2012-04-27 19:16:11

Fetë: Lëndë në shkollat shqiptare për besimet fetare


Vazhdojnë diskutimet në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në lidhje me ndryshimet, që pritet të pësojë arsimi parauniversitar në Shqipëri. Pardje, ishin pikërisht përfaqësuesit e katër bashkësive fetare, që paraqitën kërkesat e tyre në lidhje me këtë ligj. Kërkuan, konkretisht, që në shkolla të shtohet një lëndë e veçantë për besimet fetare, përmes së cilës nxënësit të kenë mundësi të marrin njohuri rreth fesë. Nga ana e komunitetit mysliman u kërkua që në shkollat publike të mos ndalohet me ligj shprehja e identitetit fetar. Kjo kërkesë lidhet me faktin se në shkollat publike të Shqipërisë është e ndaluar të manifestohen fe të ndryshme nëpërmjet simboleve të tyre, siç mund të jetë mbajtja e shamisë nga vajzat myslimane. Propozimet e bëra nga bashkësitë fetare do të diskutohen në këtë komision, por kryetarja e tij, Valentina Leskaj ka komentuar se shkollat publike janë laike dhe, sipas saj, duhet të mbeten të tilla. Prej një jave, drafti i ligjit për arsimin parauniversitar po shqyrtohet në Komisionin Parlamentar, ndërkohë që diskutimi i tij është shoqëruar me kundërshtime të forta nga grupet e interesuara. Kështu, në ditën kur projektligji u paraqit nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, deputetët e opozitës hodhën akuza dhe nxorën në pah një sërë shkeljesh në hartimin e tij. Ata e akuzuan këshilltarin e kryeministrit, Fatbardh Musai, për konflikt interesi në lidhje me tekstet shkollore, ndërkohë që patën rezerva edhe për faturën financiare të këtij ligji. Sipas Leskajt, projektligji për arsimin parauniversitar nuk është i shoqëruar me një faturë financiare dhe për pasojë nuk mund të hyjë në parlament për shqyrtim, duke e cilësuar në këtë mënyrë si jo real. Ky draft parashikon një sërë ndryshimesh për arsimin parauniversitar. Ndryshime thelbësore parashikohen për strukturën e arsimit bazë, ku pritet të kalohet nga struktura 5 + 4 në strukturën e re 6 + 3. Ndryshime parashikohen edhe në lidhje me gjuhën e huaj, e cila pritet të jepet si provim i detyrueshëm në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm.Na duket e arsyeshme të kujtojmë se përfshirja e mësimit të besimit në shkollat parauniversitare të shkallëve të ndryshme, jo vetëm nuk e cënon fare laicitetin e shkollës shqiptare, por u hap breznive të ardhshme, horizonte të reja, horizontet e kulturës së shpirtit. Një disiplinë e tillë nuk duhet parë e as nuk duhet pretenduar si mësim katekistik, sepse katekizmi e ka vendin kryesisht në institucionet fetare, në kishë e në familje. Mësimi i besimit mund të programohet në forma tejet të larmishme, që u interesojnë nxënësve të të gjitha besimeve. Në formën e historisë së feve, për shembull, të vlerave shpirtërore e artistike, që i dhuruan fetë njerëzimit, në formën e mendimit fetar të njeriut, që në zanafillë të jetës e të vetë fesë, pa kujtuar këtu forma të tjera të mundshme e plotësisht të realizueshme, sepse tashmë në botë për to ka një letërsi tejet të pasur pedagogjike e didaktike. Mjafton vullneti i mirë e heqja dorë si nga fanatizmi, ashtu edhe nga mendësia ateiste, që e shikon edhe sot e kësaj dite fenë si opium për njeriun, ndërsa historia e njerëzimit dëshmon se është dritë për mendjen e shpresë për zemrën njerëzore.Duke kujtuar përvojën e shkollave të huaja, nënvizojmë edhe se mësimi i besimit mund të mos jetë i detyrueshëm. Mund të ndiqet, ose jo, sipas dëshirës së vetë nxënësve e të familjeve të tyre. Por, për këtë problem mund të bëhen edhe shumë e shumë propozime të tjera, gjithnjë pa cënuar laicitein e shtetit e as besimin e nënshtetasve.







All the contents on this site are copyrighted ©.