Papa Kongresit Botëror të Baritorisë së Turizmit: ushqimi i shpirtit me bukuritë e
natyrës e të artit, na bën të kundrojmë Zotin
Filloi sot në Kankun të Meksikës, Kongresi VII Botëror i Baritorisë së Turizmit, organizuar
nga Këshilli Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve, në bashkëpunim
me Konferencën Ipeshkvnore vendase. Tema e sivjetme “Turizmi ndryshe”, përfshin tri
argumente kryesore, që do të diskutohen deri më 27 prill: turizmi në përgjithësi,
turizmi fetar dhe turizmi i të krishterëve. Në mesazhin e tij për këtë Kongres,
Papa Benedikti XVI thekson se turizmi, së bashku me pushimet e me kohën e lirë, është
një hapësirë e privilegjuar për përtëritjen fizike e shpirtërore, lehtëson takimin
ndërmjet kulturave të ndryshme, është rast për t’iu afruar natyrës e favorizon dëgjimin
e kundrimin, tolerancën e paqen, dialogun e harmoninë me botën, që na rrethon. Kjo
është arsyeja për të cilën Kisha merret me këtë aspekt të jetës njerëzore, duke u
përpjekur ta ungjillëzojë, pasi siç thuhet në Librin e Urtisë, Zoti, krijuesi i Gjithësisë,
kundrohet për analogji me madhështinë e bukurinë e krijesave. Por turizmi nuk
është i imunizuar nga rreziqet. Turizmi seksual, denoncon Papa në mesazhin e tij,
është një nga format më shkatërrimtare për jetën e njerëzve e të familjeve të tyre,
së bashku me trafikun e organeve, me shfrytëzimin e të miturve, me abuzimet e torturat,
që fatkeqësisht, ndodhin shpesh në kontekste turistike. Ati i Shenjtë bën thirrje
të punohet më shumë për parandalimin e këtyre fenomeneve. Por ç’duhet bërë për
një “turizëm ndryshe”, siç thotë tema e Kongresit, për një turizëm të nxitur nga Kisha
Katolike, që dallohet nga mënyra, me të cilën e organizojnë të tjerët? Benedikti XVI
tërheq vëmendjen e baritorisë së turizmit drejt tri fushave kryesore. Së pari, të
ndriçohet ky fenomen nga doktrina shoqërore e Kishës, duke promovuar turizmin etik
e të përgjegjshëm, që respekton dinjitetin e njerëzve e të popujve, turizëm për të
gjithë, i drejtë dhe ekologjik. Së dyti, u thotë Papa pjesëmarrësve në Kongres, mos
harroni “via pulchritudinis”, rrugën e bukurisë. Kryeveprat e artit, që ndodhen nëpër
kisha e në vende të tjera kulti, janë vepra feje e shprehin besimin në Zot, prandaj
janë udhë të vërteta drejt Hyjit, i cili është Bukuri supreme. E së treti, Kisha duhet
t’i shoqërojë të krishterët në kohën e pushimeve, në mënyrë që të përfitojnë sa më
shumë shpirtërisht prej saj. Pushim do të thotë edhe ushqim i shpirtit përmes lutjes
e meditimit, duke e shndërruar jetën sipas mësimeve të Krishtit. Ungjillëzimi
i ri, përfundon Papa, na kërkon t’i kemi parasysh e t’i përdorim rastet e shumta,
që na jep turizmi për ta paraqitur Krishtin si përgjigjja më e mirë e pyetjeve të
njeriut të sotëm.