2012-04-25 17:19:36

Papa në audiencën e përgjithshme: pa lutje, rrezikohemi të na zihet fryma nën peshën e sendeve të përditshme


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek baritoria e bamirësisë për nevojtarët, në bashkësinë e parë të Jeruzalemit. Papa nënvizoi se pa lutjen e përditshme, veprimtaria jonë kthehet në aktivizëm të thjeshtë. Pohoi, kështu, se çdo hap i jetës sonë, duhet bërë para syve të Zotit, në lutje.RealAudioMP3

Çastet e lutjes dhe veprimtaria bamirëse nuk duhet t’i kundërvihen kurrë njëra-tjerës; këtë nënvizoi Benedikti XVI i cili, në katekizmin e sotëm, reflektoi për baritorinë e bamirësisë në bashkësinë e parë të Jeruzalemit. Kur u ndje nevoja për t’i ndihmuar njerëzit e ligshtë, të varfërit, të vejat, kujtoi Papa, kjo bashkësi zgjodhi shtatë njerëz, të cilët iu kushtuan diakonisë së bamirësisë, pa e shkëputur kurrë nga lutja. Vuri, kështu, në dukje, unitetin e thellë ndërmjet lutjes e veprës. Duke kujtuar fjalët e Shën Bernardit, Papa vërejti se shqetësimet e tepruara dhe ritmet e ethshme të jetës, shpesh herë e ngurtësojnë zemrën dhe e lëndojnë shpirtin:
“Është një qortim i çmuar për ne, të mësuar siç jemi ta vlerësojmë gjithçka me kriterin e prodhimtarisë e të dobisë. Pa lutjen e përditshme, të jetuar besnikërisht, veprimtaria jonë zbrazet, humbet shpirtin e thellë, kufizohet thjesht në aktivizëm që, në fund të fundit, të lë krejt të pakënaqur”.
Çdo hap i jetës sonë, pohoi Benedikti XVI, e çdo vepër, edhe e Kishës, duhet bërë para syve të Zotit, në lutje, nën dritën e Fjalës së Tij:
“Kur lutja ushqehet nga Fjala e Hyjit, mund ta shikojmë realitetin me sy të rinj, me sytë e besimit në Zotin, që i flet mendjes e zemrës, duke e ndriçuar me dritë të re udhën tonë në çdo çast, në çdo rrethanë”.
Vetëm nga lidhja e thellë me Hyjin ditë për ditë, shtoi Papa, lind çdo përgjigje e njeriut ndaj thirrjes së Zotit e i besohet çdo detyrë në Kishë. Zgjedhja e shtatë diakonëve nga ana e Apostujve, vijoi Papa, na kujton se duhet ta vëmë gjithnjë në plan të parë lutjen dhe Fjalën e Zotit. Për barinjtë, vijoi Ati i Shenjtë, kjo është forma më parësore dhe më e çmuar e shërbimit, në dobi të grigjës, që u është besuar:
“Në se mushkëritë e lutjes e të Fjalës së Zotit nuk e ushqejnë frymëmarrjen e jetës sonë shpirtërore, krijohet rreziku që të na zihet fryma në mes të mijëra gjërave të përditshme; lutja është frymëmarrja e shpirtit dhe e jetës”.
Papa e përfundoi katekizmin, duke theksuar se edhe kur jemi në ndonjë skaj të heshtur a në vetminë e dhomës tonë, mbetemi gjithnjë të lidhur ngushtë me Zotin e me shumë e shumë vëllezër e motra në fe, të shpërndarë në të katër anët e botës, shpirtërisht të pranishëm në lutjen tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.