25 prill, festa e shën Markut, autorit të ungjillit të dytë.
Shën Marku, ungjilltar, një pjesë të mirë të jetës e kaloi duke ndjekur e bashkëpunuar
në veprimtarinë apostolike të apostujt kryesorë, Palit, të cilit i qe afër edhe gjatë
burgimit, e pastaj si dishepull i Pjetrin , shkroi ungjillin e dytë, duke mbledhur
predikimin e apostullit mbi të thënat e mbi faktet e Jezusit, shpallur Bir të Hyjit
të dëftuar nga Ati Qiellor. Pastaj, si vdiq Pjetri, ishte ai që i priu veprimtarisë
apostolike. Këtë na tregon tradita për Shën Markun, autor i Ungjillit më të lashtë,
festën e të cilit e kremtoi sot Kisha katolike.
Është viti 64 pas Krishtit.
Mbi një kodrinë të Romës, pranë Rrugës Kornelia, që njihej si Kodra e Vatikanit, zhvillohet
një ngjarje tepër prekëse. Trupi i një njeriu të kryqëzuar varroset në një gropë të
hapur në varrezën e vogël, pranë cirkut privat të Neronit, që ngrihet po në këtë kodrinë.
Në arenën e këtij Cirku, pak orë më parë, ndërmjet gjamëve të hatashme të qindra të
krishterëve të torturuar mizorisht, ka vdekur ai që solli në Romë lajmin e shëlbimit
të Krishti: Simoni, i thirrur Pjetër, peshkatar nga Galileja. Nuk është e vështirë
të përfytyrojmë, në grupin që varros dëshmitarin e parë të Nazarenit, edhe praninë
e një njeriu, një farë Gjoni, që njihej me emrin Mark. Për të krishterët e parë Marku,
prej kohe ndjekës i Palit të Tarsit, është dishepulli të cilin Pjetri, në një letër
të tij, e quan përzemërsisht ‘biri im’ (1 Pt. 5, 13). Marku është sekretar që di greqisht,
që mund të shërbejë si përkthyes e, për më tepër, i njeh më mirë se të gjithë, mësimet
gojore të Apostujve të parë. Papia i Gjerapolit, një nga ipeshkvijtë e parë të krishterë,
kujton mësimet një farë “presbiteri” me emrin Gjon. Shkruan: “Marku, përkthyes i Pjetrit,
shkroi gjithçka që kujtonte, si fjalët, ashtu edhe veprat e Zotit Jezus, pa i kushtuar
kujdes rendit të ngjarjeve”.
Por ky njeri, që vite me radhë jetoi nën hijen
e kryetarit të Kishës së lindur në Jerusalem, ishte shumë më tepër se një kopist:
ishte njëri nga të katër Ungjilltarët e Mëdhej, që na la trashëgim Ungjillin, i cili
njihet me emrin e tij: Ungjilli i Shën Markut.
Pas vdekjes së Apostullit,
Markun nis të shkruajë në mënyrë të rregullt tregimet e Pjetrit. E kryen librin e
tij rreth vitit 70 pas Krishtit. Titulli është To Euangelion, Lajmi i mirë. Kështu
i pari nga të katër Ungjijtë, më i lashti, u bë realitet. Ai që të gjithë e pandehnin
thjeshtë kopist, kishte krijuar një gjini krejt të re letrare. E edhe në se, në vijim,
prototipi do të tejkalohej për stil, ndërtim e dendësi njoftimesh, nga Ungjijtë e
tjerë kanonikë, gjithsesi në të ndjehet shija e predikimit të parë të krishterë. Marku
e shkroi për të krishterët me origjinë pagane, për t’iu përgjigjur pyetjes ‘Kush është
Jezusi?’ e për të dhënë përgjigjen ‘Jezusi është Mesia’. E Ungjilli i Markut arrin
të na bindë plotësisht për këtë, posaçërisht kur na përshkruan flijimin e Krishtit
në Kryq. Zëri i të krishterëve të rinj në Ungjillin e tij shprehet përmes mahnitjes
së Çenturionit mbi Kalvar, që thërret: “Vërtetë ky njeri ishte Biri i Hyjit!”.
Në
gjurmët e Pjetrit, Marku tani bëhet predikatar. Për disa kohë, së bashku me Pjetrin,
pati jetuar e vepruar në Akuilea, në ato troje të lindjes italiane, me të cilat do
të lidhej ngushtë emri i tij. Më pas i erdhi radha Aleksandrisë, apostullimit në Cirenë,
gjë që e pasqyrojnë mrekullisht bukur disa nga pikturat e famshme të Tintoretos. Si
kthehet në Aleksandri, edhe për Markun arrin ora e martirizimit. Trupi i tij mbetet
në këtë qytet deri në vitin 828, kur sundimtari arab vendos ta rrënojë shenjtëroren
ku ruheshin reliket e Ungjilltarit, për t’i përdorur mermerin dhe shtyllat në ndërtimin
e një pallati në Babiloni. Nga frika e dhunimit të relikeve, dy tregtarë venedikas,
Buono nga Malamoku dhe Rustiku nga Torçelo vendosën ta merrnin tinëz trupin e ungjilltarit
e ta sillnin në Itali, të fshehur ndërmjet koshave, ku kishin shtënë derrkucë, për
të shmangur rrezikun e kontrollit nga ana e myslimanëve. Venediku do të bëhej, kështu,
qyteti i Shën Markut!