Dita e thirrjeve meshtarake. Teologu Ratcinger në vitet ‘70-të: Kryqi, themel i meshtarisë.
Të dielën e ardhshme do të kremtohet Dita e 49-të botërore e lutjes për thirrjet meshtarake.
Benedikti XVI do të shugurojë nëntë diakonë të dioqezës së Romës, gjatë një Meshe
solemne, në Sheshin e Shën Pjetrit. Me këtë rast, po rikujtojmë disa fragmente të
një artikulli, shkruar nga teologu i asokohshëm, Jozef Ratcinger, botuar në gazetën
vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, më 28 maj 1970.
“Çështja e misionit meshtarak
në Kishë është bërë, papritmas, problem tejet i mprehtë. A ekziston ligjërisht meshtaria
sakramentore?”. Nis, kështu, me këtë pyetje themelore, një artikull i gjatë i Papës
së ardhshëm, botuar në pranverën e vitit 1970 në ‘L’Osservatore Romano’. Profesori
i asokohshëm i teologjisë pranë Universitetit të Regensburgut nënvizon, që në fillim,
se kriza e sotme duhet kapërcyer, duke dëgjuar me vëmendje mesazhin e zanafillës,
për t’u frymëzuar e për t’u udhëhequr përsëri prej tij. Jozef Ratzinger i prin lexuesit
në një analizë të apasionuar të Letrave të Shën Palit, për të arritur tek pohimi:
“nuk është e vështirë të vërtetohet se vetë Besëlidhja e Re e dëshmon, prej kohe,
bashkimin e apostullimit me meshtarinë. Kjo strukturë, shton, paraqitet si realitet
i përhershëm në Kishë, e duket që në shkrimet e Lukës. Ja, pra, shkruan teologu gjerman,
mund të themi se meshtaria në Kishë nuk është në kundërshtim me dëshminë e Besëlidhjes
së Re, por lidhet thellësisht me të”. Në këndvështrimin e historisë së feve, vëren
Ratcinger, meshtaria paraqitet si diçka krejtësisht e re, që nuk vjen nga shërbimi
priftëror në Tempull, sipas Besëlidhjes së Vjetër, e as nga ideja e “Meshtarisë mbretërore”,
e së njëjtës Besëlidhje. Vjen nga lidhja mesianike-apostolike. Është mision, për vijimin
e misionit të Krishtit. Askush, shton, nuk e kundërshton faktin se në historinë
e Kishës ka pasur shenja errësimi, gjë që nuk e vë në diskutim meshtarinë si e tillë,
por ne, njerëzit të cilëve u është transmetuar si detyrë. Në të vërtetë, pyet, a jemi
ne të sigurtë se paqartësia ekzistonte vetëm në kohë të tjera? Apor çdo kohë duhet
ta pranojë përsëri dhuratën e Zotit? Në pjesën përfundimtare të reflektimti të tij,
Papa i ardhshëm pohon se forca pastruese e hulumtimit historik është e rëndësishme,
por nuk mjafton, sepse mendimi e ka selinë e vet në jetë, e nga ajo i merr premisat
e edhe kufizimet. E shton: “Vetëm në se e pranojmë gjithnjë e përsëri në këtë tërësi,
detyrën që na ngarkon Zoti, mendimi ynë mund ta gjejë udhën e drejtë”. Meshtaria e
Krishtit, përfundon, përmbushet mbi kryq. Prej këndej, Kryqi mbetet themeli e qendra
e vazhdueshme e meshtarisë së krishterë, që mund të përmbushet vetëm duke e dhuruar
gjithë vetveten për Zotin e për njerëzit.