2012-04-26 12:07:08

Festa e Zojës së Këshillit të Mirë


Më 26 prill kremtohet një nga të kremtet më të dashura për besimtarët katolikë shqiptarë: Festa e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës.
Në Qytetin e Veriut të Shqipërisë, Shkodër, që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim e nderim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e krishterë katolike ndër shqiptarë, katolicizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kalvarit të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë otomane, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të qëndronte besnike, duke vuajtur porsi gjarpëri nën gur për shekuj e shekuj, duke mos mohuar identetin e vlerat kombëtare e shpirtërore.
E pikërisht në këtë kohë të pushtimit otoman, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës së Këshillit të Mirë u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga ëngjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan, afër Romës. Gojëdhëna tregon edhe se Figuren e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart qiellit, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figurja e Zojës së Këshillit të Mirë u zhduk nga sytë e tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme e Zojës së Bekuar kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467.
Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja qiellore e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan.
Figurja e Zojës së Këshillit të Mirë është e pikturuar mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Është e lartë 45 centimetra dhe e gjërë 40 centimetra. Duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar krejt pa flokë. Dikush ka thënë se është pikturuar kështu sepse në Shqipëri aso kohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin krejtësisht flokët.
Koha kur u krijua kjo vepër arti dhe autori i saj nuk dihen me siguri. Në se nisemi nga stili i punimit, do të përcaktonim shekullin XIV si periudhë kur u krijua vepra. Sipas mendimeve, e më shumë dëshirave të shprehura deri më sot nga studiuesit shqiptarë, piktura mund të jetë vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e shquar vendas, që përmenden në veprën e Gelçiçit.
Kjo figure, pra, nderohej në kishëzën dy herë të rrenuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa të Shkodrës, një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrenua për herë të dytë nga diktatura komuniste enveriane, të mos jetë lutur në heshtje Zotit, me ndërmjetësim të Zojës së Shkodrës, për ditë më të mira, me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret:
“O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.
E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët:
“Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.
E ndërsa besimtarët luteshin dhe luten në Kishën rrëzë Kështjellës së Shkodrës, mendja nuk mund të mos u fluturojë në Gjenacan, afër Romës, atje ku Zoja Mërgimtare, si qindra mijëra shqiptarë në kohë të lashta e të reja, ndërmjetëson përsëri për fatet e Kombit shqiptar.
Duhet të njoftojmë se Zoja e Këshillit të Mirë kremtohet solemnisht edhe në Gurëz të kryedioqezës së Tiranë-Durrësi, si dhe në Klinë të Kosovës, ku janë ndërtuar Kisha të bukura kushtuar nderimit të Nënë Qiellore.







All the contents on this site are copyrighted ©.