2012-04-24 15:09:53

Kronologjia historike e Kishës Katolike Shqiptare


Shek. I-VII: Rrënjët e besimeve në trojet e sotme shqiptare, kufi ndërmjet katolicizmit, ortodoksizmit e islamizmit, duhen kërkuar në thellësi të historisë së tyre, prej kohëve të mugëta parapellazge, pellazge e ilire. Nga gërmimet e shumta të derisotme, mësojmë se Epiri i lashtë dhe pjesa jugore e Ilirisë patën fenë dhe mitologjinë e tyre, vazhdimësia, shndërrimi ose përlyerja e së cilës me kultet e hyjnive greke, shihet qartë në numizmatikën e ashtuquajtur ‘greke’ të vendit. Nuk dihet me siguri kur e si nisi të depërtojë krishterimi në këto troje. Mendohet të ketë filluar në epokën apostolike, të paktën për Epirin.
Tri janë rrugët e mundshme të depërtimit të fesë së krishterë në trojet e sotme shqiptare: përmes Greqisë (Patrasit) e Durrësit; Maqedonisë ose bregdetit të Adriatikut. Besimi i ri nisi të përhapej aq shpejt, sa në shumë qytete, si Amantja (viti 334), Shkodra (392), Matja (392), Durrësi (424), Apollonia (431), Bylisi (431) Diokleja (451), Vlora (458), Skampa (458), Prizrendi (458), Shurdhahu (Sarda) (594), u ngritën seli ipeshkvnore (cfr. Thallòczy, Acta et diplomata res Albaniae Mediae aetatis illustrantia. Vol. I, n. Index.). Në historinë e shtatë shekujve të parë të krishtenimit, ipeshkvijtë e Ilirisë e të Epirit duken shpesh në skenën historike, sidomos në historinë e Koncileve, si përfaqësues të fortë të fesë katolike kundër herezive.
Duke u bazuar në dokumentet kishtare konciliare, mësojmë se në Koncilin kishtar të Nikesë (325), ishin të pranishëm disa ipeshkvij të Dardanisë e të Maqedonisë, troje që përkojnë me Shqipërinë etnike lindore. Pak më vonë, në Serdikë (343-44) gjejmë 5 a 6 provincat e Dardanisë, të Epirit të Ri, Epirit të Vjetër, e ndoshta edhe atë Prevalitane. Katër provincat civile përkojnë me ato kishtare, të cilat kryesohen nga katër metropoli: e Shkupit, e Durrësit (Dyrrachium), e Prevezës (Nikopolis) dhe e Shkodrës (Scutari), që vijojnë veprimtarinë deri në kohën kur dyndjet barbare të shekullit VII, kalojnë si uragan mbi këto troje. Por duhet kujtuar se, që nga fundi i shekullit IV, përveç organizimit sipas provincave, niste edhe një organizim i ri, ai i vikariateve apostolike.
Ndërsa në Jug Papët ia besuan vikariatin apostolik metropolitit të Tesalonikut (Selanikut), në Justiniana Prima, si kryeipeshkvni e Dardanisë, në veri, nisi të ndjehej fort ndikimi i metropolitit të Salonës (Splitit). E ky ndikim u vërejt edhe në Prevalitani. Në këtë provincë Kisha Romake ishte pronare tokash, që mbarshtoheshin prej një administratori, i cili mund të ishte delegat i papës ose inspektor, në emër të tij. Legatët papnorë vijuan të ushtrojnë një ndikim të madh mbi këto troje, që mbeten besnike të Romës. Edhe në periudha skizmash e herezish, nuk iu nënshtruan Kostandinopojës, ndonëse u përpoq vazhdimisht të ndërhynte në punët e tyre të brendshme. E jo vetëm Prevalitania, që nuk u prek kurrë nga skizmat e as nga herezitë, por edhe dy provincat e Epirit, me kulturë tashmë të greqizuar.
Vetëm në kohën e herezisë akaçiane (fund i shekullit V-fillim i shekullit VI), që u mbështet në mënyrë të posaçme nga perandori Anastasi, lindur në Durrës (491-518), pas një rezistence të fortë, në Dardani dhe në Epirin e Ri u dukën shenja nënshtrimi. Por, duke nisur nga viti 519, legatët papnorë, të dërguar pranë perandorit dardan Justini për t’i dhënë fund grindjeve, duke kaluar nepër Epir, siguronin mbështetjen e të gjithë ipeshkvijve, të cilët premtonin se do t’i bindeshin me zell e pa asnjë kundërshtim, metropolitit të Shkodrës.

Shek VII-XI: Me pushtimin sllav, u duk se gjithçka do të kthehej përmbys. Zona jug-perëndimore (Durrësi e Nikopoja), që mbeti e paprekur nga kjo dyndje, iu nënshtrua perndjekjes së egër ikonoklaste (731-826). Veç kësaj, me vendim autokratik të perandorit Leon Izauriku (731), provincat e Ilirikut u shkëputën nga Patriarkati i perëndimit e u bashkuan me atë të Kostandinopojës. Kjo shkëputje nuk pati ndikim mbi Prevalitaninë, por ndikoi shumë mbi Epirin, pavarësisht nga protestat e Romës. Ndërkaq në kufijtë lindorë të vendit filluan të duken bullgarët të cilët, si rrokën krishterimin rreth vitit 864, nisën të lëkunden ndërmjet Romës e Kostandinopojës, për të përfunduar në ndjekjen e ritit bizantin, në gjuhën sllave, të prirë nga dishepujt e Shenjtorëve vëllezër, Çirili e Metodi. Formuan, kështu, një patriarkat autoqefal në Prespë, më vonë, në Ohër (Ochrida), duke përfshirë pjesën më të madhe të territoreve të lashta sufragane të Durrësit e të Nikopolit (Prevezës). Me uljen në fron të Perandorit Bazili, bullgarokton, Shqipëria qendrore e ajo jugore ranë përsëri nën sundimin bizantin (1019), por jo plotësisht nën vartësinë e Patriarkanës së Kostandinopojës, sepse kësaj Patriarkane iu duk më e arsyeshme ta pranonte autoqefalinë e bërthamës së Ohrit, me titullin e kryeipeshkvisë e me dioqezat e veta të shumta sufragane. Ndërkaq në Veri fuqizohej një shtet me ndikim të dukshëm latin, Dioklea, që përfshinte pak a shumë Prevalitaninë e lashtë. Ndërsa këtu rilindnin selitë e vjetra ipeshkvnore, në qytetet e mëdha (si Shkodra, Ulqini, Drishti, Suacia) e në qendra ma të vogla (si Pulti e Sarda), ku flitej shqip, niste edhe themelimi i selive të reja, nën ndikimin e Kishës latine.

Shek XII-XII: Fillimisht këto seli iu nënshtruan metropolisë së Raguzës, më vonë asaj të Splitit e të Salonës, për të formuar, pastaj, metropolinë e tyne të Antivarit (Tivarit) ku, në vitin 1199, u mblodh një koncil i rëndësishëm provincial, që i dha fund shpërdorimeve të shumta.

Në shekullin XIII mbi trojet e Shqipërisë së sotme, frynte erë e fortë lindore. Pas sundimit jetëshkurtër venedikas mbi bregdet (1204-12), si pasojë e pushtimit të Kostandinopojës nga latinët e kryqëzatës (1204), në Durrës u themelua një kryeipeshkvni latine, nën vartësinë e patriarkatit latin të Kostandinopojës, ndërsa mbarë Epiri formoi një despotat të pavarur, nën dinastinë Engjëllore-Komnene (1212-59) e cila, për arsye politike, përsa i përket fesë, lëkundej ndërmjet Lindjes e Perëndimit, duke iu nënshtruar, më në fund, së parës. Edhe kleri, me kulturë greke, ndonëse me prirje autoqefale, anonte më shumë nga Kostandinopoja (ose Nicea, pas pushtimit të kryeqytetit prej latinëve, më 1204), sesa nga Roma. Despotati asokohe ndahej në tre qarqe kishtare, që kaluan nën vartësinë e kryeipeshkvisë së Ohrit, pastaj të Naupatos (Lepanto, pasuar nga Nikopoli) dhe të Durrësit. Në veri, mbretëria e Dioklesë u shndërrua në mbretërinë e Serbisë, duke pranuar plotësisht prirjen bizantine të një pinjolli të shtëpisë sunduese Nemanja, Shën Sabës, i cili ishte kryepeshkopi i parë i një farë province kishtare. Gjithsesi, asokohe e më vonë, zona e Shkodrës mbeti nën drejtimin e hjerarkisë latine, besnike ndaj ritit të vet e gjithnjë nën vartësinë e Romës, përgjithësisht e patrazuar nga politika e dinastisë Nemanja.Vetëm aty-këtu depërtimet etnike serbe, posaçërisht në veri (Zetë) e në lindje (Pejë, Ipek e Prizrend) kishin prirje bizantine. Ndërkaq nisi lulëzimi i urdhërave të lashta murgare (posaçe ai i benediktinëve) e u duken kuvendet e para të rregulltarëve lëmoshtarë (françeskanët e domenikanët), që nisën të ushtrojnë një ndikim të fuqishëm mbi gjithë jetën shpirtërore të vendit.

Në shekullin XIV shumë krahina kaluan nga anzhuinët, perandori bizantine e nemanjave, në duar të Engjëllorë-Komnenëve e, më vonë, në duar të dinastive vendase, që nisën të formohen në qendër e në jug. Në veri u krijua principata e Balshajve, me qendër Shkodrën. Në fund të shekullit, përballë rrezikut turk, gjatë gjithë bregdetit, prej Tivarit, në Durrës, u ngritën ledhet mbrojtëse venedikase që, pavarësisht nga toleranca fetare e Republikës detare të Venedikut, (serenissima), ndikuan fuqimisht në forcimin e ritit latin. Durrësi, në atë kohë, kishte një kryeipeshkvi latine.

Në shekullin XV fillon epopeja e luftës kundër pushtimit osman, e udhëhequr nga Skënderbeu. Dihet me siguri se Gjergj Kastrioti ishte i krishterë, por nuk dihet i ç’riti. Gjithsesi dokumentet historike vërtetojë se Skënderbeu kishte me Romën jo vetëm marrëdhënie të ngushta politike, por edhe fetare. E edhe princat e tjerë nisën të ndiqnin rrugën e tij. Pas sulmeve të tërbuara turke, rreth vitit 1479, në qytetet e braktisura nga venedikasit dhe nga banorët vendas, nisën të vendosen kolonë myslimanë turq e feudalë të vegjël ushtarakë turq. E pasoja më e hidhur e këtyre shndërrimeve, ishte ikja e prelatëve latinë dhe e urdhërave rregulltare.

Shek XVI Përballë furisë turke, në vend mbetën vetëm françeskanët. Fatet e Kishës katolike shqiptare u lidhën ngushtë me konopin e bijve të Shën Françeskut, në sa kështjellat binin njëra-pas tjetrës në duart e turqve e turma shqiptarësh kapërcenin detin, për t’u vendosur në mbretërinë e Napolit, ku formuan kolonitë italo-shqiptare. Nisi historia e arbëreshëve, që vijojnë edhe sot e kësaj dite të ruajnë ritin bizantin, ndonëse duke i thelluar gjithnjë më shumë lidhjet me selinë romake. U zhdukën, kështu, edhe dinastitë e vjetra. Një pjesë e trashigimtarëve të tyre ikën në Itali, pjesa tjetër kaluan në fenë islame, pa lënë gjurmë të dukshme as në botën shqiptare e as në atë myslimane. Që asokohe, lidhjet me Romën u ndërprenë, duke i lënë kishat e veriut në mëshirën e fatit, e ato të jugut, nën ndikimin e fuqishëm të Patriarkanës bizantine. Gjithsesi, pjesa më e madhe e popullsisë mbeti e krishterë e vijoi përpjekjet për të rifituar pavarësinë, duke lypur ndihmë herë nga Venediku, herë nga Perandoria bizantine e herë nga Spanja, por më shumë, nga papa. E, në përpjekjen për pavarësi, të krishterët e veriut e ata të jugut ishin përherë një mendjeje.

Kështu rodhën vitet e erdhi shekulli XVII, që solli me vete humbjen e ledheve të fundme mbrojtëse bregdetare të Venedikut, forcimin e depërtimit turk e kushtet tejet të vështira të jetës së klerit, në atmosferën e përhapjes gjithnjë më të madhe të fesë islame. Posaçërisht ndër qytete, nisën të ndërtohen jo vetëm xhami, por edhe shkolla fillore e të mesme (medrese) që pregatisnin klerin e ultë e të lartë islam. Përballë një kërcënimi të tillë, kleri e hjerarkia katolike nisën përpjekjet e lavdërueshme për t’u riorganizuar. Hjerarkia u rikthye në selitë ipeshkvnore dhe filloi përpjekjet për formimin e klerit shekullar, gjë që e nxiti Kongregatën e Propaganda Fide, të sapothemeluar, të jepte ndihmesën me kolegjet e veta: kolegjin grek të Shën Athanasit (1572), atë Urbanian, Ilirik të Loretos (1580) e Ilirik të Fermos (1631) si dhe me rifillimin e misioneve françeskane italiane (1634). E pikërisht në këtë kohë, kur Kisha katolike shqiptare kishte nevojë më shumë se kurrë për ndihmë e mbështetje, në fronin e Shën Pjetrit u ul një papë, që shpalli botërisht zanafillën e vet shqiptare: Klementi XI Albani.

Shek XVIII Papa shqiptar nisi të interesohej menjëherë për rilindjen politike e fetare të atmes së të parëve, përmes kryeipeshkvit reformator të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, të cilit i kërkoi të bënte vizitën kanonike në të gjitha kishat dhe qendrat katolike të Shqipërisë. Pas vizitës, që e kreu brenda tre muajve, në dhjetor 1703, prelati mblodhi në Kuvend kryetarët e klerit: 5 ipeshkvijtë e dioqezave të vendit (imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipëri; imzot Pjeter Karagjiqi, arqipeshkëv i emëruar i Shkupit; imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës; imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës; imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emëruar i Shkodrës; imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhur i Pultit), provincialin e françeskanëve, Fra Martinin nga Gjonima (Gjonmi), Prefektin Apostolik të Misioneve t'Arbënisë, Fra Egjidin de Arsenta dhe Prefektin Apostolik të Misioneve të Maqedonisë, Fra Frano Maria a Lycio, të cilët e nënshkruan Koncilin e Parë të Shqipërisë.
Vendimet e Koncilit t'Arbënisë, shkruar shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit, më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1704 (Koncili i Dheut ‘Shqipnís”, botue në Romë, shtypë prej Kuvendit të Propagandës, 1704). Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me një letër, idetë e së cilës i paraprijnë Rilindjes Kombëtare. Me rëndësi, ky takim i madh, që përcaktoi normat e sjelljes së klerit në çështjet dogmatike, morale, kanonike e baritore. Ndërkaq, u vërejt një farë afrimi me Kishën ortodokse e nisi të flitet për një farë bashkimi. Kjo përpjekje, që nuk u realizua, ndikoi për krijimin e selive kryeipeshkvnore për latinët, në Ohër e në Shkup. Rreth vitit 1577 në Himarë u vendos një mision katolik lindor. Nën drejtimim e misionarëve bazilianë, ortodoksët e Himarës, të ndihmuar politikisht nga papa, i prenë lidhjet me peshkopatën e Janinës, pa hequr dorë nga riti e liturgjia bizantine. Por shumë shpejt Patriakana e Stambollit ndërhyu energjikisht dhe, rreth vitit 1628, e rivendosi ndikimin e vet në Shqipërinë e jugut.
Në shekullin XVIII vijoi puna për rifillimin e plotë të veprimtarisë së Kishës. Pritej që kjo punë të ecte me ritme të shpejta, falë autonomisë së fiseve malësore, të mbrojtura me armë për faqe, dhe lulëzimit të bashkësive të pasura tregtare kristiane. Por ritmet u ngadalësuan për shkaqe të vjetra e të reja. Shkaku i parë ishte mungesa e klerit, në sa lidhjet civile me mjediset myslimane ndikonin në përhapjen e indiferencës fetare. Shkak tjetër i rëndësishëm, joshja për të ndjekur karrierën ushtarake, që Turqia nuk ngurronte t’ua siguronte shqiptarëve, mjafton që të ktheheshin në fenë islame. Fanatizmit të sundimtarëve turq, i shtohej edhe apostazia e shumë familjeve vendase, që zgjëruan feudet e tyre, duke siguruar edhe të drejtën e trashëgimisë. Por gjithsesi, nuk duhet menduar se kalimi në islamizëm qe aq i thjeshtë: shqiptarët zbuluan një mënyrë të re, për t’iu përshtatur rrethanave të reja: ndërruan emrat, por jo fenë. Nisi, kështu, fenomeni i kriptokristianizmit apo, më kuptueshëm, i laramanizmit. Laramanët përdornin emrin e ri turk në marrëdhëniet me mjediset sunduese e emrin e vjetër katolik, në vatrën familjare. Ishte kthim në islamizëm sa për sy e faqe. Shpesh vetëm i një dege të familjes, që zakonisht zgjidhte sektet më pak fanatike e më afër fesë së krishterë, si bektashijtë.

Në shekullin XIX barra e rëndë e persekutimit mbi të krishterët u lehtësua, falë mbrojtjes zyrtare të Austro-Hungarisë, që nisi t’i ndihmonte me të gjitha mjetet e mundshme klerin e veprat katolike, duke u përpjekur edhe për zhvillimin kulturor të shekullarëve. Qysh në shekullin XVII, në vend kishin nisur përpjekjet për themelimin e seminareve, por kjo u mbërrijt vetëm në vitin 1856, kur në Shkodër filloi veprimtarinë e vet Seminari papnuer, nën drejtimin e jezuitëve, ku nisi të përgatitej kleri shekullar vendas, që do të drejtonte edhe selitë ipeshkvnore. Më 1877 jezuitët hapën në Shkodër shkollën e parë të mesme, ‘Kolegjën Saveriane”; më 1870 kishin ngritur tashmë edhe tipografinë tyre e përgatiteshin për ‘misionin shetitës’ në male, ku përtërinë jetën fetare.
Njëkohësisht edhe françeskanët filluan të hapnin shkollat e tyre fillore e pastaj edhe liceun ‘Illyricum” e, sidomos, të riorganizonin famullitë, që u ishin besuar, duke përgatitur meshtarë të rinj vendas, të aftë për një punë aq të vëshirë, siç ishte puna e famullitarit të maleve.
Bashkësia ortodokse, nën vartësinë e Patriarkanës së Kostantinopojës, nuk mundi të ecte me ritmin e bashkësisë katolike, madje humbi atë pjesë të klerit, tejet të kulturuar, që kishte themeluar aq shumë qendra të lulëzuara fetare. Mjafton të kutojmë Voskopojën e Beratin. Pasi gëzoi për një farë kohe mbështetjen e Greqisë, iu desh të hiqte dorë nga ndihma e një Kishe, që donte të helenizonte gjithçka e gjithkënd. Kështu, ndërsa përparonte ekonomikisht me shpejtësi, Jugu mbeti shumë prapa përsa i përket lulëzimit të fesë e të kulturës shpirtërore.

Shekulli XX Pavarësia e Shqipërisë, më 1912, i dha fund apostazisë, por nën sundimin e Zogut, ligji mbi bashkësitë fetare i ligështoi keqas këto të fundit, duke i përjashtuar nga ndihmat shtetërore. Kisha katolike mund të mbështetej vetëm në ndihmat që vijonin të vinin nga Italia, mbas ndërprerjes së ndihmave austro-hungare. Por grushti më i fortë ishte ai i mbylljes së shkollave private (1933), që e la bashkësinë katolike pa institutet e veta të lulëzuara dhe i hapi rrugën propagandës së rrezikshme komuniste ateiste, të cilën qeveria deshi ta frenonte, duke ia rikthyer pjesërisht klerit institutet private. Por ishte tepër vonë.
Në periudhën e pushtimit italian, pala katolike nuk pati asnjë privilegj të veçantë, në kundërshtim me atë që mendohej e që vijon të mendohet. Fitoi vetëm të drejta të barabarta me bashkësitë e tjera. Ndërsa i fryhej zjarrit të ndasive fetare. Kështu në kohë të sundimit fashist në Shqipëri, u ndërtuan xhami, e jo kisha katolike. Fashistët nuk kishin ardhur në Shqipëri per t’u dhënë ndihmë katolikve. Aq më teper sepse kleri katolik qe i vetmi, qysh në fillim, e jo vetem atëherë kur fashizmi nis tatëpjetën, që u dha të kuptojnë pushtuesve se nuk ishin të dëshiruar në Shqipëri.
Rrethanat e reja historike nxitën lëvizjen për t’u rikthyer në fenë e Skënderbeut, prej këndej, edhe idenë e bashkimit të të krishtenëve. Por kjo lëvizje u frenua nga përhapja e misioneve të vogla, që i zhgënjyen ortodoksët. Përsëri, inatet fetare.
Duke nisur nga vitit 1921, menjëherë mbas Kongresit të Lushnjës (21 janar 1920) Papa dërgoi, për palën katolike, një delegat apostolik, që nuk u akreditua pranë qeverisë shqiptare. Ndërkaq u riorganizua kryedioqeza e Shkodrës, me sufraganet e veta: Lezhën, Pultin e Sapën; kryedioqeza e Durrësit, pa sufragane dhe abacia nullius e Shën Llezhdrit në Orosh të Mirditës, me titullarin e ngritur në rang ipeshkvnor, që varej drejtpërdrejt nga Selia Apostolike. Kryedioqeza e lashtë e Tivarit, që mbeti njëherë nën Malin e Zi, pastaj nën Jugosllavi e përsëri nën Malin e Zi, ndonëse me famulli krejtësisht shqiptare, i humbi sufraganet, që i kaluan Shkodrës(1867). Shkupi, që gjithashtu mbeti nën Jugosllavi, me famullitë e veta, shumica shqiptare, u kthye në rang ipeshkvie.
Bashkësia ortodokse, pas një lufte të gjatë për autoqefalinë, që nisi qysh prej vitit 1912, e shoqëruar me shkishërime nga ana e Patriarkanës, u njoh zyrtarisht në vitin 1937. E organizuar në metropolinë e Durrës-Tiranës dhe heparkitë e Korçës, Beratit e Gjirokastrës, nisi të përdorë shqipen si gjuhë liturgjike.
Shqipëria katolike ndahej në dy pjesë, me një vijë simbolike kufiri, që kalon në jug të Tiranës: në veri ishte nën jurisdiksionin e Kongregatës Propaganda Fides (Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve), ndërsa në jug, në formën e heparkisë, nën kujdesin e Kongregatës për Kishat Lindore.
Bashkësia myslimane, pas shfuqizimit të kalifatit, formoi një grup kombëtar të pavarur, me një kryemyfti e disa myfti në kryeqendrat e krahinave të ndryshme e me një medrese të përgjithshme në Tiranë, ndësa vijoi të dërgonte studentë në Universitetet Islamike të Al-Ezhar të Kairos e të Lahores, në Indi.
Pavarësia e Shqipërisë nuk e ndihmoi shumë bashkësinë katolike, përkundrazi, ia kufizoi privilegjet, që kishte siguruar nën mbrojtjen e Austrisë. Hierarkisë iu hoqën disa prej privilegjeve kanonike, si gjykata kishtare, e drejta e mësimdhënies etj. Por megjithatë, falë meritave në luftën për çlirimin kombëtar e për zhvillimin kulturor të vendit, vijoi të gëzonte nderim të thellë nga gjithë popullsia vendase, pavarësisht nga besimi. Ndërkaq zhvillimi kulturor i vendit ndikoi në zhdukjen e paragjykimeve kundër katolicizmit e papatit, duke ngjallur shpresa të reja për përparimin e bashkësisë katolike.
Në këtë situatë e gjeti bashkësinë katolike viti 1945, kur u shpall Republika Popullore e Shqipërisë, duke nisur, kështu, sundimi i tiranisë komuniste. Filloi shumë shpejt sulmi i rrebtë kundër të gjitha bashkësive fetare, posaçërisht asaj katolike, që çoi në rrënimin e plotë të gjithsa ishte ndërtuar me aq mundim e djersë: kler, vepra, organizata, shkolla, qendra kulturore, seminare, kisha... Asnjëherë në historinë e Shqipërisë nuk ishte parë një rrënim më i madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.