2012-04-27 18:50:08

Enciklika “Pacem in Terris”, në qendër të plenares së Akademisë së Shkencave Shoqërore.


U hapën sot, në Vatikan, punimet e Plenares XVIII të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, kushtuar reflektimit për temat e Enciklikës “Pacem in Terris”, të Gjonit XXIII, botuar më 11 prill 1963. Këtij dokumenti të rëndësishëm dhe temave, që prek, do t’i kushtojnë diskutimet 35 anëtarët e Akademisë. Për hollësitë, intervistuam imzot Marcelo Sànchez Sorondo, kancelar i Akademisë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Është viti i dytë, që plenaria i kushton vëmendje të veçantë këtij dokumenti të madh, me titullin simbolik: “Paqe mbi Tokë”. Sot, pas 50 vjetësh, në dritën e tij, diskutohet edhe për ndryshimet, që ka pësuar bota si dhe për mundësinë për t’i vënë në jetë parimet themelore, të përcaktuara nga Gjoni XXIII: e vërteta, drejtësia, liria e dashuria e krishterë. E kjo ka vlerë si për individët, ashtu edhe për popujt. Natyrisht jemi para disa arritjeve të reja, si në fushën e shkencave, ashtu edhe në rendin shoqëror. Prej këndej mblidhemi për të reflektuar mbi aktualitetin e Enciklikës, në një mjedis 50 vjet më të përparuar.

Pyetje: - Ç’pengesa sjell shekullarizimi, në përpjekjen për të përballuar sfidat e kohëve tona?

Përgjigje: - Tema e shekullarizimit, natyrisht, është tejet e rëndësishme, në qendër të vëmendjes në takimin tonë, ashtu edhe në Vitin e Fesë, që përkon me këtë kremtim. Duam t’i rikthehemi edhe një herë asaj, që quhet “praeambula fidei”- “Hyrje në fe”, domethënë, hyrje në fe, përmes arsyes. Të ritheksojmë, pra, se natyra njerëzore, shpirti i pavdekshëm, ekzistenca e Zotit, janë gjëra që mund të arrihen me arsye. Duam të dëshmojmë se shkencat sot e krijojnë këtë hapësirë. Çdo shkencë, në se është e vërtetë, nuk mund të mos bashkëpunojë me fenë e të mos jetë pikërisht “hyrje” në fenë e njëmendtë.

Pyetje: - Një element tjetër i ri, interesant, që dëshmohet edhe nga prania e shumë ekonomistëve të njohur në këtë plenare të Akademisë së Shkencave Shoqërore, është edhe lidhja e botës së ekonomisë, të financës me jetën e përditshme të njerëzve...

Përgjigje: - Do të thosha se debati është hapur, e kjo vlen sidomos për tregun e zakonshëm: do ta shikojmë në diskutimet e Stiglitz-it, Draghi-t e Tietmeyer-it. Do të jetë shumë interesante t’i dëgjosh. E ndërmjet tjerash, duhet kujtuar se në plenare do të jetë i pranishëm edhe imzot Toso, që bëri dokumentin kushtuar Drejtësisë e Paqes, i cili na kujton dy gjëra shumë të rëndësishme: duhet që banka të bëjë dallime ndërmjet aspektit të financës e aspektit të ndihmës, që u jepet njerëzve përmes kredive: e dyta, jo vetëm që duhet dalluar financa nga banka, në kuptimin tradicional, por edhe të vendoset një taksë, “taksa Tobin”, me emrin e Çmimit Nobel për ekonominë James Tobin. Është fjala për një taksë, që ka të bëjë me vënien e tregjeve të valutës, në shërbim të sigurimit të burimeve për bashkësinë ndërkombëtare. Prej këndej, edhe kjo më duket një gjë të cilën, siç na e thotë me të drejtë, dokumenti i imzot Toso-s, duhet ta kemi mirë parasysh.







All the contents on this site are copyrighted ©.