2012-04-25 17:28:43

Më 4 e 5 maj, në Vatikan, kuvendi ndërkombëtar i Veprimtarëve të Shëndetësisë mbi të verbërit


Më 4 e 5 maj, në Vatikan, do të mbahet një kuvend ndërkombëtar mbi të verbërit, organizuar nga Këshilli Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë dhe nga Misionet e krishtera për të Verbërit në Botë (CMB-Italia). Konferenca me temë “Personi i verbër: “Rabbunì, bëj që të shoh”, marrë nga Ungjilli sipas Markut, zhvillohet me mbështetjen e Fondacionit “Gjon Pali II”, themeluar më 12 shtator 2004 nga i Lumi Karol Vojtila për të ndihmuar të varfërit e sëmur, sidomos të sëmurët me Sidë, që kanë më tepër nevojë për solidaritetin e Kishës.
Në këtë takim do të diskutohet për parandalimin dhe mjekimin e verbërisë dhe të hipovizionit, sipas perspektivave të reja të studimeve e të kërkimeve shkencore. Natyrisht, Kisha do ta përqendrojë vëmendjen sidomos në aspektin baritor të ndihmës ndaj të verbërve, por do t’i inkurajojë edhe të gjitha organizmat, kombëtare e ndërkombëtare, kishtare e institucionale, për arritjen e një objektivi parësor në luftën kundër verbërisë: të gjithë duhet të kenë mundësinë të mjekohen e ta bëjnë këtë falas.
Do të paraqiten të verbërit duke u nisur nga Shkrimi i Shenjtë e nga kujdesi i vazhdueshëm i Kishës për këta persona. Do të vazhdohet me një sërë kontributesh të rëndësishme të ekspertëve të sektorit, do të diskutohet mbi arsyet kryesore të asaj verbërie, që mund të shmanget me anë të parandalimit e, do të flitet për mundësitë e kurimit e të rehabilitimit. Dëshmitë do të vijnë nga të pesë kontinentet.








All the contents on this site are copyrighted ©.