2012-04-25 17:28:16

Imzot Tomazi në UNCTAD: “Objektivi i ekonomisë është zhvillimi i njeriut e jo e kundërta”


Selia e Shenjtë tërheq vëmendjen mbi nevojën e reflektimit urgjent për kuptimin e thellë të objektivave ekonomike botërore e kërkon rishikimin e strukturës globale financiare e tregtare. Vetëm pak ditë më parë, vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në selinë e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Tomazi, e ngriti zërin për këtë qëllim në Konferencën XIII për tregtinë e zhvillimin, që do të përfundojë nesër në Doha të Katarit.
Qëllimi më i lartë i ekonomisë, theksoi në fjalën e tij imzot Tomazi, është tìi shërbejë zhvillimit të gjithanshëm të njeriut e jo rrënimit të tij. Kriza aktuale vë në dukje se modelet ekonomike, që përdoren në botën e sotme, nuk përkojnë më me realitetin, prandaj duhen ndryshuar. Gjithnjë e më tepër, faktet, situatat kërkojnë një ekonomi të bazuar mbi parimin e drejtësisë shoqërore, mbi vlerat etike si trasparenca, ndershmëria, solidariteti dhe përgjegjësia. Vendosja e njeriut në qendër të veprimtarive ekonomike, siç kërkon prej kohësh Kisha Katolike, do ta ndihmonte botën në parandalimin e valëve të tjera të krizës, shkaktuar nga spekullimi i paskrupullt, i cili ka pasoja të rënda mbi shoqërinë dhe ambientin. Përfshirja e aspektit të dhënies falas, të dhuratës në fushën ekonomike do të kontribuonte ta kthejë njerëzimin në një familje të madhe e të vetme, nënvizoi Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë.
Duke cituar Enciklikën e Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate”, imzot Tomazi vuri në dukje se kriza aktuale nuk është thjesht ekonomike e financiare, por edhe krizë vlerash. Prandaj, për kapërcimin e saj, është e nevojshme t’i japim më tepër rëndësi “qënies” se sa “pasjes”. Zhvillimi nuk është thjesht ekonomik. Është përpjekja për të plotësuar nevojat, dëshirat e aspiratat e njerëzve, që janë të njëjta në të gjithë botën. E në këtë proces, nuk duhet përjashtuar asnjë segment i shoqërisë.
Së fundi, imzot Tomazi theksoi rolin e rëndësishëm të edukimit e të arsimimit, që duhet t’u mësojnë njerëzve ta konceptojnë të ardhmen e shoqërisë, jo vetëm si zhvillim teknologjik e shpikje të reja, por si plotësim i nevojave të popullsive, ndër të cilat, më e rëndësishme është pa dyshim ajo për ushqim, lidhur ngushtë me çmimet. Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë u kërkoi Kombeve të Bashkuara të marrin përsipër e t’i zgjidhin këto probleme.








All the contents on this site are copyrighted ©.