2012-04-24 15:08:32

“Afrika dëgjon Evropën”- në përkujtim të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nga Programi shqip i Radio Vatikanit.


Në kuadrin e veprimtarive kulturore-artistike me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Programi shqip pranë Radio Vatikanit organizoi sot një takim, parë në një këndvështrim shumë origjinal, në përkim me natyrën e veprimtarisë, që e zhvillon në një mjedis, ku takohen të pesë kontinentet. Në Radio Vatikan punojnë 352 vetë, nga 62 kombe të ndryshme; flitet 24 orë, në 48 gjuhë (kaq përdoren edhe në kanalin e internetit); shkruhet me 12 alfabete, prodhohen çdo ditë 850.000 faqe tekst; 560.000 artikuj, 181 audioclips; 2500 videoclips. E flitet jo vetëm me fjalë e me figura, por edhe me tingujt e kryeveprave të muzikës botërore.
Prej këndej, titulli i takimit; “Afrika dëgjon Evropën: përvoja e Shqipërisë 100 vjet pas Pavarësisë”, me protagonistë shqiptarët- dëgjues, afrikanët.
Veprimtaria përkujtimore u zhvillua në Sallën Marconi të Radio Vatikanit. Të pranishmit ndoqën përshëndetjen e atë Federiko Lombardit, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit, të përfaqësuesit të Qendrës së Reflektimit ‘Afrika 2000’ e të ‘Programit shqip’; Ardian Ndrecën, docent në Universitetin Urbanian të Romës; Federiko De Renzin, specialist për Perandorinë Otomane, bashkëpunëtor i revistës ‘Limes’.
I pranishëm, me programin e tij, Marcello Ramognino, regjisor e shkrimtar që shpalosi para pjesëmarrësve historinë e Shqipërisë, me fjalë e ilustrime filmike, si dhe violinisti i mirënjohur shqiptar, Elvin Dhimitri.
Morën pjesë Ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Shkëlqesia e tij zoti Rrok Logu, Ambasadori i Shqipërisë pranë Republikës së Italisë, Shkëlqesia e tij zoti Llesh Kola Italiane dhe bashkëshortja e Shkëlqesisë së tij, zotit Albert Prenkaj, Ambasadorit të Kosovës pranë Republikës së Italisë, zonja Trina Prenkaj.
Të pranishëm edhe shumë qytetarë dhe meshtarë shqiptarë nga Roma e Italia dhe miq e dashamirë .
Në vijim, ju njohim me sintezën e historisë së Shqipërisë e të popullit shqiptar, përgatitur nga Marcello Ramognino:

Po të ndalesh një çast e të mendosh për Shqipërinë, të vjen menjëherë në mendje një vend me më pak se 28.000 kilometra katrore, përtej një mënge deti, pak më të madhe se një lumë.
Gjeopolitika, me traktatet e saj, nganjëherë, a më mirë të themi, ngaherë, të diskutueshme, i caktoi kufijtë e sotëm një toke, që dikur ishte atdheu i Ilirëve, popuj, historia e të cilëve shpesh ndërthuret me historinë e vendeve të Mesdheut, që banonin në troje shumë më të hapta se të sotmet.

Në perëndimin e parahistorisë ilirike, bijtë e helenëve vinin këtu, posaçërisht në Epir, për t’u këshilluar me Dodonën, orakull i nderuar njëlloj si ai i Delfit e i Dellos. E pikërisht në këto treva grekët shënojnë vendet e mitologjisë së tyre: lumin Akeront; Lumin e lotëve, Kokito; Fushat Elize, parajsë e shpirtrave të lum; Avernon, liqenin e lugjeve të vdekjes.

Edhe Romakët, me vargjet e Virgjilit, na flasin për një Epir, të mbështjellë në mjegullat e dendura të historisë, për të na treguar si u themelua Butrinti, nga dora e Elenit, birit të Priamit, gjatë kalimit të Eneut me turmën e të ikurve nga rrënojat e Trojës në flakë, për t’u kapur në Romë.

Shumë kohë para se historia të bëhej kjo që është, zyrtare, e shkruar mbi faqe librash, Iliria ishte; e ishte vend ku takoheshin, e edhe ku ndesheshin, botë e kultura.

Nga njëra anë, në fillim, bota greke. Nga ana tjetër, ajo romake.
E do të ishte pikërisht Roma, në vitin 168 para Krishtit, që do të bëhej zonjë e mbretërisë ilirike, e cila pati provuar, në dy shekujt e mëparshëm, sundimin e Filipit maqedonas e të birit të tij, Aleksandrit të Madh; një periudhë të shkurtër pavarësie e pushteti nën mbretëreshën krenare, Teuta e pastaj, vetëm rënie.

Sundimi romak nuk e shthuri indin shoqëror të fiseve të Ilirisë e të Epirit. Fiset vijuan të jetojnë pothuajse të pavarura, duke ruajtur tiparet e tyre etnike e gjuhësore.

Këto troje, që sot njihen me emrin Albania-Shqipëria, qenë teatër i zhvillimit të habitshëm të disa qyteteve bregdetare.

Durrësi bëhet vend i zgjedhur pushimesh verore për aristokracinë romake; Apollonia, qendër kulture, ku Augusti, Mecenati dhe lulja e rinisë romake kryejnë vitet e para të studimeve.
E nuk është aspak rastësi në se, ndërmjet perandorëve romakë, gjejmë më se një me origjinë ilirike: personalitete, që lanë gjurmë të pashlyera në histori, si Diokleciani e Justiniani e, mbi gjithë të tjerët, Kostandini i Madh, pikërisht ai, që i nxori të krishterët nga katakombet në të gjitha trojet e pafundme të Perandorisë, e u dha mundësinë ta kumtonin, nën dritën e diellit, Lajmin e Mirë, Ungjillin e Krishtit.

Ishte pikërisht ai Lajm i Mirë, që Shën Pali kishte ardhur t’ua kumtonte ilirëve gjatë njërit prej shtegtimeve të tij kah Roma: “Nga Jeruzalemi, deri në Iliri, predikova Ungjillin e Krishtit”, shkruan Apostulli i Popujve në Letrën drejtuar Romakëve.

Përmes udhës së lashtë Egnatia, pastaj, dishepujt e Apostujve e përhapën mesazhin e Krishtit në të katër anët e trojeve ilirike.
Shpejt do të binin nën tehun e shpatës së persekutimit romak, martirët e parë ilirikë e do të ngriheshin dioqezat e para: ajo e Durrësit, e Shkodrës, e Nikopolit, e Ohridës, e kështu me radhë, edhe shumë të tjera. Kisha katolike e Ilirisë, në fasha, falë edhe vullnetit të princave Arianitas, Kastriotë, Balshaj, Topiaj, Muzakaj, Dukagjinaj, GjoMarkaj, do të mbetej e lidhur me Kishën e Romës, duke shkuar edhe kundër rrymës së historisë, që synonte ta merrte me vete këtë popull.

Kur në vitin 395 Perandoria Romake u nda në atë të Perëndimit e të Lindjes, Iliria ra nën sundimin e Bizantit, që i shikonte këto toka si të skajshme, vetëm formalisht nën sundimin e Perandorisë, prej këndej, provincë kufitare. Në këto kushte, për më se nëntë shekuj, këto troje qenë teatër luftërash, sulmesh e pushtimesh nga barbarët, bizantinët, serbët, bullgarët, venedikasit, normanët, svevët, anzhuinët, aragonasit e, së fundi, turqit, që i shkelën për herë të parë trojet ilirike që më 1338, për t’i pushtuar, pastaj e për t’i ndarë në 5 vilajete.

Në sa Perandoria bizantine merrte fund e Evropa e krishterë e katolike ishte tejet e përçarë nga luftërat ndërmjet principatave e edhe nga ndeshjet e fuqishme fetare, otomanët nisën të ëndërronin pushtimin e mbarë Kontinentit.

Në këtë kuadër politik nis epopeja e Gjergj Kastriotit, i njohur me emrin Skënderbe. I pajisur me aftësi të shquara politike, diplomatike e ushtarake, ia doli mbanë të bashkonte krerët shqiptarë e t’u printe, për më se njëzet vjet, në luftën kundër pushtimit otoman, duke ia prerë rrugën synimeve të sulltanëve drejt Perëndimit të krishterë.

Kur “Mbrojtësi sypatrembur i qytetërimit perëndimor dhe i Krishterimit” vdiq, në vitin 1468, para otomanëve ra kështjella e fundme, që i pengonte të pushtonin toka të reja dhe të islamizonin popujt e nënshtruar.

Për më se katër shekuj sundimi otoman, Historia e Shqipërisë qe një kuadër plot dritë-hije, plot britma kushtrimi e dhimbjeje, plot robëri e etje për liri.

Shpresat e shqiptarëve për rifitimin e lirisë së humbur u rindezën vetëm në vitin 1878, kur Evropa ua dëgjoi përsëri zërin, përmes Lidhjes së Prizrenit, që kërkoi liri, mbrojtje e pavarësi të trojeve kombëtare.

Interesat gjeopolitike, etnike e fetare të fuqive e shteteve të ndryshme evropiane do ta zvarritnin deri më 28 nëntor 1912, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke lënë jashtë kufijve, gjysmën e tokave shqiptare.

Do të kalonte dhe një shekull që Dardania e lashtë, Kosova e sotme, të fitonte, edhe ajo, lirinë.
Skënderbeu, pasi e pati çliruar Kështjellën e Krujës, pasi pati marrë hak për familjen e tij të masakruar dhe vendin e martirizuar, pati shqiptuar këto fjalë të famshme: “Lirinë s’jua solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj!”.

Me këtë rast Salla Marconi e Radio Vatikanit ishte shndërruar në një mjedis, ku ndjehej fort Shqipëria dhe historia e saj, duke nisur nga hartat e lashta, tek grafika e Largimit të Zojës së Këshillit të Mirë nga Shenjtërorja e saj bri Rozafës së Shkodrës, për të shpëtuar nga rreziku i dhunimit turk, e tek disa piktura origjinale të piktorit të shquar shqiptar, Lin Delija, ardhur nga Shtëpia e tij muze e Antrodokos.
Pastaj, mysafirët, shqiptarë e afrikanë, u mblodhën rreth një sofre vëllazërore, me aromën e kuzhinës shqiptare, për të shkëmbyer lirisht emocionet e kësaj dite të veçantë, e cila i ktheu për disa çaste në Atdhe – duke i lidhur edhe me Kontinent, për të cilin fjala ‘Pavarësi’ është nga më të dashurat.







All the contents on this site are copyrighted ©.