2012-04-26 17:52:38

Atë Donat Kurti
“Nanës së Këshillit të Mirë te Kisha brí Rozafatit”.


Këndo, bylbyl, se kohë mâ t’mirë
Nuk ké me gjetë ti për me këndue!
Njitash dielli sá ká lé;
Tu’u bâ avull, voesa zhduket;
Njitash koha vjen tu’u xé,
Shperthejn lulet, nata struket;
gjith natyra bashkë me tý,
Kah prej gjumit merr e zgjohet,
Hyjit në heshtje i drejtohet
E n’zâ t’and kështu nderës i falet,
Tu’e bekue Atê perherë,
Qi m’petk dritet prap e veshi
E gjith t’mirat mbi tê reshi.
*****
Këndo bylbyl se mjes shkambijve,
Te kjo Kisha e Zojës së Bekueme
Vetem tý po t’ ndiej kah lutesh.
S’duket kush n’ket strehë t’vetmueme.
M’duket prá, si me t’mendueme,
Tu’u luhatë n’at gemb qershije,
Po e perciellë me jone t’ambla
Luten t’eme bashkë me flîje.
Ka shum vjet që due me shfrye
Këtû te Nana e Këshillit të Mirë,
si n’fëmijní malli m’ka marrë,
Me i folë n’gëzim e me dishír,
Per nji ndjet, qi unë kam bâ
Qe, sot erdha para elterit,
Flijen Zotit me i kushtue,
Qi t’ketë dhimbë e mëshirë njiherit.
Por këtû s’shof kend n’gëjûj tuj rá;
S’kanë pergjegje uratët e mija;
Vetem Êjt me sy pa i pá,
I mendoj rreth Flîs me mija
Kështû kah t’ndiej bylbyl tuj këndue,
Vjen e m’çohet zêmra peshë,
Si t’muj Zojen me e nderue
Me kangë t’gëzueshme, lutje e Meshë.
*****
Zot sá i mirë e sá bujár
Jé me né Ti ditë per ditë!
Ket natyrë, qi Ti ké falë,
E bân t’flasë, tuj na çuditë:
I ep forcë Ti shkambit,
E fishkëllimë murlanit,
E bân t’ushtojë mali,
T’çohet rana e zalli,
T’hidhet n’gëzim n’det vala,
T’lvizin peshqt me njala,
E n’agim t’këndojë zogu,
T’mblidhen shpendt te logu,
Lulja n’stap t’vet t’qeshet,
N’njýje çdo send t’veshet,
T’zukasë miza e bleta,
T’gurgllojë kroni n’qeta,
E t’ndrisë dielli e hana,
T’shprehen sendet t’tana,
Tuj t’dhânë lavd padá,
Tuj persritë pá prâ:
“Zot, Ti kjosh levdue,
Pse gjithshka krijove,
Per ditë t’falet Tý,
Sot e per amshim!”.
*****
Kaluen shekuj, kúr n’këto bríja
Rríte pop’lli plot uzdajë
Si nder t’vështira, si nder gzime
Kjate e lutej pá u ndalë,
E perherë gjête ngushllim.

Si nget fëmíja vrap te e ama
Edhe struket nder krahë t’sáj.
Sá herë trembet a por msýhet
Prej anmiqësh, qi i siellin váj,
Njashtû t’gjith nji nanë veç njifshin
E tanë shpresë atê veç thirrshin:
O Zojë Nanë e Këshillit të Mirë!

Oh! te Ajo n’nevojë ndimë gjêjshin
Kishin mproje n’lufta e t’vështira,
Dritë e këshill padá n’dyshime,
Forcë, qindresë edhe ngushllime
N’at fé shêjte, qi e ruejti
Visár t’çmueshem má se jeten
E s’e lëshoi tuj hiekë mundim.
*****
Sot në ket vend, ka rá heshtimi...
Rrodhja, hitha edhe merqîja
E rrethojn ket kishë t’Bekueme...
Vaj! Nder to ka hupë madhnija!

Nuk këndojn fëmijët, si n’kohë t’kalueme...
S’kumbon mâ ajo jehona,
Qi shperthete prej çdo zêmre
“Nanë, na t’duem, Ti jé e jona!”.

Nuk bijn vashat tuba lulesh,
Me e stolisë ‘lterin e sáj,
Me i dhanë erë, tuj e gjallnue
Sikúr t’ishte perherë Máj.

Dyerët rrijn mbyllë, po, sa t’bâjë dita
S’ndihen mâ shprehje dashtënijet
Tuj dihatë nuk shkon kush gëjûjas,
S’puthen gurët n’shêj evarijet.

Zojë, mjerisht tash këtû pak ndalen,
A thue bijt, kështû krejt t’kanë lânë?
Jo, Nanë, jo; sá kësajt pershkohen
N’zêmer t’kanë, t’pershëndesin t’tanë.

Janë t’sigurtë se Ti o e Lume,
S’e ké qitë Shqypnín n’harresë;
Prej këtij trolli, prej këtij vendi
Prap ndien lutje, prap ndien dënesë.

Gjithmonë Nanë na jé diftue...
Nder ngushtica e nder idhnime;
S’ké pushue, tuj na ngushllue
Si nder vuejtje, si n’mjerime.

Nji fuqí e mbinatyrshme
Janë t’sigurtë, vepron n’ket moje;
Ushqen Fén aq fort t’poshtnueme
T’shtýn t’puthësh gurët rreth e rreth soje.
*****
Zog i vogel, qi pá u trembun,
Gëjatë e gëjatë po rrin tuj këndue,
Ç’don me m’thanë sot n’gëjuhen tande
Per ket Kishë, qi âsht vetmue?
*****
“U ká mbajtë, - thue – Zoja e Lume
Gëjatë shum shekujsh, tu’u ndimue,
Le t’a keni prap n’loçkë t’zêmers,
Duenie fort, kurr mos me e lëshue!”.
*****
Këndo, zog, n’mâ t’kandshmet
Vërrîje blerimit,
Hija e disprimit
Le t’zhduket shqim!

Kah m’joshë me t’amblin
Zâ gurgullimesh,
Mue prej mjerimesh
M’xierrë e m’ep gëzim.

Si ti mbas sodit
Këtû n’ket Kishë t’vjeter
Do t’ vij, pa tjeter,
T’lutem e t’këndoj.

Kur t’agojë dita
A t’erret nata,
Se shoq tý t’pata,
Zog, do t’kujtoj.

N’gëjasim t’and zânin
Do t’dredhë unë kandshem,
Tu’i dhanë permallshem
Lavd t’Madhit Zot.

Qi n’shêj dashtënijet
Na dha Nanë Zojen,
E na hoq drojen
Na pështoi n’çdo mot.
*****

Bylbyl, kqyr: N’kujtim t’kësáj dite,
Per pá n’dá, bashkë t’këndojm n’haré:
“T’falna Mërí, O Nanë e jona
Mos na lësho, Zojë, rri me ne”.


Shënim i autorit: Në një ditë Majit të vjetës 1963, tuj dashtë me plotsue nji ndjet temin, shkova me thanë Meshë në Kishë të Zojës brî Rozafatit. S’gjeta kurrkend, veç më bâni pershtypje nji bylbyl, që po këndonte per bukuri per báll Kishës. Ai vijoi deri sá kreva punë.
Marrë nga “Zakone e doke shqiptare”, Át Donat Kurti, Botime Françeskane Shqiptare, 2010, fq. 259-263







All the contents on this site are copyrighted ©.