioni vatikanas për Kinën vë në dukje se këto raste shkaktojnë shkandull në gjirin e popullit të Zotit dhe i fton ipeshkvijtë t’i kërkojnë falje Papës për këtë, siç kanë bërë disa prej sivëllezërve të tyre. Pavarësisht nga vështirësitë e situatës në Kinë, ungjillëzimi nuk mund të bëhet duke flijuar elemente thelbësore të fesë e të disiplinës katolike. Vërtet që vitet e fundit numri i thirrjeve për meshtari e për jetën e shuguruar është në rënie të ndjeshme, por kjo duhet t’i nxisë të gjithë besimtarët ta lusin Zotin të çojë punëtorë në vreshtin e vet. 24 maji i ardhshëm, festa e Zojës Ndihmëtare dhe Dita e Lutjes për Kishën në Kinë, do të jetë rasti i përshtatshëm për këtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.